Putin flet për Kosovën, ambasadori i Ukrainës në Tiranë: Synon të destabilizojë Ballkanin
Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov komenton krahasimin që Vladimir Putin i ka bërë rajonit të Donbasit me Kosovën. Për të ky është një krahasim i pavend nga ana e kreut të Kremlinit, që ambasadori e lexon si një synim që të manipulojë opinionin dhe destabilizmin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Putin e përmend vazhdimisht rastin e Kosovës për të legjitimuar operacionin në Ukrainë dhe kryesisht të drejtën e rajonit lindor të Donbas për të qenë i pavarur. E bëri fillimisht kur aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe tani me Donbasin. Si duhen lexuar komentet e Putinit, pse ky krahasim me Kosovën, sovraniteti i të cilës njihet nga më shumë se 100 shtete dhe gjykata ndërkombëtare e drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar?
Mendoj se nuk ka një paralele të drejtpërdrejtë mes situatës në Kosovë dhe asaj në Donbas. Ka vend për manipulime dhe dëshira të palës ruse për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, këtë rajon kaq të ndjeshëm për sa i përket sigurisë. Mendoj se aktualisht situata me Kosovën është në kuadër të zgjidhjes diplomatike, pasi përpjekjet e BE-së dhe Amerikës, që janë bërë në këtë drejtim për sa i përket mbështetjes së Kosovës, kanë efekt të fuqishëm. Unë shpresoj dhe mendoj se këtu po flasim thjesht për një lloj manipulimi nga ana e federatës ruse.
Megjithatë, Ukraina është një ndër vendet që nuk e njeh Kosovën. A besoni se edhe pas kësaj situate dhe pas solidarizimit të treguar nga populli shqiptar, shqiptarët kudo që janë me Ukrainën, nisur edhe nga fakti që në Kosovë është provuar nga Gjykata Ndërkombëtare se kishte gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. A janë gjasat që, Ukraina pra, të vijë një ditë që ta njohë shtetin e Kosovës?
Kjo është një pyetje shumë e vështirë dhe unë dua të them diçka. Ne e dimë dhe e vlerësojmë ndihmën dhe mbështetjen që ofroi Kosova për popullin e Ukrainës. Ne e dimë dhe jemi shumë mirënjohës për ndihmën humanitare.
Ne i dimë dhe lëvizjet sa i përket anulimit të regjimit të vizave për shtetasit Ukrainës, për gatishmërinë për të pranuar në Kosovë ukrainasit që po largohen nga lufta. Për sa i përket njohjes së Kosovës, dua të them: na lejoni ne, Ukrainës të dalim nga zjarri i luftës dhe pastaj të flasim për çështje të tjera politike.
Ju e dini se lufta po vazhdon, çdo ditë po vdesin ushtarë, civilë, fëmijë e nëna, njerëz të moshuar. Ndaj, Ukraina sot është e përqendruar vetëm te dalja me fitore nga zjarri i luftës. Pyetjet për çështjet politike, pak më vonë.
Marrë nga /A2Cnn/