Rama: Një Agjenci Kombëtare për planifikimin e qëndrueshëm dhe aksesin në banesa të përballueshme
Qeveria krijon Agjencinë Kombëtare të Planifikimit, Zhvillimit Urban dhe Strehimit – një strukturë e re për planifikimin e qëndrueshëm dhe aksesin në banesa të përballueshme
Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e punës për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, Zhvillimit Urban dhe Strehimit, një institucion i ri që synon të përqendrojë dhe koordinojë politikat shtetërore në fushën e planifikimit urban, strehimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.
Në podkastin e tij “Flasim”, në rubrikën “Shënimet e javës”, Rama e cilësoi këtë nismë si një hap domethënës në modernizimin e qasjes shtetërore ndaj zhvillimit urban dhe politikave sociale të strehimit, duke theksuar se agjencia do të adresojë një sërë problematikash që lidhen me cilësinë e jetesës në qytete.
“Kjo agjenci do të merret me rritjen e cilësisë së investimeve në fushën e strehimit social, si dhe me krijimin e mundësive për banesa nën çmimet e tregut për kategori të ndryshme shoqërore”, – deklaroi Kryeministri.
Një nga prioritetet e agjencisë do të jetë fuqizimi i kapaciteteve vendore në planifikimin urbanistik, duke i ndihmuar bashkitë të hartojnë plane zhvillimi të integruara dhe afatgjata. Gjithashtu, ajo do të lehtësojë proceset e zhvillimit urban, duke ulur burokracitë dhe duke garantuar që ndërtimi të ecë në harmoni me mjedisin dhe nevojat reale të komuniteteve.
Rama shtoi se në kuadër të kësaj strukture do të menaxhohet edhe “Fondi i Gjelbër”, një mekanizëm i ri që do të financohet përmes kontributeve të detyrueshme të ndërtuesve, të cilët, sipas ndryshimeve të fundit ligjore, duhet të kontribuojnë në raport me metrat katrorë të ndërtimit.
“Ky fond do të krijohet me kontributet në pemë, që janë detyrim i ndërtuesve në raport me sipërfaqen e ndërtimit. Kështu, çdo ndërtim do të ketë një kontribut konkret për mjedisin dhe gjelbërimin urban”, – shtoi Rama.
Agjencia e re do të ketë një mandat të gjerë dhe strategjik, që përfshin:
Hartimin e politikave kombëtare të strehimit, me theks te strehimi social dhe banesat me qira të subvencionuara;
Koordinimin e projekteve të zhvillimit urban me fokus në cilësinë e jetesës, hapësirat publike dhe gjelbërimin;
Nxitjen e ndërtimit të qëndrueshëm, në përputhje me standardet më të mira mjedisore dhe energjetike;
Rritjen e aksesit në strehim për shtresat e mesme dhe ato në nevojë, duke ndërthurur politika sociale me mekanizma tregu.
Kjo nismë vjen në një moment kur rritja e çmimeve të banesave dhe dendësia e ndërtimit urban janë kthyer në sfida të mëdha për qytetet shqiptare, veçanërisht Tiranën. Përmes kësaj agjencie, qeveria synon të krijojë një vizion të ri për zhvillimin e qyteteve shqiptare – të planifikuara, të gjelbra dhe të aksesueshme për të gjithë.
Në thelb, Agjencia Kombëtare e Planifikimit, Zhvillimit Urban dhe Strehimit pritet të jetë urë midis zhvillimit ekonomik dhe drejtësisë sociale, duke ndërtuar një model të ri urbanizimi që vendos qytetarin, mjedisin dhe dinjitetin e jetesës në qendër të politikave publike.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

