Rama: Basha do kujtohet për vjedhjen e 230 milionë eurove dhe shitjen e detit

Nga Rrësheni ku prezantoi kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkinë e Mirditës, Ndrec Dedaj, kryeministri Rama ka sulmuar kreun e opozitës Basha.

Sipas Kryeministrit, Basha në të gjitha detyrat që ka ushtruar do të mbahet mend për abuzime dhe shkelje, me përjashtim të detyrës si Kryebashkiak që nuk bëri asgjë.

“Kush niset të votojë kandidatin e PD duhet të pyesë se kë kanë model. Më të mirin kanë këtë të Tiranës, pyesni në Tiranë çfarë ka bërë katër vjet? Zero, gjumë me gërhima. Ishte Ministër Transporti, për çfarë e mbani mend, 230 mln euro në drejtim të paditur.Dihet ku kanë shkuar po sa pa u kap po e quajmë të paditur. Ishte Ministër i Jashtëm, 300 km katrorë det Shqipëri i firuan me firmën e vet, ikën dhe thonë grekët janë tonat se firmosi ky. Ministër i Brendshëm mos e pyet, e mbylli ma katër të vrarë në kurriz. Por si Kryetar Bashkie bëri një gjë të mirë se nuk bëri asgjë. Siç hyri doli, kastravec siç thotë ajo kënga. Ky është më i miri, se ka dhe më keq. Tani vinë këtu dhe ju thonë këtë kryetarin e Komunës merreni zgjidheni për gjithë Mirditën, me ju marrë budallenj dhe kë, mirditorët?”, tha Rama.

Referuar këtij modeli, Rama edhe kandidatin e djathtë për Mirditën nuk e shikon si zgjidhje për përmirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone, por si instrument për të luftuar qeverinë.

“Këtu kanë vënë një kandidat që është kryetar Komune. Pyeteni nëse ka bërë ndonjë përpjekje këto 18 muaj që të çojë ndonjë projekt, të takohet me mua apo ndonjë Ministër. Absolutisht jo.Për ta kjo është e pamundur, nga njëra anë nuk dinë. Po të shikosh se çfarë projektesh janë financuar nga qeverisja e mëparshme të zë tmerri. Ata propozojnë vetëm sherr, kandidatë për sherr. Merren me probleme që s’kanë lidhje me Bashkitë. Ata duan të kenë në çdo Bashki dikë që të mos bëjë asnjë punë. Zgjedhjet janë për të çuar përpara një projekt”, tha ai.

Duke shtuar se duke propozuar Ndrecën, "propozojmë që të investoni sëbashku për të pasur një Kryetar Bashkie dhe një partner të ngushtë të qeverisë dhe për ta pasur vëmendjen dhe mbështetjen e qeverisë çdo ditë dhe natë për të përmirësuar jetën e Mirditës. Për të trajtuar problemet e ujit të pijshëm, reformën e ujit qeveria e ka përgatitur dhe jemi në pritje të përfundimit të zgjedhjeve. Çdo Bashki do ketë sistemin e vet të Ujësjellësit dhe përgjegjës do jetë Kryetari i Bashkisë që brenda katër viteve çështja e ujit të jetë e zgjidhur".

 

SHKARKO APP