Rama: Brenda dekadës pavarësi energjetike dhe eksportues neto të saj. Qershia mbi tortë është marrëveshja me Italinë

Kryeministri Edi Rama thotë se falë projekteve për diversifikimin e burimeve të energjisë, Shqipëria brenda kësaj dekade do të jetë energjetikisht e pavarur nga çdo zhvillim i jashtëm dhe një vend eksportues neto i energjisë. Teksa vlerësoi praninë e aktorëve të rëndësishëm të fushës në këtë tryezë, Rama tha se fakti se ne jemi aq pranë anëtarësimit në BE, të ulur në një tryezë negociatash, nuk do të mund të imagjinohej nëse do kishim situatën e sektorit të energjisë.

“Fakti që sot ne flasim për një prodhim të brendshëm të dyfishuar është shumë domethënës kur mendon se ne nisëm këtë përpjekje me bazën prodhuese të kohës së komunizmit, me minus HEC-e që në mënyrën më të çuditshme u hoqën nga stoku i aseteve të shtetit dhe iu dhanë një privati, me një argumentim që në vetvete është vepër penale e pastër”, tha Rama.

Po ashtu Rama tregoi se kemi thuajse dyfishin e prodhimit me nga u nisëm, por ndërkohë është diversifikuar edhe baza e prodhimit e cila ishte vetëm nga uji. Kryeministri theksoi se në situatën e ndryshimeve klimaterike prodhimi nga burime ujore bëhet komplet i paparashikueshëm, ndaj e ardhmja mbetet diversifikimi i burimeve të energjisë.

“Kemi diversifikimin me 10% të prodhimit që sot vjen nga dielli. Me fillimin edhe të disa projekteve të erës, me inovacionin e jashtëzakonshëm që do të kemi fatin të kemi në Shqipëri falë “Statkraft’, që prezantoi këtu projektin e vetë për sistemin e pompimit të ujit, besoj se kemi të gjitha arsyet të mendojmë se pavarësia e plotë energjetike e Shqipërisë është afër”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se Shqipëria do ta vendosë vetë fatin e vet në raport me energjinë dhe do të kalojë në eksport neto. “Qershia mbi tortë është marrëveshja me Italinë për linjën e interkonjeksionit me anën tjetër të Europës, falë bashkëpunimit tripalësh me qeverinë italiane dhe qeverinë e Emirateve të Bashkuara”. Nga pikëpamja e humbjeve në rrjet, Rama tha se Shqipëria është tani në parametrat e një vendi normal të Europës.

SHKARKO APP