Rama: Çlirim ministrive, mandati i tretë le të jetë edhe i fundit
“Mandati i tretë le të jetë edhe i fundit po të dojë nëse mandati i katërt do të varet nga arrogantët, parazitët dhe injorantët që futen nëpër zyrat e shtetit me shtytje, nxitje, garanci interesash, që nga deputetët, tek ministrat e deri tek nivelet e drejtorëve nëpër territore. Kur të dëgjoni kushërinjtë e mi që punojnë në administratë, hajdeni më kërkoni vend për kushërinjtë tuaj”, kështu u shpreh Kryeministri Rama ndërsa foli në Kongresin e PS për orientimin e mandatit të tretë.
Rama njoftoi krijimin e një Këshilli Kombëtar, si një institucion që do të përfshijë qytetarët në vendimarrje.
“Përfshirja e qytetarëve në vendimarrje përmes këshillit kombëtar . Ne do përgatitemi që këtë vjeshtë të realizojmë këshillimin e parë kombëtar dhe dua që këshillimi i qytetarëve me qeverinë të marri një vulë për institucionet, të cilat për çdo qytetar që nuk merr përgjigje, të ketë forcën ligjore të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Unë nuk kam asnjë merak sa çlirimin e ministrive, bordeve, drejtorive nga tentakulat e interesave që cënojnë, gërryejne shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS në shërbim të popullit. Çlirimin e sektorit publik nga parazitë, arrogantë, injorantë me mbulesa politike të falura nga njëri apo tjetri në emrin e PS, gjithmonë”, tha Rama.