Rama në Tv Italian La 7: Në 1997 më sulmuan njerzit e ShIK-ut
Kryeministri Edi Rama ka qenë këtë të mërkurë në ora 22 00 i ftuar në emisionin “le Invasioni barbariche”në televizionin alternativ “La 7”. Duke folur për vitin e largët 1997 dhe rënien e piramidave, Edi Rama ka kujtuar edhe njëherë momentin e plagosjes së tij nga njerëz të panjohur. “Në atë kohë unë isha një intelektual i pavarur që përpiqesha ta bëja të mendonte regjimin e atëhershëm. Ne po përgatisnim një peticion për largimin e kryeministrit të kohës. Pikërisht në këtë periudhë ndodhi goditja me levë ndaj meje. Ishte shërbimi sekret i asaj kohe që më plagosi”, ka thënë Rama ndonëse as autorët e atij krimi as dhe motivet e tij nuk janë zbardhur kurrë.
Ne dhe italianët
Por më pas kryeministri vazhdoi se që nga ajo periudhë në Shqipëri ka rrjedhur shumë ujë. Pasi foli për atë periudhë të rinisë së tij kur mund të përfundoje në burg vetëm se mund të dëgjoje Adriano Celentanon, ai tregoi se kishte takuar kohë më parë regjizorin e filmit të famshëm “Lamerica”, Xhani Amelio që nëse atëhere kishte pasqyruar eksodin biblik të Shqipëtarëve, tani po mendonte të bënte një film për italianët që vijnë të punojnë në Shqipëri. Janë pothuajse 20 mijë italianë që punojnë në vendin tim tha Rama duke e mbyllur intervistën e tij edhe me një batutë në momentin kur gazetarja e pyeti për Agon Channel: “Nëse Simona Ventura vjen të punojë në Shqiperi, kjo do të thotë që ishulli i të famshëmve tani jemi ne”.
Emigrantët
“Shqiptarët janë si italianët, por ne nuk jemi të veshur me Versaçe” – i tha Rama gazetares Daria Bignardi. Duke folur për shqiptarët e fillimit të viteve ’90, i ngacmuar nga drejtuesja e emisionit, ai ka bërë një krahasim me italianët e fillimviteve 1900, që shkonin në Amerikë: “Siç ishin edhe gjyshërit tuaj në Amerikë. Klisheja: Italianët, pica e mafia kanë zgjatur prej vitesh e vitesh në Amerikë”.Emigrantwt
« Gafa » e vendit pa sindikata
Pjesa më e nxehtë e intervistës ka qenë ajo kur gazetarja e pyeti për shprehjen e famshme që kryeministri shqiptar tha me rastin e vizitës së homologut të tij Renzi në Tiranë. Se italianët mund të vijnë në Shqipëri sepse këtu kostoja e fuqisë punëtore, dhe taksat janë më të ulëta, por sidomos sepse këtu nuk ka sindikata që të mërzisin.
-Një deklaratë e fortë për një kryeministër socialist e pyeti gazetarja. Por kryeministri shqiptar u mundua të justifikohet duke thënë se kushtet e Shqipërisë janë të ndryshme nga ato të Italisë. Ironia e gazetares nuk përfundoi me kaq, kur Rama mbaroi ftesën e tij për investitorët italianë ajo i tha : « mos na i merr të gjithë, na lër ndonjë edhe këtu »
Krahasimi me homologun Mateo Renzi
Gazetarja e ka pyetur Edi Ramën për trajektoren e tij të përbashkët me kryeministrin italian Renzi, pasi në karrirën e të dyve ka shumë ngjashmëri. «Unë arrita të bëhem para tij kryeministër, bëra dhe një qeveri me aq gra sa nuk kishin pasur bashkë të gjithë qeveritë shqiptare- tha Rama duke vazhduar shakanë me mikun e tij. Vërtet Mateo u bë pas meje kryeministër por ai bëri ministre gra shumë më tepër se unë ».