Rama:Ma sillni Mark Crawford para syve!
Kryeministri Rama duke folur në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku theksi i diskutimit ishte rezultatet e aksionit anti-informalitet, sulmoi hapur kryetarin e Dhomës Amerikane të Tregtisë Mark Crawford pas kritikave që ky i fundit ka bërë më parë në lidhje me këtë reformë.
Crawford nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e KEK dhe kreu i Qeverisë nuk mund të mos e vinte re mungesën e tij. “Do të kisha parapëlqyer që t’i thosha në sy që para se të bëjë deklarata duke iu kundërvënë këtij operacioni dhe duke folur për masat e rrepta të Qeverisë si masa penguese, t’u tregojë shqiptarëve se çfarë i ndodh dikujt në SHBA nëse kapet me evazion fiskal dhe pa kupon tatimor”, deklaroi Kryeministri Rama.
Kryeministri tha hapur se Qeveria e tij e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë në lidhje me aksionin kundër informalitetit dhe nuk ka nevojë për mendimin e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë. “Mbasi të tregojë se çfarë ndodh në SHBA, le të vazhdojë dhe të na tregojë ne se ç’duhet të bëjmë më mirë. Ne po vendosim rendin ligjor në ekonomi”, u shpreh Kryeministri Rama.
Kreu i DHAT ka kritikuar aksionin anti-informalitet duke thënë se bizneset duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe administrata tatimore duhet të jetë më shumë e aftë.
KOHA JONË SONDAZH

