SPAK arreston sekretaren e përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, reagon kryeministri

Arrestohet me kërkesë të SPAK-ut, Joana Duro, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë. Përveç sekretares së përgjithshme, mësohet se edhe një tjetër punonjëse ka rënë në pranga.

Arrestimi u bë me urdhër të SPAK për akuzën e korrupsionit.

Laura Shteto, specialiste te “bashkëqeverisja”, është e arrestuara tjetër.

Ato akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën përmes korrupsionit me 4 milionë lekë. Po ashtu ka dyshime se dy të arrestuarat kanë abuzuar me një tender me vlerë 2 milionë euro.

Pas arrestimit reagon kryeministri Rama nga një takimin që mbajti sot pasdite në Tiranë.

Ai tha: “Para pak orësh dëgjova për një situatë që realisht të vë në siklet të jashtëzakonshëm. Një Sekretare e Përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Natyrisht që ana e, si të thuash, ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person i cili është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti dhe unë uroj që të ketë sa më shumë të tilla por ama nuk mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është realisht diçka e rëndë. Mungesa e sensit të patriotizmit, mungesa e sensit të detyrës, mungesa e sensit të etikës në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme”- saktësoi kryeministri.

SPAK mësohet se po vazhdon operacionin. Flitet se do të ketë arrestime të tjera.

 

 

SHKARKO APP