RAMA:FORMALIZIMI DREJTIMI I VETËM PËR TË RRITUR RROGAT DHE ULUR TAKSAT
Sot në bilancin e dy muajve të parë të luftës frontale kundër informalitetit, përmes një platforme e cila përfshinte edhe këndvështrimet e zërin e biznesit. Bashkëngjitur pjesë nga fjala e mbajtur në përfundim të takimit:
***
Terreni më i gjerë i korrupsioni është ekonomia informale. Ajo është nxitësja më e madhe e korrupsionit. Ajo është fertilizuesi më i fuqishëm i krimit ekonomik dhe i gjithë aktivitetit të paligjshëm në tërësi. Ajo është forca më e verbër, që dobëson në vazhdimësi shtetin, ose në rastin tonë, që kërkon ta pengojë shtetin që të bëhet. Dhe duke penguar shtetin që të bëhet, pengon shtetin që të jetë i gatshëm që t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve, sepse i pengon qytetarët që të marrin mbrapsht atë që investojnë. Atë që investojnë duke marrë kuponin tatimor, në radhë të parë.
***
Ajo që është më e bukura në gjithë këtë histori dhe që është stimuli më i madh për të vazhduar drejt dhe vetëm drejt në këtë rrugë është që shqiptarët që jetojnë me punë të ndershme dhe që janë shumica, e duan këtë reformë.
***
Sot, në vetëm 45 ditë, se praktikisht nuk kemi gjithë kalkulimet e plota deri të ditës së fundit të tetorit, kemi ato shifra që janë nga njëra anë, turpi i të gjithë atyre që kishin në dorë t’i bënin këto punë, kur kishin mandatin e popullit dhe e lanë popullin rrugëve. Siç lanë rrugëve të gjithë ata njerëz, që u thoshin vidheni energjinë dhe ndërkohë jua shënonin borxhet dhe jua linin borxhet në kurriz njësoj si Sudja; Nga ana tjetër, janë edhe treguesi më kuptimplotë që Shqipëria dhe shqiptarët në shumicë dërrmuese duan të ndodhë kjo që po ndodh.
Nëse në një rrugë tregtare, një biznes, një i vetëm, paguan çdo taksë dhe të gjithë të tjerët nuk paguajnë, qeveria ka detyrimin moral të jetë me atë që është një. E jo të shkojë mbas gjithë të tjerëve dhe t’i thotë atij që është një se “je një kokërr budallai që respekton ligjin dhe që paguan detyrimet, se këta janë të mençur dhe unë jam me të mençurit”. Këtë kanë bërë qeveritë e mëparshme. Këtë kanë bërë dhe ata që sot kanë marrë përsipër të predikojnë se ky operacion është në drejtimin e gabuar.
Ky operacion është i vetmi drejtim i duhur.
Ne sot nuk jemi në lartësinë e ambicies dhe të drejtës të bizneseve legjitime, për të pasur shërbimin më të mirë nga administrata tatimore apo doganore, njësoj siç nuk ishim dhe nuk jemi akoma në lartësinë e ambicies dhe të së drejtës legjitime të të gjithë qytetarëve që paguajnë energjinë, për të pasur shërbimin më të mirë nga kompania e energjisë.
Kjo histori nuk është “veza pulën, apo pula vezën”, sepse dëgjoj shumë predikues që thonë “jepini njëherë njerëzve punë, rritjani njëherë njerëzve rrogat, uljani njëherë njerëzve taksat pastaj kërkojuni të paguajnë dritat dhe të paguajnë të tjerat.”
Por si bëhet kjo?! Si krijohet puna? Duke pranuar informalitetin?!
Si ulen taksat?! Duke pranuar që buxheti i shtetit, pra, ata që paguajnë taksa, të paguanin këtë vit, nëse nuk do të kishim bërë operacionin e energjisë, 180 milionë dollarë dhe 200 milionë dollarë të tjera plus, nëse nuk do t’i hynim këtij operacioni?!
Këto 380 milionë dollarë plus, kush do t’i paguante?! Arka e buxhetit të shtetit nuk është thesi i Ali Babait. Por është tërësia e kontributeve të atyre që paguajnë. E nëse ata që paguajnë trajtohen si budallenj dhe mbeten gjithmonë të patrajtuar, si në fakt janë, atëherë ku shkojmë?! Shkojmë aty ku vajtëm, në buze të humnerës.
Po të mos ishin këto reforma, sot këtu nuk do të kishim drita. Po të mos ishin këto reforma, sot nuk do të ishim në gjendje të flisnim për perspektivën e uljes së taksave dhe të rritjes së rrogave, por do të ishim duke i shkurtuar rrogat. Jemi i vetmi vend i prekur nga kriza si të tjerët, që nuk ka prekur rroga, nuk ka prekur pensione. Të tjerët të gjithë kanë prekur rroga dhe pensione.
Shikojeni Serbinë sot. Reforma që ata duhet të bëjnë është të shkurtojnë 25 % të rrogave, 15 % të pensioneve dhe të shkurtojnë dhjetëra mijëra vende pune në korporata dhe kompani shtetërore, që i kanë lënë rrugëve të falimentuara.
Përse nuk ndodhi kjo? Sepse ne zgjodhëm sfidën që të mos prekim rrogat, të mos prekim pensionet, por t’u kërkojmë të gjithëve të kontribuojnë. Ne zgjodhëm sfidën që të mos t’i themi atyre që paguajnë: Paguani ju edhe më shumë taksa, se ne duhet të mbushim gropën e hapur nga vjedhjet e përvitshme të energjisë. Por zgjodhëm sfidën që t’i themi të tjerëve: Ka mbaruar kjo punë, futu në lojë, se ndryshe nuk je njëri nga ne.
Përgjigja e popullit ka qenë spektakolare; 320 mijë konsumatorë që kanë nënshkruar kontrata të reja dhe 40 milionë euro që qeveria ia ka falur të gjithë atyre që kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshje dhe të paguajnë menjëherë pjesën e borxhit të tyre.
Këto 40 milionë euro dolën nga formalizimi. Si mundemi të pranojmë, si mundet Shqipëria të vazhdojë me politikanë që “kidnapojnë”, – siç i thonë vëllezërit tanë në Kosovë, – tre bujq të lodhur dhe të painformuar, i detyrojnë të marrin dhe arkat me mollë me vete, i nxjerrin para parlamentit dhe mbajnë fjalime kundër regjistrimit?!
Çfarë do të thotë ta lësh një fermer të paregjistruar?! Do të thotë ta lesh skllav të varfërisë së vet. Do të thotë t’i ndërpresësh rrugën për çdo mundësi që ai të mendojë se mund të rritet dhe të fuqizohet, pasi NIPT-i nuk i vë atij taksa.
Kush regjistrohet fiton, nuk humbet, sepse nuk është më skllav, por është njeri i lirë që mund t’i vëri në punë idetë e tij, mund të bashkohet me të tjerë dhe mund të përfitojë nga grantet, nga subvencionet dhe nga projektet e kësaj qeverie apo të BE nesër.
Si do të shkojmë në BE? Me azil politik?!
Ne do të shkojmë në BE të bëhemi pjesë e një tregu që kërkon dije; e një tregu ku nuk ka informalitet; e një tregu ku nuk trajtohen si të mençur ata që nuk paguajnë dhe budallenj ata që paguajnë; e një tregu ku nuk predikohet varfëria e aspiratave dhe mbyllja e syve se duhet të ndihmojmë këta që janë më të varfër, por predikohet pasuria e aspiratave për ti nxjerrë të varfrit nga varfëria.
***
Nga ana tjetër, nëse do të shikojmë ato që kanë ndodhur, ja ku janë këtu gjithë këta biznesmenë. Le të çohet njeri këtu dhe të thotë, deri në 2013 ka marrë një rimbursim TVSH-je, pa e ndarë kekun apo byrekun me ata të Ministrisë së Financave?
Rimbursimi i TVSH-së ishte një nga problemet më të mëdha të biznesit legjitim. Kudo ku ne diskutonim, kur bënim programin tonë qeverisës, rimbursimi i TVSH-së ishte A-ja. Me të drejtë, sepse TVSH-ja ishte kthyer një kreditim i dhunshëm i qeverisë, i vetvetes, në kurriz të biznesit.
Qeveria është e para që përpara se të kërkojë nga biznesi duhet ti përgjigjet biznesit. Ju kemi dhënë mbi 600 milion dollarë secilit, sipas dokumenteve dhe ju kemi thënë – ne nuk ju kemi borxh. Tani borxhet që keni ju do ti paguani një më një. Borxhet që keni, janë ato që i dini ju. Ato që i dini ju, që i keni nëpër magazina. Keni ligjin e ri, rregulloni vetëdeklarimet, risistemoni, ju kemi dhënë dhe mundësinë të risistemoni vetë.
***
Nga ana tjetër dua të theksoj, që ju patë sot një paraqitje për dy gjëra të rëndësishme. E para që ne nuk duam t’ju lëmë mbi kokë tatimorë që janë larg së qeni ata që duhen. Ne këtë e pranojmë. Transformimi i një bande në një ushtri të rregullt, kërkon kohë. Kalimi nga ilegaliteti në legalitet, edhe për tatimorët kërkon kohë.
Ne nuk duam t’jua lëmë në kurriz. Ne ju themi se nëse nuk doni të keni kontroll tatimor, merrni kompani auditimi, ashtu siç e përcakton ligji dhe auditohuni vetë dhe ne nuk kemi punë me ju. Lërjani hallin atyre dhe ne merremi me ata.
***
Sistemi mbi bazë risku që kemi ngritur sot dhe ne kemi punuar një vit e gjysmë për atë sistem, ju e patë, e lejon administratën t’ju shikojë pa ju parë. QKR e garanton regjistrimin direkt nga shtëpia. Nuk ka nevojë të shkosh tek QKR, të mbash radhë e të lodhesh me askënd. Hap telefonin, nëse e ke telefonin të zgjuar, ose kompjuterin dhe nëse nuk e di kompjuterin, mjafton t’i thuash djalit apo nipit.
***
Duke kontrolluar të vegjlit, ne mbyllim kanalin e atij evazioni që burimin e ka tek të mëdhenjtë, e ka tek ato magazinat ku keni harruar të numëroni, tek ato magazina ku një dhe një nuk bëjnë asnjëherë dy, por një dhe një bëjnë gjithmonë asnjë.
Nëse e marrim për të mirëqenë predikimin se të vegjlit janë të pafuqishëm, si është e mundur që tek të vegjlit ka sot, një rritje me 80 milionë dollarë të xhiros dhe si është e mundur që tek të vegjlit ka sot, një tjetër rritje me 30 milionë dollarë të xhiros që i kalon një pjesë të tyre në subjekte të TVSH-së! Nga e gjejnë xhiron më të madhe që e deklaruan! Jua them unë; po aty ku i gjetën lekët ata që paguan energjinë, që s’kishin.
***
Ne kemi një ambicie; duam të ulim taksat, duam të rrisim rrogat. Duam të rrisim rrogat në shërbimin publik, duam të krijojmë mundësi që të rriten rrogat edhe tek kompanitë. Por si mund të rritet rroga në një kompani, nëse kompania është e kërcënuar nga konkurrenca e pandershme?! Po marr biznesin legjitim.
Për këtë arsye dhe kjo nuk është propagandë, por është fakt që çdo punonjës në shtet apo në privat sot, që do të rrisë rrogën e vet, duhet të marrë pjesë në këtë betejë. Dhe nuk duhet të nxjerri pushkë, por duhet thjeshtë të marrë kuponin kur blen dhe ta shohë atë, se ka filluar edhe një lojë tjetër. Ti blen 100 mijë lekë mall, makina “harron” një zero. Ndaj duhet ta shikojë kuponin.
***
Ne nuk do të rrisim taksa. E kemi thënë qartësisht, me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me shqiptarët, me të gjithë, që ne nuk mendojmë që ka vend për rritje taksash, sepse ka një potencial shumë të madh, të pashfrytëzuar, tek ekonomia informale.
Nga ana tjetër, ne do të lehtësojmë një pjesë të atyre që realisht meritojnë të lehtësohen. E para, shitësit ambulantë të mirëdefinuar – se këtu imagjinata mund ta bëjë edhe një biznes të madh të thotë unë jam ambulant, – nuk do të kenë më detyrimin e regjistrimin apo të çregjistrimit në QKR, për të marrë karton fiskal nga pushteti vendor. Ata do të paguajnë vetëm një tarifë mujore, të përcaktuar nga vetë pushteti vendor, sa të dojë ky i fundit, që duhet t’i korrespondojë thjesht regjistrimit të tyre fizik.
***
Faktikisht, për të gjithë ata që janë biznes i vogël, me qarkullim deri në 20 milionë lekë (të vjetra) dhe që janë të vetëpunësuar e ofrojnë shërbime apo produkte, ku ajo që ofrojnë është e krijuar nga puna e tyre, domethënë të gjithë zejtarët, bojaxhi, elektricist, hidraulik, këpucar, berber, llamarinist, teneqepunues, biçikletarregullues, flokëtrajtues, nuk do të paguajnë më asgjë, vetëm duhet të jenë të regjistruar si persona fizikë. Deri sot paguanin 250 mijë lekë në vit. Nuk do të paguajnë më. Zero! Për ne, janë njerëzit më të nevojshëm, janë njerëz që kanë zanat dhe me zanatin e tyre ushqejnë familjen.
***
Ne duam që sistemin e kontrollit tatimor ta bëjmë tërësisht transparent. Do t’i bëjmë publikë treguesit e riskut që përdoren nga sistemi aktual elektronik dhe bizneset ta dinë, ta shohin në mënyrë transparente, online, kur kanë hyrë tek zona që vjen zjarrfikësi. Po ashtu, duam të stimulojmë procedurat e auditimit elektronik. Pas fazës së parë të këtij operacioni që do të vazhdojë deri në 31 dhjetor, ne do të kemi gati reformën e gjithë administratës tatimore dhe doganore dhe do të bëjmë një tërheqje masive të personave në terren.
***
Prandaj, neve na duhet që në këtë fazë të mbyllim regjistrimin, na duhet të sistemojmë të gjithë kasat fiskale, na duhet në këtë fazë që informacioni që vjen nga gjithë xhiroja që bëhet në territor të vijë në kohë reale dhe pastaj nuk ka nevojë më që të jemi në terren, kështu siç jemi të organizuar sot. Sepse do të ketë vizita në terren, por shumë të mirëorganizuara dhe të lajmëruara. Por kjo është fazë e ndërmjetme, siç ishte ajo me energjinë.
Operacioni do të vazhdojë intensivisht, tërheqje nuk ka, masat nuk zbuten. Kush nuk jep kuponin duhet ta mendojë mirë. Dhe kush ka magazinat akoma për të bërë numërime, të numërojnë me shpejtësi deri në 31 dhjetor.
KOHA JONË SONDAZH

