Rama: Shqiptarëve s’u ka dalë mirë kur kanë votuar doktor
Kryeministri Edi Rama këshilloi kryebashkiakun e ri të Kolonjës që të paktën t’u qajë hallet njerëzve edhe nëse nuk ua zgjidh dot.
Kryeministri tha se shqiptarëve nuk u ka dalë mirë gjithmonë duke votuar doktorë, ndërsa këshilloi kryebashkiakun e ri që vjen nga radhët e mjekëve që të paktën të japë kontribut për të gjithë kolegët e vet.
“Shqiptarëve nuk u ka dalë mirë gjithmonë kur kanë votuar për doktorë. Unë shpresoj që Ilia të japë një kontribut për gjithë kolegët e vet. Janë të mirë shumë kur veshin bluzën e bardhë, por kur marrin votën bëhen edhe gogolë.
Ilia një gjë dua të të them; do të bësh aq sa ke mundësi, ndonjëherë nuk do të kesh mundësi të bësh atë që dëshiron, por e para gjë që duhet ta kesh këtu (në zemër dhe në tru), çdo ditë kur del nga shtëpia, është ajo thënia e popullit, nëse hallin nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj”, tha Rama.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me qytetarë të Kolonjës, pas fitores së kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e së dielës për kryetar Bashkie:
Mirëmbrëma! Me shumë respekt më lejoni t’ju them që në fillim një Faleminderit shumë të madh për mbështetjen e jashtëzakonshme, për votën bindëse dhe për borxhin ku na futët me këtë votë. Ashtu është e vërteta, sepse fitorja është e bukur në zgjedhje vetëm në pjesën kur numërohen kutitë njëra pas tjetrës. Kur numërimi mbaron dhe ke fituar, fillon borxhi. Ndaj Kolonjës ne kemi një borxh edhe më të madh seç e kishim, – se në fakt nuk është se ishim pa borxhe, pasi e dimë mirë që gjithë vështirësitë e pasojat që ka sjellë braktisja e Kolonjës nga ana e qeverisë ndër vite ka hapur shumë plagë këtu, – por pas të dielës së shkuar ne jemi vërtet në një borxh edhe më të madh, për të cilin jemi, ju siguroj, shumë të vetëdijshëm.
Erdhëm këtu sot, menjëherë, që jo vetëm t’ju falënderojmë, por edhe t’ju bëj me dije se do të bëjmë për Kolonjën gjithçka që ne kemi mundësi, në mënyrë që ndryshimi të shkojë kudo dhe të gjitha familjet, jo vetëm në qytet, por edhe në fshat dhe jo vetëm në fshatrat pranë qytetit, por edhe në fshatrat e largët ta ndjejnë, ta prekin rezultatin e kësaj vote kaq domethënëse për Ilian dhe për Aleancën për Shqipërinë Europiane.
Unë iu jam mirënjohës të gjithë atyre që bashkë me Ilian kontribuuan në këtë fitore.
Pa diskutim, respekt për heroinën e Partisë Socialiste në Kolonjë, Artën, e cila e meriton titullin, jo vetëm se grindet me mua shpesh, por edhe sepse shumë shpesh vazhdon e bën me durim të madh rrugën të cilën ne patjetër do ta mbarojmë një orë e më parë, në mënyrë që lidhja e kësaj zone të mrekullueshme me pjesën e Korçës, që tani duket edhe më e përkëdhelur seç dukej deri ditën e shtunë me gjithë ato investime që ka marrë, të bëhet e thjeshtë dhe e shpejtë.
Dua patjetër që të falënderoj mikun tim të shtrenjtë dhe bashkëpunëtorin tim të ngushtë, Niko Peleshin, të cilit i thashë mbasi mbaroi numërimi: “kjo është gjë e madhe që u bë. Natyrisht do bëjmë sa më shumë për Kolonjën, por edhe ndonjë gjë Korçës do ia heqim që t’ia japim Kolonjës”, sepse edhe Ilia kur shkonte në fushatë më thanë që thoshte: “kam ardhur me Nikon, se ky i ka paratë”.
Dua të falënderoj edhe të tjerët, pa diskutim, të dy Ilirët që vërtet kanë bërë një punë shumë të mirë. Dua të falënderoj Arditin, i cili, po ashtu ka bërë një punë shumë të mirë, Gëzimin, Tomin dhe gjithë strukturën fantastike të Partisë Socialiste të Kolonjës.
Por patjetër që dua të falënderoj edhe partnerët tanë të koalicionit. Klajda ka ardhur edhe në takimet e mëdha që kemi bërë jashtë. Sot nuk është në Shqipëri. Po realisht një falënderim vërtet i merituar, sepse janë treguar shumë bashkëpunues, janë treguar shumë luajal dhe mbi të gjitha, janë treguar kolonjarë.
Më vjen keq që ata të cilët ishin përballë nesh e morën këtë mundim. Por, ajo që dua t’ju them sot është se, herës tjetër, kur ta marrin këtë mundim do t’i mundim edhe më thellë. Do t’i mundim edhe më thellë sepse, pavarësisht faktit që ne sado që të bëjmë nuk shlyhemi kurrë me ata që na kanë besuar, pasi nevojat e tyre janë të pafundme, në fund të ditës, edhe në fshatin më të largët, ku asnjë ndryshim ende s’ka ndodhur, jo prej 3 vjetësh, po prej 100 vjetësh, njerëzit nuk mund të merren për budallenj, njerëzit nuk mund të tërhiqen prej hunde dhe njerëzve nuk mund t’iu shiten broçkulla për t’iu marrë votën dhe mbështetjen e tyre.
Shitësit e broçkullave e morën edhe një mësim tjetër. Nuk do zënë mend, se i kanë marrë disa mësime me radhë dhe mend nuk kanë zënë. Kur të vijnë këtu në qershor dhe në të gjithë Shqipërinë, do marrin një mësim edhe më të madh, pasi Shqipëria ka nevojë për të gjithë. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për qeverinë. Shqipëria ka nevojë dhe për opozitën. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm që qeveria të punojë edhe më mirë, sepse qeveria jo vetëm që nuk është e pagabueshme, por mund të bëjë edhe shumë më tepër se çka bërë. Por Shqipëria ka nevojë për opozitën, pikërisht sepse një opozitë që bën detyrën e saj me respekt dhe jo duke u tallur me njerëzit, duke i përfaqësuar në hallet, shqetësimet, dëshirat dhe ëndrrat e tyre dhe jo duke iu tundur përditë e përditë dordolecët e frikës përpara, bën që njerëzit, edhe atëherë kur mund të kenë 1001 kritika dhe 1001 mërzira me qeverinë, ta ndëshkojnë opozitën, pikërisht sepse nuk është zëdhënëse e shqetësimeve të tyre, por është vetëm zëdhënëse e dëshpërimit të vet në një përpjekje të tërbuar vetëm e vetëm për pushtet dhe për asgjë tjetër.
Në 3 vjet e pak ne kemi bërë shumë, por askujt mos i shkojë mendja se ne të parët nuk e dimë që nuk është mjaft. Nuk mjafton. Duhet bërë ende shumë më tepër. Ne jemi të vetëdijshëm se njerëzve në shumë vende, veçanërisht në zonat e fshatit u ka ardhur shpirti në majë të hundës 20 e kusur vite duke votuar, duke pritur e duke mos arritur ta shikojnë atë për të cilën kanë votuar.
Kemi bërë gjithçka kemi mundur. Patjetër, kemi bërë dhe gabime, por nuk mund dot në 3 vjet e pak të bëhet për së mbari ajo që në 20 e kusur vite është bërë së prapthi. Ne e dimë shumë mirë që është e vërtetë që nga një ekonomi që rritej midis zeros dhe 1-shit, një ekonomi që rritet 3.5% është një ekonomi më e mirë. Por dimë po ashtu që nuk mjafton. Dimë po ashtu që njerëzit, sidomos ata që janë në vështirësi nuk hanë statistika, nuk veshin statistika, nuk blejnë statistika. Nëse i themi gjërat që kemi bërë, i themi vetëm për të treguar se jemi duke punuar për të bërë sa më shumë dhe për ta mbushur sa më shpejt një hendek të madh që kemi mes të sotmes e të ardhmes, për shkak të një të shkuare ku as ka dashur t’ia dijë njeri për t’i bërë gjërat me radhë dhe si duhet.
Patjetër që kemi bërë shumë në çdo sektor, por në asnjë sektor nuk kemi bërë mjaftueshëm. Ashtu sikundër kemi të drejtë të krenohemi për punët e mira që kemi bërë, jemi kokulur përpara jush dhe jemi kokulur përpara shqiptarëve kur mendojmë se sa shumë njerëz ka sot e gjithë ditën që ende nuk e kanë ndjerë, nuk e kanë parë, nuk e kanë prekur asnjë ndryshim në jetën e tyre. Ne jemi kokulur dhe të vetëdijshëm që ka vetëm një rrugë për tu ballafaquar me ta: Të punojmë, të punojmë sa më shumë dhe të ecim sa më shpejt në mënyrë që një orë e më parë edhe ata që janë shumë ta ndjejnë, ta prekin ndryshimin në jetën e tyre, në komunitetin e tyre.
Është e paimagjinueshme që në vitin 2016 një popull në mes të Europës në një vend kaq të begatë për nga bujaria e natyrës të diskutojë ujin e pijshëm, siç diskutohet dhe këtu në Kolonjë, e lërë pastaj në fshatra, por ja që kjo është prapambetja e tmerrshme që kemi trashëguar. Kanë kaluar shumë vite duke iu thënë njerëzve: Na jepni votën ne, se nesër gjitha këto do bëhen. Njerëzit kanë votuar, ka ardhur e nesërmja, ka ardhur e pasnesërmja, ka kaluar viti, ka kaluar tjetri, kanë ardhur zgjedhjet e tjera, kanë votuar prapë, prapë ka ikur e nesërmja, prapë ka ikur e pasnesërmja dhe shumë gjëra të cilat do ishin bërë me kohë e vakt kanë mbetur t’i fillojmë dhe ti bëjmë tani.
Sikur ata të cilët morën votën qysh në fillim t’iu thoshin njerëzve: “energjia nuk vidhet, energjia paguhet”, e dini se sa shumë para do ishin kursyer nga paratë që humbën në gropën që duhej mbushur çdo vit për të mbajtur gjallë sistemin dhe për të ndezur dritat! Aq para sa do i kishim bërë pesë herë të gjithë ujësjellësat e Shqipërisë; do i kishim bërë pesë herë të gjitha shkollat e Shqipërisë; do kishim ndërtuar çdo spital, çdo qendër shëndetësore kudo ku është e nevojshme vetëm me këtë. Unë i kam në gjuhë, ju i keni në kurriz dhe i dini shumë më mirë sesa unë.
Ajo që unë iu siguroj është që ne për çfarë jemi zotuar do t’i qëndrojmë çdo zotimi.
Sigurisht që jo çdo zotim mund të mbahet në afatin që t’i ke pas menduar ta mbash dhe ke dëshirë ta mbash, sepse puna nuk shkon vaj, nuk ka punë që shkon fjollë, nuk ka punë që nuk nxjerr probleme që duhen zgjidhur rrugës, por pa diskutim që gjithçka që kemi bërë deri tani është provë e sigurt se ne jemi në drejtimin e duhur dhe ne kemi kapacitetin që t’i mbajmë zotimet tona, pasi kemi edhe kapacitetin që të kuptojmë të metat tona, të përpiqemi të korrigjohemi me vetëdijen se nuk jemi të pagabueshëm. Përkundrazi bëjmë edhe gabime.
Por e rëndësishmja është që të paktën deri sot, sado gabime të mund t’i numërojmë ne vetes, apo dhe më shumë të na numëroni ju neve, nuk gjendet një gabim i bërë me qëllim si tradhti ndaj jush, si faj ndaj njerëzve. Janë gabime të bëra duke u munduar të bëjmë më të mirën. Kjo është shumë e rëndësishme. Ky është një tjetër dallim shumë i madh midis nesh dhe atyre që sa herë të vijnë në Kolonjë me këto mend që kanë dhe me atë politikë që bëjnë aq herë më thellë do marrin mësimin e merituar.
Në fund dua ta falënderoj Ilian! Shqiptarëve nuk iu ka dalë mirë gjithmonë kur kanë votuar për doktorë. Unë shpresoj që Ilia të japë një kontribut edhe për gjithë kolegët e vet se janë të mirë shumë kur janë me bluzën e bardhë, por kur marrin votën bëhen edhe “gogol”.
Ilia, një gjë dua të të them: Do bësh aq sa do kesh mundësi. Ndonjëherë nuk do kesh mundësi të bësh atë që dëshiron. Por, e para gjë që duhet ta kesh në zemër dhe në mendje, çdo ditë që del nga shtëpia, është ajo fjala e popullit: “Hallin që s’ma zgjidh, të paktën ma qaj!” Jepu gjithë këtyre njerëzve mundësinë që të ndjehen të respektuar siç ndihesh ti sot mes tyre, sa herë që ata kanë nevojë thjesht e vetëm ti dëgjosh. Të jesh
i sigurt se nëse do t’i respektosh duke iu ndaluar, jo duke u thënë: “ika se kam punë”, e duke i dëgjuar, ata do të ta falin edhe nëse nuk do t’ua zgjidhësh dot, sepse do ta kuptojnë. Por mos na lër barrën që të na marrin inat ne, ngaqë mund të të marrin inat ty.
Të lutem, se boll i kem i inatet tona për ndaj nesh. Të mbajmë dhe inatet për ty, nuk na shkon, se të kemi sjellë këtu se të kërkuan këta. “Pothuajse me konsensus”, tha Niko dhe ashtu është e vërteta. Zysh Arta nuk të njihte. “Ç‘është ky Ilia, – tha, – ku e gjetët?” Që në momentin e parë. Pastaj kur u interesua dhe të takoi u bë mbështetësja jote më e vendosur. Padiskutim, – unë thashë bëjmë gabime, mund ta kem dhe gabim, – kam shumë besim që Ilia në këtë pikë, në marrëdhënien njerëzore dhe në komunikimin me të gjithë dhe në përpjekje për t’ju gjendur të gjithëve nuk do zhgënjejë asnjë kolonjar.
Dua ta mbyll me pikën time të dobët: gratë. Unë kam qënë, jam dhe do vdes i bindur që gratë janë fuqia më pozitive që ka ky vend. Sa më shumë ne t’i bëjmë gratë të motivuara, vajzat e të motivuara që të jenë pjesë e procesit politik, që të jenë pjesë e çdo procesi demokratik, aq më shpejt Shqipëria do dalë nga errësira ku e futën burrat.
Më treguan historinë në një fshat këtu, s’po e them emrin e fshatit, megjithëse e mësova. Shkojnë vëllazëria me gratë të votojnë. Burri me siguri i kishte thënë gruas: Ti do votosh për këtë të PD-së. Gruaja haptazi voton për Ilian. Burri ia merr fletën e votimit dhe ia gris në sy të të tjerëve. “Shko, – i thotë, – merr një fletë tjetër”. Gruaja shkon, e merr fletën tjetër dhe voton për Ilian. Kjo, si ilustrim i asaj që unë them gjithmonë, sa herë bëjmë takime për organizmin e Partisë, ka shumë burra në Shqipëri dhe në Partinë Socialiste që mendojnë se një organizatë partie me burra i zgjidh gjithë problemet, sepse i gënjen mendja që në fund fare mjafton të merren vesh burrë me burrë dhe gratë të votojnë çfarë thonë këta. Kaq i gënjen mendja. Ajo votoi haptazi dhe burri e pa.
Por, ju siguroj që ka plot të tjerë burra që donin kandidatin tjetër, që kujtojnë se gruaja ka votuar siç kanë dashur ata, se rezultati aq i thellë ka dalë si rezultat i faktit që Ilian nuk e kanë votuar vetëm socialistët, por e kanë votuar edhe demokratët. Nuk e kanë votuar vetëm ata që janë të majtë, por e kanë votuar edhe ata që janë të djathtë. Atyre iu ka ardhur në majë të hundës që kanë mbetur të papërfaqësuar. Por të mos të merremi me ta prapë. I kemi të enjteve, na mjafton, sot është e martë.
Ne iu jemi shumë mirënjohës të gjitha vajzave, të gjitha grave kolonjare.
Unë dua t’i them Ilias, në Bashkinë e Kolonjës ke shumë burra, ke shumë pak gra. Puno më shumë me gratë dhe vëri më shumë në punë burrat!
Uroj dhe shpresoj që më shumë gra, më shumë vajza të na bashkohen në ripërtëritjen e Partisë Socialiste dhe sëbashku ne të bëjmë për Kolonjën atë që nuk është bërë 20 e kusur vite të mbledhura bashkë. Jam shumë i prekur nga prania juaj. Po të dalin kamerat jashtë do shikoni që gjithë holli i Pallatit të Kulturës është plot dhe të tjerë janë jashtë Pallatit të Kulturës.
I falënderoj ata që nuk mundën të hyjnë në sallë dhe ju siguroj që, nëse rasti e solli që të vij tre herë me radhë brenda një kohe të shkurtër, patjetër që hera tjetër nuk do jetë për zgjedhjet e ardhshme, por do jetë me siguri për të ardhur për të bërë ndonjë punë të mirë me Ilian dhe me ju të gjithë!
Shumë faleminderit!
Respekte!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Kolonja!
KOHA JONË SONDAZH

