Rama: E pafalshme që Akademia e Shkencave s’ka një regjistër me emrat e shkencëtarëve
Kryeministri Edi Rama ka propozuar sot që Samiti i Diasporës që do të organizohet për herë të parë dhe do të mblidhet në Tiranë, të mos jetë një institucion qeveritar, por t’u lihet në dorë protagonistëve të tij nga Shqipëria dhe Kosova. Po ashtu, ai e ka konsideruar si të pafalshme që Akademia e Shkencave nuk ka një regjistër me emrat e shkencëtarëve dhe figurave në një kohë kur Kina në kohë reale, -siç tha ai, – kontrollon çdo shtetas kinez ku hyn e del në botë.
Rama e hodhi propozimin në konferencën “Roli i disporës në botën shqiptare sot dhe nesër” mbledhur në Akademinë e Shkencave sot.
“Ne duhet të bëjmë një hetim më të thellë, – tha Rama, – se çfarë mund të përfitojmë si bashkësi shqiptare nga globalizimi e pikërisht nga urat e reja të bashkëveprimit, duke u fokusuar tek potenciali i mendjes që e kemi të shpërndarë dhe jo të përqëndruar në një pikë.
Dhe samiti i parë i diasporës synon të krijojë një parakusht që ju prej 11 vjetësh, që mblidheni në një forum, të mblidhen në një forum më të gjërë për të thithur, sintetizuar, prurjet e ideve, opinioneve dhe të burimeve njerëzore që e krijojnë një ndërveprim të tillë.
Në vizionin tim, Samiti duhet kthyer jo në një institucion qeveritar. Qeveria ka detyrën ta promovojë si institucion dhe shpresa ime është që ai institucion të merret në dorë nga vetë protagonistët dhe të kthehyet nga një samit i organizuar nga qeveria në një samit të protagonistëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe për t’i dhënë sa më shumë liri veprimi dhe ndërveprimi dhe për të fituar sa më shumë nga shkrirja e kufijve”.
KOHA JONË SONDAZH

