Rama: Tufa e vandalëve do të marrë ndëshkimin që meriton. 5 eurot nuk negociohen
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë përpara gazetarëve ditën e dielë, një ditë pas protestës për taksën e “Rrugës së Kombit”, deklaroi se “policia ruajti gjakftohtësinë përballë një tufe vandalësh që do të marrë ndëshkimin që meriton”.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se do të ndërmerret një “komunikim intensiv shpjegues në lidhje me taksën sepse dizinformimi dhe manipulimi i opinionit publik ka triumfuar mbi shpjegimet që ne kemi dhënë gjatë debateve të ditëve të fundit”.
“Ka nevojë për luftimin e dizinformimin që orkestrohet nga zjarrnxitësit e Tiranës. Kontrata është nënshkruar që prej dy vitesh dhe sot ngrihet një furtunë në gotë e ndizet zjarr mbi pronën e përbashkët dhe mbi një investim që duhet ta dëmshpërblejë buxheti i përbashkët. Kur investimet sulmohen dhe digjen nga vandalë, ai që ka bërë investimin e kërkon atë mbrapsht nga shteti”, tha Rama.
Kryeministri përsëriti se do të ketë abone për banorët e zonës: “Në kontratë është parashikuar sistemi i posaçëm për përdoruesit e shpeshtë, banorët e zonës. Do të ketë abone për ta. Kjo nuk është bërë më parë sepse duhen 6 muaj për verifikimin e përdoruesve të rregullt”.
Taksa e “Rrugës së Kombit”, sipas Ramës, është e domosdoshme për mirëmbajtjen e saj. Kryeministri tha se edhe paraardhësi i tij e ka thënë më parë që rruga nuk mund të mirëmbahet dot. “Mospagesa si kontribut do të çonte në rrënimin e rrugës”, u shpreh Edi Rama, i cili nënvizoi se “5 eurot nuk negociohen”.