Rama për ‘France 24’: Në Maqedoni s’ka minoritet, por një etni shqiptare
Gjatë vizitës në Paris, Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “France 24” ku ka folur për situatën politike në Shqipëri por edhe atë në rajon.
I pyetur për reformën në drejtësi dhe kundërshtimet e opozitës, kreu i qeverisë tha se kjo është një situatë paradoksale dhe se kemi ardhur në pjesën më të vështirë të zbatimit të saj.
“Në fakt është disi paradoksale, rrallë ndodh që një qeveri të përcaktohet për një reformë radikale në drejtësi shumë të rëndësishme siç e thatë ju dhe të lidhur me korrupsionin në nivele të larta dhe opozita të jetë kundër. Është një reformë që e kemi nisur në harmoni me misionin e drejtësisë së BE-së dhe atë të SHBA-së, të mbështetur me shumë ekspertë dhe eksperienca në gjirin e BE për reforma të tilla në vende të tjera që kanë dalë nga komunizmi dhe pasi kemi bërë ndryshime edhe në Kushtetutë për një drejtësi të pavarur në Shqipëri kemi ardhur tek pjesa më të vështirë për t’u gëlltitur për fat të keq nga disa, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Rama.
Për sa i përket akuzave të opozitës se qeveria do të kapë drejtësinë, kryeministri u shpreh: “Jo, nuk besoj se BE dhe SHBA si partnerë strategjikë të Shqipërisë do kishin pranuar një reformë apo cili do qoftë që do të vinte dorë mbi drejtësinë. Pastaj me ndryshimet në Kushtetutë dhe në legjislacion opozita zgjedh 50% për komisionet e kontrollit që janë një filtër shumë-shumë i imët për gjyqtarët e prokurorët që duhet të justifikojnë veprimet e dënueshme që kanë bërë gjatë karrierës së tyre. Është një strukturë shqiptare nën monitorimin e gjykatësve dhe prokurorëve europian dhe amerikan”.Rama-fb2
Ndërsa për protestën e opozitës, Rama tha se Shqipëria është një vend me demokraci të re dhe ka ende për të mësuar.
“Unë mund t’ju them vetëm se jemi një demokraci e re dhe kemi ende për të mësuar dhe për të ngritur instrumente për një komunikim normal midis njerëzve dhe partive politike, pa asgjë dramatike”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës për “France 24” ka komentuar edhe situatën në rajon, ku ka vlerësuar se Ballkani nuk është një fuqi baruti për Europën.
Më tej gjatë intervistës, Rama ka theksuar se shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet siç i cilësoi ajo, por një etni që përbëjnë 35% të popullsisë.
“Në Maqedoni nuk ka minoritet shqiptar, ka etnicitet shqiptar, ka më shumë 35 % shqiptarë në Maqedoni. E vetmja gjë që duhet të bëjë Maqedonia është “Marrëveshja e Ohrit” e nënshkruar në udhëheqjen euroamerikane”, u shpreh Rama.
Duke e cilësuar të rëndësishëm integrimin e rajonit dhe të Shqipërisë në BE, Rama iu përgjigj pyetjes se nëse mendon se 27 vendet anëtare të BE janë lodhur me anëtarësime dhe do të mbyllin portat? “Nuk ka alternativë tjetër veç anëtarësimit”, u përgjigj Rama.
KOHA JONË SONDAZH

