Raporti paraprak i OSBE/ODIHR: Presioni ndaj administratës dhe nxjerrja e të dhënave personale, problem shqetësues për zgjedhjet

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR ka dalë në të parën konferencë duke nxjerrë raportin paraprak mbi mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri.

Azay Guliyev, koordinator special dhe drejtuesi afatshkurtër i misionit vëzhgues në Shqipëri u shpreh se në këto zgjedhje nuk pati probleme me listën e zgjedhësve, por misioni ka parë si problem daljen e të dhënave personale.

“Të dhënat personale të shtetasve shqiptarë kanë përbërë problem, kjo është nje thyerje privatësie, një pikë shqetësuese që duhet përmendur”, u shpreh ai, duke përmendur më pas edhe ngjarjen e Elbasanit.

Po ashtu OSBE ka dënuar dhe dy ngjarjet e rënda në Kavajë dhe Elbasan dhe kërkuan që të zbardhen sa më shpejt. “Vijon të mbetet shqetësim presioni ndaj nëpunësve civilë. Dua të dënoj incidentet e dhunshme që paraprinë votimeve të së dielës që përfunduan me një të vdekur dhe një të plagosur. Këto incident e duhet të hetohen deri në fund. Nxitja e dhunës nuk duhet të tolerohet dhe duhet të dënohet“, është kjo një pjesë e deklaratës së vëzhguesve të OSBE.

Raporti paraprak i OSBE/ODIHR:

Zgjedhjet parlamentare shqiptare u karakterizuan nga një fushatë e gjallë dhe gjithëpërfshirëse, falë një kuadri ligjor që ndihmoi në respektimin e lirive themelore. Në të njëjtën kohë, u panë përfitime të autoriteteve nga postet publike gjatë fushatës dhe pretendime për shitblerje të vazhdueshme votash, thanë vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë sot.

Misioni i përbashkët i vëzhgimit i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (OSCE PA) dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), konstatuan se pavarësisht disa paqartësive dhe mungesës së konsistencës, kuadri ligjor formon një bazë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Ndryshimet e fundit në kuadrin ligjor ofruan garanci shtesë dhe bazoheshin në një konsensus të gjerë politik. Administrata e re zgjedhore i përballoi mirë detyrat e reja të zgjeruara dhe gëzoi përgjithësisht besim.

“Marrëveshja politike e vitit të kaluar nxiti reforma të rëndësishme dhe coi në futjen në përdorim të teknologjisë elektronike, e cila shërbeu për rritjen e besimit te procesi zgjedhor. Kjo tregon se kompromisi dhe dakordësimi politik i shërben interesave më të mira të popullit shqiptar,” tha Azay Guliyev, Koordinator i Posacëm dhe drejtues i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së. “Inkurajoj të gjitha partitë politike që të ruajnë të njëjtën frymë në hapat që vijnë pas Ditës së Zgjedhjeve dhe të ndërmarrin masa të tjera për të mos lejuar shpërdorimin e burimeve administrative dhe presionet ndaj nëpunësve civilë në ciklet e ardhshme zgjedhore.”

Rreth 3.5 milionë zgjedhës u regjistruan për të votuar në këto zgjedhje, të cilat u mbajtën në kushtet e pandemisë globale të COVID-19. Megjithëse liritë themore u respektuan, mesazhet gjatë fushatës zgjedhore u fokusuan te drejtuesit e partive dhe jo te platformat politike. Tonet e gjuhës së përdorur gjatë fushatës nga disa politikanë kryesorë ishin konfrontuese dhe në të njëjtën kohë, media nuk ofroi informacione thelbësore që zgjedhësit të mund të zgjidhnin. Shqetësuese qe, gjithashtu, edhe prevalenca e shitblerjes së votave në të gjithë vendin.

“Pavarësisht përmirësimeve të përgjithshme të kuadrit të përgjithshëm, pretendimet për praktika të përhapura gjerësisht të shitblerjes së votave gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve vazhdojnë të mbeten problem serioz në Shqipëri dhe kjo ka një ndikim negativ tek perceptimi i publikut dhe tek besimi në procesin zgjedhor. E njëjta gjë vlen edhe për stimujt dhe presionet ndaj nëpunësve civilë,” tha Aleksander Pociej, Shefi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). “PACE dhe Komisioni i Venecias janë të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për ta përmirësuar më tej kuadrin ligjor zgjedhor në vend.”

Sistemi i sapofutur në përdorim i identifikimit elektronik të zgjedhësve u instalua në të gjitha qendrat e votimit. Ai pati për qëllim të ulte rrezikun e mashtrimit zgjedhor, megjithëse futja e tij në përdorim me nxitim nuk la kohë për diskutime publike apo për një shqyrtim të pavarur të sistemit të ri. Megjithëse procesi në vetë ditën e zgjedhjeve qe kryesisht transparent dhe i qetë, masat e lidhura me pandeminë nuk u zbatuan plotësisht dhe distancimi social nuk u respektua gjithmonë.

“Futja në përdorim e teknologjive elektronike në zgjedhje përbën një përmirësim të rëndësishëm dhe të mirëpritur për Shqipërinë. Pata kënaqësinë të isha dëshmitar i efikasitetit në shkallë të lartë të sistemit të identifikimit biometrik që u përdor në të gjithë vendin. Ky është një hap i rëndësishëm, i cili veçse mund ta rrisë besimin tek procesi zgjedhor,” tha Reinhold Lopatka, Shefi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. “Isha i shqetësuar për incidentet që i paraprinë ditës së zgjedhjeve dhe dëshiroj të theksoj se nxitja e dhunës nuk ka për t’u toleruar.”

Pavarësisht një kuadri të zhvilluar ligjor që ekziston tashmë për ndalimin e shpërdorimit të burimeve shtetërore, shumë figura publike vazhduan të bëjnë fushatë në kapacitetin e tyre zyrtar. Kjo, e kombinuar edhe me fillimin e disa projekteve të mëdha infrastrukturore të qeverisë para zgjedhjeve, i dha partisë në pushtet një avantazh të konsiderueshëm.

“Pas shumë konflikteve politike në Shqipëri kohët e fundit, është inkurajuese të shohësh se dalëngadalë po rivendoset besimi te procesi zgjedhor,” tha Urszula Gacek, e cila drejtoi misionin e kufizuar të ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve. “Të gjitha partitë morën pjesë dhe në votim pati një numër më të madh zgjedhësish. Është për të ardhur keq që vazhdon të ketë parregullsi si shpërdorimi i postit apo raste të shitblerjes së votës.”

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve për zgedhjet parlamentare shqiptare përbëhej nga 125 vëzhgues nga 32 vende, ku përfshiheshin 42 ekspertë të ODIHR-it dhe vëzhgues afatgjatë, 60 parlamentarë dhe staf nga OSCE PA, dhe 23 nga PACE.

https://arkiva.kohajone.com/raporti-i-pare-i-vezhguesve-rama-u-hoqi-te-drejten-per-te-votuar-mijera-shqiptareve/

SHKARKO APP