Reagon qeveria e Kosovës: Vendim i njëanshëm! Humbasin qytetarët
Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me anullimin e mbledhjes së përbashkët, vendim që u njoftua nga kryeministri Edi Rama. Sipas njoftimit për mediat, thuhet se kjo është hera e parë që një mbledhje anulohet në mënyrë të njëanshme dhe që ata që humbasin janë qytetarët.
”Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë.
Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato.
Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme”,–njofton qeveria e Kosovës.