Rama verifikim deputetëve. PS përgatit listat e zgjedhjeve të 18 Qershorit
Partia Socialiste, me hyrjen e vitit të ri zgjedhor, e fundit legjislaturë për këtë mandat qeverisjeje, ka nisur vrullshëm përgatitjet për procesin zgjedhor të 18 Qershorit. Por me afrimin e zgjedhjeve të reja parlamentare nisin edhe ethet në PS për listat e kandidatëve për deputetë. Kryeministri Edi Rama ka nisur verifikimin e deputetëve në terren, sa të angazhuar janë ata në mobilizimin e bazës dhe mbledhjen në sa më shumë votave për fitoren e së majtës në 18 Qershor.
Deputetët do të kalojnë në lupë nga kryeministri Edi Rama sa u takon gjithë procesit të angazhimeve në bazë, i cili më pas do të përpilojë edhe listën me kandidatët e rinj për deputetë, që do të përbëjnë legjislaturën e re pas përfundimit të zgjedhjeve të 18 Qershorit.
Në këto kushte, Rama i ka urdhëruar deputetët që çdo fundjavë të dorëzojnë një raport me të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar. Në bazë të angazhimeve të deputetëve sipas raporteve javore që ata do të dorëzojnë, Rama do të përpilojë edhe listën e kandidatëve për deputetë.
Në lista do të futen ata deputetë që do të mbledhin sa më shumë vota dhe do të bindin qytetarët që të votojnë në 18 Qershor për reformat e qeverisë aktuale, që nuk janë ndërmarrë në këto 25 vite.
Tashmë, në këto kushte, deputetët po rendin që të mbushin raportet me sa më shumë aktivitete gjatë javës, për t’i hyrë në zemër kryeministrit Edi Rama, që t’i vendosë në listat zgjedhore. Përgatitjet për zgjedhjet e 18 Qershorit do të jenë vendimtare për deputetët socialistë. Sipas kryeministrit, deputetët duhet të udhëtojnë çdo ditë në bazë dhe nuk duhet të injorojnë takimet me qytetarët, të cilët janë pjesa më e rëndësishme e gjithë përgatitjeve për fushatën elektorale.
KOHA JONË SONDAZH

