Rakip Suli merr bashkinë, Mziu nuk liron zyrën! Çfarë po ndodh në Kamëz?
Socialisti Rakip Suli është betuar si kryebashkiak i bashkisë së Kamzës. Suli e ka kryer betimin në ambientet e shkollës “Ibrahim Rugova”, kjo pasi kryebashkiaku në largim Xhelal Mziu nuk ka liruar ende zyrën.
Ndërkohë para Bashkisë janë mbledhur një grup qytetarësh, mbështetës të Partisë Demokratike të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kryebashkiakut në ikje Xhelal Mziut dhe kanë bllokuar derën e bashkisë së Kamzës.
Mbështëtës të Mziut janë shprehur se nuk e njohin Sulin si kryebashkiak, ndërkohë që Mziu vijon ende të jetë në zyrë.
Me pankarta në duar “Kamza blu” “Asnjë hap pas” “Turp Mister 6%” mbështetës të PD-së ndodhen para godinës së bashkisë së Kamzës.
Ata thonë se nuk do lejojnë Rakip Sulin të hyjë në godinë.
Konstituohet Këshilli bashkiak i Kamzës i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, në një ceremoni që u krye në shkollën “Hillary Clinton”.
Këshilli bashkiak përbëhet nga 41 anëtarë: 40 anëtarë Aleanca për Shqipërinë Europiane, 1 Bindja Demokratike. Ndërkohë u bë dhe betimi i Rakipi Sulit si kryetar bashkie.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Kreu i grupit parlamentar te PS-se, Taulant Balla, Ervin Bushati dhe Aldrin Dalipi.
Nga ana tjetër, Suli mbajti një fjalim falenderues për postin që i është besuar dhe garantoi se do të punojë me përkushtim për Kamzën.
“Në mënyrë të veçantë për PS dhe Ramën që më dha mundësinë që të jem kryetar i Kamzës. Jam mirënjohës për skuadrën e 30 qershorit, u arrit që të hapet një faqe e re për Kamzën. Nga sot interesi i qytetarëve të Kamzës, mbrohet nga ne. Qytetarëve të Kamëz deri tani janë shtuar hallet dhe jo zgjidhur. Një rrjedhë historie e mbrapsht që nuk ka sjellë as zhvillim dhe as mirëqenie për qytetarët e Kazmës. Ne do tia dalim për të bërë më të mirën për familjet e Kamzës dhe Paskuqanit”, tha Suli.