Qeveria nuk është zgjidhja e problemit të narkotrafikut

Nga: Shezai Rrokaj

Kjo Qeveri nuk e zgjidh dot problemin e narkotrafikut, sepse ai është krijesë e saj dhe ajo krijesë e tij. Ndërkombëtarët duhet të ndërgjegjësohen një ditë e më parë për këtë fakt. Raportet e shumta ndërkombëtare kanë konfirmuar plotësisht tashmë se organizatat kriminale shqiptare janë shumë aktive në trafikun e drogës.

Përveç prodhimit vendas, janë hapur rrugë të rëndësishme të trafikut të drogave të forta edhe nga Amerika e Jugut dhe Afganistani. Sipas Shoqërisë së Hapur mbi evolucionin e krimit të organizuar në Shqipëri për 2017-ën, organizatat kriminale shqiptare kontrollojnë territoret; ato janë përfshirë në investime të konsiderueshme dhe ndikojnë në mënyrë aktive politikën shqiptare.

Kurse sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, në raportin e tij mbi strategjinë për kontrollin ndërkombëtar të narkotikëve të marsit 2018, thuhet se Shqipëria prodhon dhe eksporton një sasi të konsiderueshme të marijuanës, veçanërisht në Evropë, dhe është një vend tranzit për heroinën dhe kokainën afgane.

Tashmë Shqipëria është e regjistruar në hartën globale të drogës si një vend prodhues dhe si një nyje shpërndarjeje. Gjithashtu, në Raportin Botëror të Drogës 2017 nga Kombet e Bashkuara, u konfirmua se ekzistojnë “dëshmi konkrete” të përfshirjes së grupeve kriminale shqiptare në të gjithë trafikimin e madh të drogës në Evropë si heroinë, kokainë e kanabis.

Rasti më konkret i këtyre qëndrimeve është ai i shkurtit të vitit 2018, në portin e Durrësit, ku me ndëhyrjen e shërbimeve të huaja, u kap një ngarkesë rekord prej 613 kg kokainë e pastër, direkt nga Kolumbia. Vetëm para disa javësh po në Durrës u kapën mbi 3 milionë euro para droge. Edhe Agjencia Kombëtare Britanike për Krime ka konfirmuar se kërcënimi i grupeve kriminale shqiptare është tepër domethënës.

Kjo shtrirje ndërkombëtare ka sjellë pasoja brenda Shqipërisë: Së pari, sepse Shqipëria tani shërben si bazë për operacionet e organizatave rajonale kriminale. Së dyti, sepse paratë e paligjshme po riciklohen lehtësisht dhe fitimet e majme nga veprimtaria kriminale e narkotikëve po investohen në sektorin e pasurive të paluajtshme, në kazinotë dhe në qendrat e basteve.

Po të njëjtin problematikë vuri re edhe KE-ja, që u mblodh në qershor për të vendosur nëse do të hapte ose jo negociatat me Shqipërinë dhe që vendosi të shtyjë fillimin e bisedimeve me një vit. Këshilli Evropian pohon se demontimi i grupeve kriminale mbetet një sfidë e rëndësishme dhe se Shqipëria duhet të ketë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme si dhe të sigurojë arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar. Por a mund ta bëjë këtë gjë kjo Qeveri? Për shqiptarët fatkeqësisht tashmë përgjigja është negative. Po ndërkombëtarët a duhet të kenë më besim se Qeveria mund ta fitojë këtë betejë? Ngado ta kapësh këtë problem merr përsëri një përgjigje negative. Sepse modeli i narkoshtetit është rrënjosur në sistem. Nuk kemi më dy palë: Qeveria, nga njëra anë dhe strukturat kriminale, nga ana tjetër.

”Qeveria dhe mafia”,-thotë Carlo Borselino, ”janë në të njëjtin terren”. Problemi është nëse ato luftojnë njëra-tjetrën apo bëjnë pakt me njëra-tjetrën. Tek ne ndodhi kjo e dyta. Palët kanë kapur bashkë sistemin qysh me zgjedhjet, kuvendin, bashkitë, emërimet në ekzekutiv etj. Po kështu, janë kapur sektorët publikë të riciklimit të parave, që partnerët tanë i kanë theksuar rast pas rasti. Prandaj Qeveria vazhdon të mbetet thjesht në kuadrin e deklaratave dhe vetëm të propagandës për luftën kundër drogës e krimit në tërësi. Sepse ajo i ka bërë inekzistente institucionet e drejtësisë dhe po e kap sistemin me strategjinë populiste të ndëshkueshmërisë së kundërshtarit dhe pandëshkueshmërisë së vetes. Asnjë peshk i madh nuk është vënë prapa hekurave dhe krerë komisariatesh mbeten ende të lirë.

Aakt është se Qeveria është përfituese direkte prej këtij aktiviteti kriminal të nxitur prej saj. Duke u bërë pjesë e tij ajo nuk mund ta luftojë sepse, siç thotë Ajnshtajni problemet nuk zgjidhen nga e njëjta mendësi dhe po nga të njëjtët njerëz që i kanë krijuar. Shumë shpejt edhe ndërkombëtarët duhet ta kuptojnë se kjo Qeveri nuk është zgjidhja e problemit të narkotrafikut, pasi ajo është pjesë e tij, madje vetë problemi.

SHKARKO APP