Rama: Rritja e pagave dhe pensioneve, më e larta në 25 vjet
Shishtaveci i Kukësit ishte ndalesa e radhës që Kryeministri Edi Rama bëri për të biseduar me fermerët gjatë ditës së sotme. Ai e nisi fjalën e tij duke shigjetuar paraardhësin Sali Berisha, duke thënë se priste shirita për të ngjallur besim, por tha se asnjë rrugë nuk ka përfunduar dhe se borxhet kryesore të gjetura, 720 milionë dollarë ishin vetëm për rrugët.
Në vijim Rama shtoi se qeveria aktuale nuk ka hapur kilometra të reja, por po përfundon kilometra të tëra rrugë të nisura, duke thënë se kjo ka ndodhur pasi janë shlyer borxhet e kompanive dhe sipas tij, nëse nuk do ishin pasur ato borxhe do ishin ndërtuar tre herë më shumë rrugë.
Në këtë linjë ai tha se për përfundimin e atyre rrugëve ka ende nevojë për para, si dhe deklaroi se u ul taksa e pagës, pasi më parë tha ai një kamerier në raport me rrogën paguante taksë më të lartë se pronari i lokalit.
“Sot jemi gati të bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh duke shtuar nga buxheti i shtetit në buxhetin e familjeve 100 milionë dollarë, e cila është shuma më e madhe që një qeveri në 25 vjet ka nxjerrë nga buxheti si fond për pagat dhe që nga 1 marsi do shkojnë në buxhetet familjare. Janë edhe 440 milionë dollarë që vazhdojnë shkojnë nga buxheti si pasojë e taksave të ulëta për gjithë ata që kanë paga minimale, para që mund të kishin përfunduar për të hapur rrugë të reja, por ka një ekuilibër. Absolutisht rrugët sjellin zhvillim, por njerëzit nuk janë duke jetuar me rroga të tilla që të përpëliten deri sa të vijojë zhvillimi”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se me rritjen e rrogave u jepet qytetarëve një frymëmarrje më shumë, duke u rritur pagat me 550 milionë dollarë në katër vjet. Kryeministri tha se në tetë vjet qeveria e mëparshme nxori nga buxheti për rroga 124 milionë dollarë, pa llogaritur tha ai 10% taksë dhe se qeveria aktuale ka një taksë shumë të ulët poshtë dhe që shkon duke u rritur lartë.
Ndërsa për pagën minimale detajoi se do rritet rroga me 35% duke bërë sipas tij që vitin e ardhshëm, rroga më e ulët në shtet do jetë më e larta në rajon vitin e ardhshëm. Sipas tij nëse do ishte dhënë pronësia e tokës, sot do kishte tokë që shitej e blihej dhe se nuk do ishte mendësia për të ikur në qytet, por se do zhvillonin pronën e tyre.
Rama tha se u bënë tetë ligje për pronën dhe prona sipas tij sa erdhi u bë “lesh e li” më e madhe, duke thënë se në 25 vjet, janë shënuar 8 mijë vrasje për pronën për faj të shtetit, për të cilin tha se kishte në dorë gjithçka. Sipas tij, ata që deri dje ishin në qeveri nuk bënë asgjë. Ai tha se reformat kanë dhimbje dhe kosto, por kur duhet kuruar sëmundjet duhen ilaçe deklaroi Rama, duke nënvizuar se jo kushdo është në gjendje të përballojë dhimbjen.
KOHA JONË SONDAZH

