Reagon Basha: 100% dakord me Ramën, PD nuk i duhet dreqit, se dreqi të ka ty!

Pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se PD-ja nuk i duhet as dreqit ka ardhur dhe reagimi i kreut të PD-së Lulzim Basha.

Në një status në Facebook, Basha shkruan “ 100% dakord me EDramën, PD nuk i duhet dreqit, se dreqi te ka ty!”.

Më hërët Rama postoi një shënim të gjatë në Facebook kur kritikonte qëndrimin Partisë Demokratike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ja çfarë shkruan Rama në Facebook:

Swiss Digital Mobile Reklama

SHENIMI I DITES

Lulëzimi e paska interpretuar thirrjen e Departamentit të Shtetit që gjithë partitë të hyjnë në zgjedhje, si një mbështetje për fantazinë e tij se po nuk hyri PD në zgjedhje, zgjedhjet nuk u bëkan as sipas Shteteve të Bashkuara!

Në fakt e kundërta është e vërtetë. Shqipëria ka zgjedhje në 18 qershor. Dhe askush në botën e logjikës elementare demokratike, as nuk e diskuton fare datën kushtetuese të zgjedhjeve, lëre pastaj Shtetet e Bashkuara, Gjermania apo demokracitë perëndimore në tërësi. Vajmedet ku u katandis partia që lindi nga ëndrra për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!

Një shtet ku Kushtetuta, mund të trajtohet si peng i partive dhe e drejta e popullit për të zgjedhur, mund të vihet në diskutim sipas interesave të elitave partiake, nuk ka lidhje me botën demokratike. Ky lloj shteti mund të ekzistojë akoma në mendjen e atyre që nuk e lanë Shqipërinë të bëjë shtet serioz, për 25 vjet me radhë, po nuk ka lidhje me Shqipërinë e sotme ku prej 3 vjetësh e gjysëm luftojmë për të bërë shtet. Jo më! Kurrë më!

Mua nuk më habisin fare sot, as ata që e mbajtën për çerek shekulli këtë vend peng të mungesës së vizionit, atdhetarisë, aftësisë së tyre, me keqqeverisjen e me përbuzjen provinciale për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi; as ata që kanë marrë peng kanalet e katundit mediatik me verbërinë, paditurinë e babëzinë e tyre për paranë e zezë; as ata që turren të nxjerrin nga lumi, gurin e këtij budallallëku monumental apo që hutohen, nga thagma e “zgjedhjeve pa opozitën”. Të parët kanë frikë nga drejtësia. Të dytët i tremben tharjes së burimeve të padeklaruara të fitimit, për të bilbiluar e shkarrashkruar në emër të parimeve të demokracisë. Të tretët vijnë rrotull për t’u bërë të rëndësishëm në rrugët e katundit tonë politik apo, thjesht i friken kujtesës së viteve të zymta të rrëmujave, në Shqipërinë pa shtet.

Dhe, megjithë vendosmërinë për t’i dhënë, deri në dekikën e fundit, një shans dialogut dhe kthimit të Partisë Demokratike, në botën e logjikës elementare demokratike, bindem përditë e më shumë për një gjë:

Bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja e disa kryetarë pa parti të ngujuar në çadër për hatër të saj, jo vetëm nuk do ta lerë Shqipërinë pa opozitë në parlamentin e ri, po përkundrazi, ka shumë të ngjarë t’i japë jete një opozite të re, shumë më sfiduese se sa opozita pa kokë, pa program, pa skuadër e pa edukatë që pati parlamenti i sotëm.

Këtu do jemi e do shohim se kush ka të drejtë, po një gjë është e sigurtë: Një opozitë që i friket Reformës në Drejtësi dhe refuzon të paraqitet për gjykim përpara popullit, nuk i duhet jo Shqipërisë, shqiptarëve dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, po as dreqit vetë!”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?