Rama uron një të diel të bukur, me ngjyrat magjike të kësaj vjeshte në Lepushë
MIRËMËNGJESI i sotëm i Kryeministrit Edi Rama vjen i mbështjellë me ngjyrat magjike të kësaj vjeshte që ka zbritur si një bekim mbi Lëpushën e Kelmendit, në zemër të Malësisë së Madhe. Si në çdo përshëndetje të tij të përditshme, edhe këtë herë ai zgjedh të flasë përmes gjuhës së imazheve – atyre kartolinave të natyrës shqiptare që, në stinën e vjeshtës, bëhen poezi ngjyrash dhe dritash.
Në fotot që ai ndan, Lëpusha shfaqet si një pikturë e gjallë, ku çdo pemë, çdo shpat mali e çdo përrua merr ngjyrën e vet të dritës dhe frymës. E verdha e arit, portokallia e thellë, e kuqja që digjet si flakë, përzihen me të gjelbrën që ende ruan kujtimin e verës. Është ai çasti i rrallë i natyrës, kur gjithçka duket se përkulet me hir përpara kohës që ndryshon, përpara ciklit të jetës që e di se do të shuhet për t’u rilindur sërish.
Kjo përshëndetje mëngjesi, më shumë se një urim për një të diel të bukur, është një ftesë për të ndalur, për të parë, për të ndier. Ajo të kujton se Shqipëria e thellë, ajo e maleve dhe e qetësisë, mbart një pasuri shpirtërore e natyrore që s’ka nevojë për zbukurime artificiale. Mjafton ta shohësh, ta frymosh, ta përjetosh.
Në këtë komunikim të përditshëm me qytetarët, përmes gjuhës vizuale, Rama nuk shfaqet vetëm si një politikan, por si një njeri që kërkon të ndërtojë një lidhje emocionale me vendin, me rrënjët, me atë Shqipëri që nuk shfaqet në zhurmën e qyteteve, por në heshtjen e natyrës. Dhe sot, në këtë mëngjes vjeshte, ai zgjodhi të na e kujtojë këtë Shqipëri të paqtë, të ngrohtë, të veshur me petkat festive të stinës, që i ngjan një feste pa fjalë, ku çdo gjethe është një bekim dhe çdo frymë ere – një këngë e malësisë.
Një mëngjes i tillë nuk është vetëm një urim, por edhe një reflektim: që bukuria është gjithmonë aty, për ata që dinë ta shohin.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

