“Ramë Lahaj & Friends”, magjia e këngës, zërave dhe zemrave që mrekulloi në Shirokë
Albert Vataj
Mbrëmja e 8 qershorit 2024 në Shiroka nuk ishte si çdo mbrëmje tjetër, që vjen me preludin e një perëndimi që kuqëlon mbi Liqenin e Shkodrës dhe llamburitë përgjatë bregut, si një spektakël yjor i Rrugës së Qumështit. Ishte shumë më shumë se një kremte galaktike yjesh, ishte një Big-Beng i këngës, zërave dhe zemrave që shpërtheu në Shkodrën magjike, në Shirokën e magjepsjes dhe adhurimit.
Tenori i njohur nga Kosova, Ramë Lahaj, siç u përcoll me duartrokitje frenetike, zhvilloi një koncertin “Ramë Lahaj & Friends” në Shirokë, aty ku një mbrëmje ishte sa për mijëra të mbushura me muzikë, këngë dhe festë.
“Shqip kam me i knu dyjas tanë jetën, se shqipen e flet edhe vetë Zoti. Shqip me buzëqeshë shpirti e zemra, se shqip me ka knu edhe nana, na kanë knu edhe t’parët, në të mirë e në të keqe”, ka deklaruar Lahaja.
Ky event i jashtëzakonshëm artistik ishte i pari koncert i plotë i tenorit në Shqipëri. Koncerti ishte organizuar nga Bashkia Shkodër, nën patronazhin dhe përkujdesin e veçantë të kryebashkiakut, Benet Beci.
Ramë Lahaj performoj në këtë skenë magjike, së bashku me tenorin e famshëm ndërkombëtarisht, Alessandro Safina. Ky koncert, patjetër që shënon në kalendarin e aktiviteteve artistike të qytetit të Shkodrës si një ngjarje e rëndësishme për muzikën dhe kulturën në Shqipëri, dhe një mundësi e shkëlqyer për të dëgjuar dy tenorë të talentuar në një vend të bukur si Shiroka.
Publikn e kësaj ngjarje të kulmët artistike e përbënin qytetarë të Shkodrës, shirokas rretheqark dhe të ardhur kandekand, për të qenë pjesë e kësaj kremte artistike, kësaj vlera që i dedikohet Shkodrës dhe e meriton shpirti i saj. Personalitetet që nderuan me praninë e tyre ishte, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci dhe bashkëshortja, Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe autoritete të pushtetit vendor dhe personalitete të artit dhe kulturës shkodrane dhe jo vetëm.
Siç ju e dini, Tenori Ramë Lahaj, i cili është ngjitur në disa prej skenave më prestigjioze të botës, ka zgjedhur jo rastësisht Shkodrën për koncertin e tij, për të ofruar një mbrëmje magjike për qytetin e kolosëve, si një qytet që e dashuron kulturën dhe muzikën në të gjitha format e saj.
Ramë Lahaj ka lindur më 3 nëntor 1983 në Istog, Kosovë. Në mesin e roleve të tij më të njohura janë Alfredo në “La Traviata”, Duka i Mantuas në “Rigoletto”, Rodolfo në “La Bohème”, Edgardo në “Lucia di Lammermoor” dhe Pinkerton në “Madama Butterfly”.
Lahaj është konsideruar si një nga artistët e parë të operës nga Kosova që ka performuar në skenat më të rëndësishme të botës, duke ndarë skenën me legjenda të operës si Placido Domingo, i cili e nderoi atë me çmimin më prestigjioz dhe të rëndësishëm të Operas Botërore, “Operalia”, në vitin 2016. Ai ka një histori të veçantë, duke u rritur në një familje jo-muzikore me tetë fëmijë dhe duke filluar trajnimin profesional muzikor në moshën 21-vjeçare.