Rama në Durrës: Projekti i Parkut linear Urban në Spitallë, një oaz i gjelbër
Kryeministri Edi Rama ishte sot në zonën e Spitallës në Durrës, ku po merr jetë projekti i Parkut linear Urban. Projekti i Parkut linear Urban në Spitallë, do të jetë një hapësirë rekreative që do të vihet në shërbim të qytetarëve e turistëve të shumtë, me gjelbërim të shtuar, zonë për këmbësorët, pistë biçikletash, terrene sportive dhe kënde të posaçme për fëmijët.
Kreu i PS në këtë inspektim shoqërohej nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, si edhe nga kryeinxhinieri i punimeve. Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, tha se Parku linear Urban është gati 1,3 kilometra i gjatë. Ajo shtoi se është një investim shumë i rëndësishëm për banorët e zonës.
”Është një projekt që ka pak kohë që ka nisur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Para dy vitesh kur bëmë ndërtimin e hidrovorit të ri, mbyllëm një pjesë të madhe të kanalit të ujërave të larta, i cili ka qenë aktiv që para ’90-s. Por duke qenë se kjo ishte një zonë informale, ishte bërë e pamundur jetesa prej gjendjes që kishte kanali i ujërave të larta ku ishin përzierë edhe ujërat e tjera. Pasi përfunduam atë investim, aplikuam për këtë projekt. E kemi konceptuar që të kthehet në një park linear urban. Do të kemi hapësira rekreative, gjelbërim, disa terrene sportive”, tha Sako.
KOHA JONË SONDAZH

