Rama reagon ndaj Athinës: E folura greqisht në Himarë nuk e bën atë greke

Kryeministri Rama në foltoren e Kuvendit folir sot lidhur me reagimet e Athinës për prishjen e objekteve në Himarë. Rama e quajti praktikë rutinë prishjen e 12 ndërtimeve pa leje dhe 6 ngrenave në proces legalizimi për të angazhuar një shtet fqinj.
“Projekti ynë në Himarë detyron prishjen e vetëm 18 objekteve, që kryesisht janë lavazhe, kioska, magazina të vjetra apo rrënoja shtëpish të dikurshme. Nga këto, vetëm për 6 objekte duhet iniciuar procedura ligjore e shpronësimit, një shifër mikroskopike me shpronësimet që janë bërë në mbarë vendin”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ky është një plan që mbështetet nga komuniteti himariot dhe rrjedhimisht nuk ka vend për problem.

“Ai që na shfaqet nëpër këmbë si ëndërr e keqe nuk e kupton se si për kaq godina mund të angazhojë një shtet fqinj, që angazhon politikanët e tij, gazetat dhe portalet që nxjerrin tym fabrikash të antikitetit nacional-populist, për të nxirë Shqipërinë. Por, pa e nxjerrë faktin se shumë ka dhënë e ka marrë Shqipëria në historinë e vetë në atë vend mahnitës që quhet Greqi”, ka thënë Rama.

Kryeministri i ka cilësuar të pakuptimtë reagimin e politikanëve grekë ndaj deklaratës së tij për Akropolin.

“Çfarë thash unë që u bë aq e madhe në Greqi? Pse fqinjëve tanë të dashur nuk u erdhi mirë nga citimi i Gjergj Dushanit? Momentet fatlume të historisë bënë që ai të gjendej në kohën dhe në vendin e duhur për të shpëtuar Akropolin nga bombardimi i flotës veneciane. Këtë nuk e them unë, nuk ka historian serioz që nuk e shkruan”, ka thënë Rama.

Sipas tij, kjo duhet t’i shërbejë fqinjësisë së mirë dhe jo polemikave.

“Pse duhet të mërizten fqinjët tanë kur unë them se në një periudhë të caktuar në Athinë flitej shqip? Kur mua nuk më vjen keq fare kur thuhet se në Himarë flitet greqisht. Këto nuk do ta bëjnë kurrë Athinën një qytet shqiptar dhe as Himarën kurrë një qytet grek”, ka vijuar Rama.

Kryeministri i ka dhënë përgjigje edhe argumentit të pritjes së emigrantëve shqiptarë në shtetin helen. “Grekët pritën qindra mijëra shqiptarë, pavarësisht politikës ndaj shqiptarëve në vitet ‘90, por edhe shqiptarët mbajtën me bukë grekët gjatë luftës italo-greke”, ka thënë Rama.

Ai i ka quajtur të pavërteta deklaratat se, në Himarë po u preken pronat qytetarëve që janë deklaruar grekë. “Këtu bëhet fjalë për shtetas shqiptarë që jetojnë në truallin e tyre prej brezash, që janë detyruar të emigrojnë në vendin fqinj”, ka shtuar Rama.

“Unë jam gati t’i përgjigjem cdo ftese të fqinjëve tanë për t’i lënë pas sherrnajat historike dhe ta kthejmë mbrojtjen e komuniteteve një përparësi, si reforma në drejtësi”, ka thënë më tej Rama.

“Pse fqinjëve tanë që nuk u erdhi mirë që në një postim miqësor unë përmend Gjergj Dushmanin? Unë nuk mërzitem fare kur më thonë se në Himarë flitet sot greqisht dhe as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinë qytet shqiptar, dhe as e folura greqisht në Himarë nuk ka për ta bërë kurrë qytet grek”.

SHKARKO APP