Rama deklaron: Tahiri po e lufton me vendosmëri krimin. Ka mbështetjen time
Për kryeministrin, Tahiri është në krye të një beteje historike me krimin.
“Ministri i Brendshëm është në krye të një beteje që pa as më të voglin ekzagjerim unë e quaj historike kundër krimit dhe të gjithë atyre shfaqjeve të veprimarive kriminale të mëdha apo të vogla që e bënë Shqipërinë të zvarritej deri kur shqiptarët vendosën të na besojnë ne qeverisjen e këtij vendi. Dhe nëse juve apo të tjerëve nuk i bën përshtypje fakti që këtë vit falë punës intensive të bërë kemi 50 % më pak vrasje në Shqipëri sesa krahasuar me cdo vit të këtij tranzicioni për mua ky është suksesi i parë i madh dhe i prekshëm i Policisë së Shtetit. A është Policia sot trupa që ne kemi ambicien të krijojmë? Ende jo. Ne duam të bëjmë një polici Shteti shembull sipas standardeve evropian dhe që të arrijë që ne të krahasohemi jo me të shkuarën por me rajonin në radhë të parë dhe pastaj me BE”, u shpreh Rama në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”.
Ai e përforcoi mbështetjen kur u ftua të komentonte kërkesën e opozitës për dorëheqjen e Ministrit Tahiri.
“Opozita ka punën e vet, puna e saj është të flasë, fol fol se dicka do të mbetet, ndërsa ne flasim me punë. Ministri i Brendshëm ka jo vetëm mbështetjen por ka dhe të gjithë respektin dhe admirimin tim për vendosmërinë e tij në këtë luftë jo vetëm me krimin por dhe me politikën që bëhet me krimin. Janë dy anë të një medalje që me ose pa dashje i shërbejnë njëra-tjetrës, si ata që merren me veprimtari kriminale, si ata që kriminelët i kthejnë në heronj të ditës e deri në monumente që janë dëshmi e censurës në Shqipëri. Turp!” tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

