
Kryeministri Edi Rama në takimin përmbyllës në Elbasan tha se Flamuri kombëtar duhet pasur parasysh më 14 Maj. “Këtë flamur kemi arritur ta vendosim për herë të parë në historinë e kombeve në tryezën e Këshillit të Sigurimit ku Shqipëria është bashkë me një numër të vogël vendesh që janë fuqi të mëdha dhe ku Shqipëria ka zërin e saj edhe sot që flasim. Këtë flamur e bëmë flamurin e Presidencës së OSBE-së, që është një organizatë që shtrihet nga Kanadaja deri në Rusi”, tha Rama.
Teksa u ka bërë thirrje që të votojnë për kandidatin e PS, Gledian Llatja, kryeministri Rama theksoi edhe se kandidatët të cilët përfaqësojnë Metën dhe Berishën kanë qëllimin vetëm për të mbajtur peng bashkitë. Ndërsa u shpreh i bindur për fitoren e PS në shumicën e bashkive, Rama tha se do vijojnë investimet dhe projektet e propozuara, dhe nga ana tjetër ambiciet e Metës dhe Berishës për të fituar do zvogëlohen gjithmonë e më shumë.
“Një gjë është e sigurtë pas 14 majit, të nesërmen fitorja e kryetarëve tanë të bashkive do jetë gjëja më e mirë që mund t’u ndodhë jo vetëm socialistëve. Qytetet do pastrohen, do vazhdojnë punën. Do vazhdojmë gjithë projektet e mëdha, do shtojmë numrin e turistëve që vijnë në këtë zonë, ku më parë nuk bëhej fjalë për turistë. Dhe non grata bashkë me florinin do shohin që do u zvogëlohen ambiciet. Dhe drejtësia që ka vonuar aq shumë për ta, çdo ditë e më shumë ka më pak shanse për të harruar”,-tha Rama.
