Qëllohet me armë drejt një makine në Tiranë! Objektiv i atentatit administrator i shkollës “Willson”

Një ngjarje e rëndë është regjistruar te nënkalimi i Liqenit të Thatë. Një person ka hapur zjarr me armë ndaj një makinë.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se u qëllua në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin me inicialet L. M., 63 vjeç.

Ndërkohë, News24 raporton se bëhet fjalë për Lulzim Mashën, 63 vjeç, administrator i shkollës Willson, i cili udhëtonte i vetëm.

Dyshohet se një person i paidentifikuar, i cili është larguar në këmbë, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, në drejtim të mjetit tip Benz ku udhëtonte Masha.

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 18.01.2022, te nënkalimi te Liqeni i Thatë, nga një person ende i paidentifikuar, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin L. M., 63 vjeç.

Si pasojë e të shtënave, nuk ka persona të lënduar.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës me qëllim kapjen e autorit.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe është duke sekuestruar çdo provë të mundshme materiale që do të shërbejë për identifikimin e autorit të ngjarjes.

SHKARKO APP