Qeveria përgatit taksën e re për pronat, shtëpitë, bizneset; rriten disafish
Projektligji “Për taksimin e pasurisë së paluajtshme” i hedhur për konsultim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, do të rrisë detyrimet e pronarëve të truallit që përdoret për qëllim banimi dhe tregtar, pasi ndryshon formulën e llogaritjes së taksës së truallit për të dyja kategoritë.
Sipas dokumentit “Reforma e taksës së pasurisë 2024-2028” ku paraqiten shembujt për llogaritjen e taksës për secilën kategori (duke përfshirë, ndërtesat e banimit, për qëllime biznesi, si dhe për truallin, tokën bujqësore dhe pyjore), detyrimet e pronarëve të truallit për qëllim banimi rriten deri 45 herë më shumë nga sa paguajnë aktualisht dhe detyrimet për truallin e përdorur për qëllim tregtar dhe industrial rriten 2 herë.
Aktualisht taksa për truallin përcaktohet sipas qëllimit të përdorimit dhe kategorive të bashkive. Niveli i taksës së truallit për banim varion nga 0,14 lekë/m2/vit deri në 0,56 lekë/m2/vit. Ndërsa shkalla e taksës për truallin për aktivitet tregtar varion nga 12 lekë/m2/vit deri në 20 lekë/m2/vit
Me draftin e ri “Për taksimin e pasurisë së paluajtshme” për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave rezidenciale, shkalla e taksës është propozuar të variojë në shkallët nga 0,1% deri në 0,3% sipas vlerës së truallit e llogaritur me çmimet mesatare referuese. Për kategorinë e pronave tregtare, shkalla e taksës së truallit mund të variojë në shkallët nga 0,15% deri në 0,3%.
Taksa për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme do të llogaritet mbi vlerën e re të pronës. Vlera do të përcaktohet në një hartë te re me çmime mesatare referuese, por e ndarë për njësitë e ndërtesave rezidenciale, të shërbimit, si dhe çmimet mesatare referuese të parcelave, duke përfshirë të truallit, tokës bujqësore dhe asaj pyjore.
Në Bashkinë Tiranë për truallin me sipërfaqe 500 m2 me nivelin e taksës prej 0,56 lekë për metër katror, sot detyrimi i pronarit është në vlera simbolike prej 280 lekë në vit.
Sipas shembullit “të një barre tipike tatimore për një taksapagues për parcela toke për qëllim banimi, në bashki të ndryshme, duke supozuar aplikimin e shkallës më të ulët të taksës për atë kategori” që sjell Ministria e Financave, vlera e truallit me çmim reference 26,073 lekë për metër katror është 13,036,500 lekë. Me taksën e re të propozuar prej 0,1% të vlerës pronari do të paguajë 13,036 lekë taksë në vit. Detyrimi për pronarin e truallit rritet rreth 45 herë.
Edhe për bashkinë e Durrësit sipas shembullit që sjell Ministria e Financave detyrimi vjetor i një pronari të truallit me qëllim banimi aktualisht është 280 lekë në vit. Me draftin e ri detyrimit vjetore parashikohen të arrijnë 7,500 lekë në vit. Detyrimet shtohet rreth 26 herë më shumë.
Drafti parashikon që 50% të detyrimit të ri, pronari i truallit të shtëpisë ta paguajë vitin e parë të zbatimit të ligjit dhe 50% të detyrimit të mbetur vitin e dytë.
Nëse për pronarët e shtëpive private apo vilave është që qartë që taksa vjetore për truallin di të paguhet prej zotëruesit të certifikatës së pronësisë, mbetet ende e paqartë se si do të paguhet taksa e truallit për ndërtesat shumëkatëshe të banimit, pasi certifikata e pronësisë zotërohet nga bashkia.
Burime nga Ministria e Financave sqaruan se modalitet për mënyrën e zbatimit të pagesave të taksës së truallit të ndërtesave rezidenciale do të diskutohen në vijim edhe me një grup më të gjerë vendim marrësish./lapsi/