Rama poston fotot: Hapësirë memoriale multifunksionale në vendlindjen e Fishtës

Në Fishtë të Lezhës, në vendlindjen e At Gjergj Fishtës, ka hapur dyert një qendër e re kulturore dhe rekreative që i dedikohet jo vetëm kujtesës, por edhe jetës së gjallë të shpirtit krijues.
Qendra kulturore dhe rekreative përfshin hapësira të dedikuara për rezidenca artistike, sesione krijimtarie dhe ekspozime të artistëve vendas e të huaj. Kryeministri Edi Rama ka postuar fotot nga hapësira memoriale multifunksionale në Lezhë, ku ka lindur At Gjergj Fishta.
Qendra kulturore dhe rekreative është e lidhur përmes një rruge këmbësore me shtëpinë ku ka jetuar At Gjergj Fishta, e cila është restauruar dhe është e hapur për vizitorët. Investimi vjen pjesë e itinerarit Fishtian i cili përfshin vendet ku ka jetuar dhe shërbyer At Gjergj Fishta dhe shërben si një ftesë për të zbuluar jetën dhe veprën e tij.
Projekti i itinerarit “Gjurmët Fishtiane” përfshin restaurimin e Urës së Mesit, ndriçimin e kalave të Durrësit dhe të Lezhës, muzealizimin e banesës ku Gjergj Fishta ka kaluar vitet e para te jetës si dhe ndërtimin e Hapësirës Memoriale ku besohet se ka lindur Gjergj Fishta në vendlindjen e tij.