Rama: “Liria ka emër”, tubim në Hagë, shqiptarët nga diaspora protestojnë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Hagë, 14 Shtator 2025 — Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një video ku përcillet atmosfera e ngrohtë dhe e vendosur e shqiptarëve të mbledhur sot në Hagë, në një protestë të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Tubimi, që pritet të nisë në orën 14:00, ka mbledhur shqiptarë nga Amerika, vende të ndryshme të Evropës dhe Kosovë, të cilët kanë udhëtuar drejt Holandës për të shprehur solidaritetin e tyre. Për arsye sigurie, protesta nuk do të zhvillohet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, por në afërsi të saj.
Protestuesit, mes tyre ish-luftëtarë dhe qytetarë të diasporës, kanë përgatitur pankarta me mesazhe në gjuhën angleze, të drejtuara ndaj Gjykatës Speciale dhe Bashkimit Evropian — si financues të këtij institucioni. Disa autobusë janë nisur nga Kosova, duke dëshmuar mobilizimin e gjerë për këtë kauzë.
Protesta vjen një ditë para se të nisë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes në sallën e gjyqit. Më 15 shtator, pritet të paraqitet James Rubin, ish-ndihmës sekretar amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë, në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi. Pas tij, do të dëgjohen figura të tjera nga SHBA dhe Britania, fillimisht për Thaçin dhe më pas për Jakup Krasniqin.
Ky moment shënon një fazë të rëndësishme në procesin gjyqësor që ka nisur në prill 2023, pas konfirmimit të aktakuzës në vitin 2020. Mbrojtja e të akuzuarve mohon akuzat për krime lufte dhe kundër njerëzimit, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Tubimi në Hagë është një dëshmi e gjallë e lidhjes së diasporës me historinë dhe drejtësinë, dhe një thirrje për transparencë në një proces që ka zgjuar interes të gjerë ndërkombëtar.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

