Qeveria Merkel nuk shpartallohet edhe paksa ditë…
Nga DW:
Angela Merkeli fitoi kohë. Qeveria nuk do të shpartallohet. Të paktën hë për hë. Por grindja parimore nuk është zgjidhur. Dhe kancelaren tani e pret një “Mission impossible”.
Shpëtimi i Angela Merkelit tani është në Evropë. Në Evropë, e cila ka vetë mosmarrëveshje të thella. Ajo nuk është spirancë shpëtimi për Angela Merkelin, por më tepër një fill i mëndafshtë. Kancelarja duhet t’i impenjojë evropianët në një politikë të përbashkët ndaj refugjatëve. Kështu dëshiron CSU-ja. Përndryshe, ministri i Brendshëm Horst Seehofer planifikon ta mbyllë kufirin gjerman për një grup të madh migrantësh. Ky është shantazh. Kancelarja duhet të ofrojë tani rezultate.
Megjithatë: CSU-ja i dha Merkelit pak kohë. Përndryshe, partia simotër tregon ashpërsi maksimale dhe qëndrim të pakompromis. Këmbëngul që Gjermania të veprojë në mënyrë unilaterale: që Gjermania t’i dëbojë refugjatët, të cilët tashmë janë regjistruar si të tillë në shtete të tjera evropiane. Kjo do të sillte shtensionim në Gjermani. Por do ta zhvendoste problemin tek shtete të tjera. Dhe Bashkimi Evropian do të ndodhej atje, ku ndodhet tani Gjermania: para një prove të vështirë për t’u përballuar.
Merkeli ka edhe 14 ditë
Për tri vjet u përpoq Angela Merkeli që ta zgjidhë çështjen e refugjatëve në nivelin e BE. Tri vjet – pa rezultat. Tani asaj i mbeten 14 ditë. Pa gjasa që ky mision të ketë sukses. Por ajo nuk ka alternativë. Sepse për Angela Merkelin nga kjo varen të gjitha: bindja e saj politike, trashëgimia e saj politike dhe posti i saj si kancelare. Tani nuk bëhet më fjalë vetëm për Gjermaninë, por për unitetin e Evropës.
Kancelarja gjermane tani duhet të përkujdeset që të mos shpërbëhet Bashkimi Evropian. Që Evropa si bashkësi ta ruajë aftësinë për të vepruar dhe që shtetet nacionale të mos veprojnë vetëm në mënyrë unilaterale – Gjermania mund të ishte njëri prej këtyre shteteve. “Në një botë, e cila është bërë e paqetë”, tani ka më shumë se kurrë rëndësi “që Evropa të jetë e fortë dhe e bashkuar”, deklaroi Merkeli jo më larg se e shtuna.
Fati i Angela Merkelit ndodhet tani pra në duart e qeverive të tjera evropiane – pikërisht të Greqisë, Italisë dhe të Austrisë. Me këto vende ajo dëshiron të lidhë marrëveshje bilaterale, që ato të marrin pas azilkërkuesit, të cilët vijnë prej vendeve të tyre në Gjermani.
Gjueti e pamëshirshme në publik
CSU-ja e shtyn përpara vetes kancelaren me ultimatumin e saj. Gjithçka bëhet hapur dhe publikisht. Kjo është një mizori, e cila tregon se sa të vështirë e ka kancelarja edhe në vetë kampin e saj politik. Dhe sa i dëmtuar është raporti midis partive motra CDU dhe CSU. Një kancelare e fortë nuk do të lejonte ta bënin këtë.
Ende, në konferencën e shtypit që mbajti Angela Merkeli u përpoq që të lërë një përshtypje tjetër: edhe pas 1 korrikut nuk ka veprime automatike, tha ajo. Le të shohim më parë rezultatet e negociatave evropiane. Dhe është ajo si kancelare që ka kompetencën e përcaktimit të direktivave të veprimit.
Përballë qëndron Horst Seehoferi: “I urojmë kancelares shumë sukses në këtë punë”, tha ai – dhe ka parasysh negociatat në BE. Njëkohësisht ai e bën të qartë: partia e tij e ka pajisur me liri maksimale dhe do të veprojë po të dështojë në Bruksel Angela Merkeli. Bavarezët mbeten në pozicion sulmi. Kërcënimi se mund të ketë ndarje të partive unioniste dhe me këtë të qeverisë federale është ende i pranishëm.