Rama: Ibrahim Rugova ishte President i shpresës në mes të shtypjes së çdo shprese
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Kryeministri Rama e skaliti kujtesën e Ibrahim Rugovës në një fjalë të mahnitshme, e cila solli në të tashmën e Kosovës që vjen në 25-vjetorin e çlirimit, zërin dhe urtësinë e një figure emblematike, e një kolosi të madh vlerash humanitare dhe nacionalisti të pashoq. Kjo fjalë dhe kjo konferencë, këto ligjërime dhe kjo ditë çlirimi e kthejnë Rugovën të gjallë nga përjetësia, për të dëshmuar se vlera dhe vepra e tij është vigane në këtë madhështi të ditës që kremton Kosova. Ai tha për Rugovën shumë, shumë më tepër se ç’farë ishin të gatshëm të dëgjonin të pranishëm në sallë dhe jashtë saj, të cilët me fjalë dhe me heshtje, me gjeste e me harrim, janë për pjekur të qëllojnë me gurë këtë qiell të kthjellët të pacifizmit politik, me të cilat Rugova luftoi dhe besoi se vetëm përmes këtyre mjeteve dhe këtij gandizmi, Kosova do të jetë dhe do të gjej vetveten. Albert Vataj
Në fjalën e tij, nëdr të tjera Rama shtoi:
“Ju falënderoj për mundësinë e mirëseardhur për të ndarë me ju një opinion mbi njeriun që e ka shenjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme, sintezë e pashoqe mes revolucionarit me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetasit me idealizimin e revolucionarit”
“Rugova, themeluesi i Kosovës së lirë, ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore te historisë sonë, një intelektual një udhëheqës dhe një e figurë që edhe sot është e vështirë ta përmbledhësh.”
“Një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhës romantike; një politikan si i rrahur me vajin dhe uthullën e odës patriarkale; një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme; një figurë që edhe sot e gjithë ditën është e vështirë ta përmbledhësh si një të tërën, pa i hyrë në hak harmonisë mes pjesëve”
“Ibrahim Rugova ishte edhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i papërsëritshëm, i paimitueshëm, i pashpjegueshëm dot deri në fund me mënyrën dhe për mënyrën se si arriti t’u imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vetë”
“Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat dhe pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që dërgoi popullin e vetë drejt një të ardhmeje që nuk do të ishte veçse e mirë, ku afër tij kaloi historia”.
“Kur në 24 maj të vitit 1992, në të ashtuquajturën zgjedhje ai i vetëshpall President i Kosovës për herë të parë, pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën, por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme, atë që jeta krijon dhe lë pas, emrin dhe personalitetin”
“Ky ishte një akt donkishotesk në sytë e shumëkujt, për mua tejet i ngjashëm me aktin e shfaqjes vetmitare të gjeneralit de Gol kur i vetëm dhe i përqeshur lëshoi me radio nga Londra mesazhin epokal të 6 qershorit 1944: ‘Pas resë aq të rëndë të gjakut dhe lotëve tanë, ja ku rishfaqet dielli i madhështisë sonë’. Njësoj si de Golin, edhe Ibrahim Rugovën disa e tallën, shumëkush e injoroi, pothuajse të gjithë e nënvlerësuan, kush me zë, kush nën zë. Të tjerë e ndoqën me një lloj keqardhje, që është keqardhja e dikujt që në dëshpërim i jep një shans asaj që duket krejt e pamundur. Por, nuk besoj se ndonjë nga ato fillime e kuptoi vërtetë atë, që mbase as ai vetë nuk e shihte si një rrugë me një dalje të sigurt, se të afërt jo e jo, por e ndërmori si një hap në errësirë, i shtyrë nga pamundësia për të qëndruar në vend”
“Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh që nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi”.
“Ibrahim Rugova, një president i zgjedhur pa pallat dhe pa komb siç thotë Kadare, një njeri vetëm dhe i vetëm, i cili mes zallamahisë që e rrethonte i dha popullit të vetë një forcë të panjohur dhe të papërdorur ndonjëherë, së paku në këtë pjesë së botës ku ne jetojmë. Forcën këmbëngulëse të ujit që gërryen gurin pa ngut, pa përplasje, pa zhurmë. Duke u ulur si Gandi përballë kohës me një besim të verbër tek aleanca me kohën dhe duke vënë një bast të pamundur të durimit, në një mjedis social si ai i shqiptarëve ku ju e dini më mirë se unë, durimi është mall i rrallë, po ku në atë kohë ishte bërë edhe sinonim i nënshtrimit”
“Kishte jetuar deri aty mes librash dhe joshjes së kritikës letrare në rrethana tejet të rënda për Kosovën, ku pasioni i studiuesit për dijen dhe fjalën e shkruar ju bë trualli ku u zhvillua përgjegjësia e intelektualit zëdhënës të popullit të vetë. Pikërisht në atë zhvillim e sipër, refuzimin estetik për të cituar titullin e njërës prej veprave të tij shkruar në vitin 1987, ai e ktheu në një refuzim politik, i cili herë merrte formën e predikimit në shkretëtirë, herë merrte trajtën e profecisë në një horizont imagjinar shprese, herë bëhej thirrje ndërgjegjeje ndaj botës për të drejtat e Kosovës, herë dëgjohej si thirrje urtësie në veshët e opinionit në Kosovë”
“‘Lufta jonë është paqësore, jo e dhunshme. Ajo është e dinjitetshme’, deklaronte Rugova me një kokëfortësi çarmatosëse të një lideri krejtësisht të pazakonshëm për Ballkanin e kthyer edhe njëherë në fuçi baruti në mes të Europës, në një kohë kur fare pak mes atyre shumë pak syve të kthyer nga Kosova ishin ata që arrinin ta lexonin dhimbjen e Kosovës.
Dhe teksa kjo lagje e Europës mbytej në renë e gjakut dhe lotëve duke u shpartalluar nga të katër anët nga dhuna, ulet në kolltukut e arsyes brenda një kinemaje urrejtjeje një president pa pallat dhe pa komb, që falë vetëm personalitetit të tij dhe asgjëje tjetër, pritej në Shtëpinë e Bardhë, pritej në Londër, në Romë, në audiencë nga Papa Gjon Pali në Vatikan, duke e zgjeruar si një përrua shtratin e vetë, vëmendjen ndërkombëtare për çështjen e Kosovës”