Rama-Presidentit të Ukrainës: Do të japim kontributin tonë modest në Konferencën e Donatorëve
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalë të shkurtër pas mesazhit të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Kuvendin e Shqipërisë, ku tha se mbështetja për rezistencën e Ukrainës është një nga rastet në Shqipëri ku të gjitha palët kanë rënë dakord, paçka se Kuvendi nuk shquhet për shpirtin e dakordësisë. Kreu i qeverisë pohoi edhe se Shqipëria dhe Kosova janë rreshtuar krah Ukrainës, dhe se vendi ynë do të japë kontributin në Konferencën e Donatorëve të thirrur nga Polonia për Ukrainën.
Fjala e kryeministrit Edi Rama
Ky Parlament që sot ka nderin të mblidhet t’u dëgjojë, nuk shquhet për shpirtin e dakordësisë mes palëve. Janë shumë të rralla në tridhjetë vjet pluralizëm, rastet kur në këtë parlament palët kanë rënë dakord dhe mbështetja, megjithë mend e megjithë zemër, e rezistencës ukrainase ndaj pushtuesve rusë, është një nga ato raste, edhe më të rralla, kur të gjithë ne këtu, kemi qenë dakord pa bërë as më të voglin diskutim.
Qysh prej orës së parë të agresionit mbi Ukrainën, jo vetëm ne, po krejt Shqipëria, të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, i gjithë kombi ynë, përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, jemi rreshtuar krah jush, me zemër, me mendje, e me çdo gjë kemi mundur. Shqipëria është një vend shumë më i vogël se sa Ukraina zoti President. Mundësitë tona për t’ju ardhur në ndihmë janë krejt modeste, krahasuar me madhësinë marramendëse të sfidës suaj.
Por, ne kemi besuar qysh në fillim, se nëse në aspektin e mbështetjes material, vendi ynë nuk mund të bëjë asnjë diferencë në këtë luftë, Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, qoftë në tryezën e NATO-s, qoftë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi pasur nderin të jemi edhe bashkënismëtarë të disa qëndrimeve domethënëse kundër agresionit rus. Pasnesër, më 5 maj, Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në Konferencën e Donatorëve, për Ukrainën të thirrur nga Polonia në Varshavë, ku do të japim edhe ne kontributin tonë modest.
Edhe pse mizorinë e kësaj lufte nuk mundet ta perceptojë sa e si duhet askush tjetër, përveç popullit ukrainas, më lejoni t’ju them i nderuar President Zelensky, se historia jonë e afërt, kur gjysëm milionë shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik, nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri, na ndihmon sidoqoftë të ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës.
Ndarja e nënave e fëmijëve nga baballarët që qëndrojnë për të luftuar, mobilizimi i vajzave që marrin armët për të rezistuar, qëndresa juaj e palëkundur në krye të shtetit që nuk pranon të dorëzojë liritë e fituara, të gjitha pamjet e dëshmitë e kësaj tragjedie të paimagjinueshme deri ditën e hyrjes së trupave ruse në territorin sovran të Ukrainës, janë përveçse sakrifica ekstreme e një populli liridashës edhe një shërbim i paçmuar, që ju dhe vendi juaj po i bëni të gjithë botës deri dje të përgjumur demokratike.
I dashur miku ynë Presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre. “Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!”, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë.
Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet.
Unë dhe të gjithë ne këtu do të donim t’ju thoshim sot shumë gjëra, por ju keni me siguri shumë gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë i nderuar President, kështu që lejomëni ta mbyll këtë fjalë, duke ju shprehur në emër të Shqipërisë e të shqiptarëve, të gjithë mbështetjen, respektin dhe miqësinë tonë. Zoti qoftë me ju dhe me Ukrainën heroike.