Rama shkon në Dibër dhe flet për kursimet e emigrantëve: Nuk është një vendim i lehtë…
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Dibër në një takim me qytetarët ku u fol për nismën e Këshillimit Kombëtar. Kreu i qeverisë veçoi një nga pyetjet që u bëhet qytetarëve në këtë nismë, siç është ajo për kursimet e emigrantëve.
Në fjalën e tij Rama tha:
Ka të tjerë që thonë që këshillimi kombëtar është një nismë propagandistike se opinioni i qytetarëve nuk i intereson qeverisë. Por për çfarë arsye do duhet ta ndërmerrnim këtë nismë e të harxhonim kaq shumë kohë, energji, nëse nuk do donim të dëgjonim?
Me rëndësi është kursimet e emigrantëve.
Të gjithë ne kemi miq shokë të afërm që janë emigrantë. E dimë mirë historinë e emigracionit shqiptar, përpjekjet për të fituar duke punuar e për të kursyer për të ndihmuar familjet. Ka shumë kursime të emigrantëve që s’janë të formalizuara, që janë kursime nga puna në të zezë, nga lloj-lloj punësh shumë të vështira që nuk mund të depozitohen në banka as në vendet ku emigrantët janë e as këtu se procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime përmes dokumenteve dhe të vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e të ardhurave, këtu flasim për burim nga puna jo nga aktivitetet kriminale se këto kjo vendimmmarrje i përjashton.
Nuk është një vendim i lehtë, ndaj pyesim njerëzit a duhet ti japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna? Ne do e marrim vendimin bazuar në atë që do na thonë qytetarët.