Rama prezanton Diellën, zadrimoren e Inteligjencës Artificiale, që do të shërbejë në e-Albania. Po a është Diella e Vainit në Lezhë motivi real?!
Albert Vataj
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur qytetarët këtë të diel me një urim të veçantë dhe një njoftim të rëndësishëm për të ardhmen e shërbimeve digjitale në Shqipëri. Ai ka prezantuar Diellën, ndihmësen e re zadrimore, e cila është krijuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Diella, që është produkt i fundit i Inteligjencës Artificiale nga inkubatori i AKSHI-t, pritet të revolucionarizojë ndërveprimin e qytetarëve me platformën e-Albania. Për disa muaj, Diella do të jetë gati të ndihmojë përdoruesit jo vetëm në navigimin dhe asistimin në platformë, por edhe në realizimin e shërbimeve me një lutje të vetme.
Kryeministri Rama ka theksuar se ky projekt shënon një hap të madh drejt dixhitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve publike, duke lehtësuar aksesin dhe efikasitetin për qytetarët shqiptarë.
Me prezantimin e Diellës, Shqipëria përforcon rolin e saj si një nga vendet e rajonit që po përqafon teknologjinë dhe inteligjencën artificiale në shërbim të publikut.
Pritet që ky projekt të sjellë një epokë të re në shërbimet digjitale, duke ndërtuar një lidhje më të thjeshtë dhe efikase mes qytetarëve dhe administratës publike.
Në urimin e tij, Kryeministri Rama ka përcjellë mesazhin: “MIRËMËNGJES dhe një të diel të qetë me Diellën, ndihmësen tuaj zadrimore që shumë shpejt do të jetë në dispozicionin tuaj në e-Albania!”.
A jeni gati për të përfituar nga ndihma e parë virtuale shqiptare? Koha do ta tregojë suksesin e këtij inovacioni të rëndësishëm.
Zgjedhja e zadrimores, e përfaqësuar nga Diella nuk është një rastësi, por duhet të jetë një vendim i mirëmenduar me disa arsye simbolike dhe praktike, ku padyshim merret në konsideratë autenticiteti dhe unikja e karakteristikave që përfaqësojnë këtë zonë të madhe në shtrirje dhe të larmishme në prezantimin dhe pasurimin e traditës sonë etnografike. Dihet se Zadrima është një zonë kryesisht rurale, dhe përfshirja e saj si identitet për Diellën mund të simbolizojë përpjekjet për të sjellë teknologjinë dhe zhvillimin edhe në zonat më pak të urbanizuara të Shqipërisë, duke promovuar barazinë dixhitale.
Gjithashtu, Zadrima, një zonë me tradita të pasura kulturore dhe historike, përfaqëson një pjesë autentike të trashëgimisë shqiptare. Përdorimi i identitetit “zadrimore” për Diellën është një mënyrë për të theksuar rrënjët shqiptare të këtij projekti inovativ dhe për të krijuar një lidhje emocionale me përdoruesit duke e bërë atë më të afërt dhe më familjare.
Emri dhe identiteti “zadrimore” i japin Diellës një personalitet unik, i cili e dallon atë nga asistentët e zakonshëm virtualë. Kjo personalizim mund të ndihmojë në krijimin e një marrëdhënieje më të mirë mes përdoruesve dhe teknologjisë, sikurse edhe promovimin e vlerave etnografike, kësaj pasurie të bollshme dhe të larmishme të kulturës shqiptare.
Përzgjedhja e një identiteti lokal si “zadrimore” patjetër që të jetë pjesë e një strategjie për të promovuar platformën e-Albania dhe Diellën si produkte autentike shqiptare, duke krijuar një markë të fortë që lidhet ngushtë me kulturën dhe vlerat kombëtare.
Por “Diella” si produkt i fundit i Inteligjencës Artificiale nga inkubatori i AKSHI-it duket se e ka motivin nga Diella e restorantit në Vaine në bregdetin e Lezhës. Diella e famshme e restorantit është një ikonë që frymëzon poetë, por edhe shefa shtetesh.
KOHA JONË SONDAZH

