Rama kujton historinë kur ishte ministër Kulture: Banka gjermane na fali kompjuterë

Kryeministri Edi Rama ishte sot në një takim me të rinjtë, ku së bashku me ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, prezantuan fituesit në startupin ‘Grant2024’.
Gjatë fjalës së tij Rama tregoi edhe një histori nga koha kur ai ishte ministër kulture, në vitin 1998, teksa tha se i kishte dërguar një letër drejtorit të bankës gjermane, Deutche Bank, ku i kërkonte që t’i sillnin në Shqipëri edhe disa kompjutera, nga ata që i kishin nxjerrë jashtë përdorimit nga zyrat e tyre.
“Më kujtohet kur u bëra ministër Kulturë në 1998. Në ministri kishte një zyrë që ishte zyra e daktilografimit ku shkonin shkresat të shkruara me dorë ose thuhej me gojë dhe ishin tre punonjëse që shkruanin në tre makina të lodhura, që tek shkronja ë, e cila ishte sajuar me forca të brendshme sepse makina origjinale nuk e kishte, makina që bënte ë bënte vrima. Unë kisha kujtime të freskëta nga një ekspozitë në Gjermani në një qendër kulture ku kishin ardhur kompjuterë që Deutche Bank i nxirrte jashtë përdorimit dhe ia falte qendrave të kulturës që nuk kishin. Unë i shkrova një letër drejtorit të bankës dhe i thashë që nëse do të ishte mundësia të na jepnin edhe ne disa kompjuterë. Më pas na kontaktoi Ambasada Gjermane dhe na sollën disa kompjuterë. Në atë kohë ajo letër përfundoi në murin e drejtorit të bankës sepse ishte e paimagjinueshme”, tha ai.