Receta e kryeministrit shqiptar për Italinë
Nga Leonarddo Petrocelli-(Gazzetta del Mezzogiorno)
BARI. E qorton vazhdimisht Italinë për hapat e saj të ngadaltë dhe për mijëra yçkla pyçkla që frenojnë aksionin administrativ. Dhe u kujton të gjithëve se ligjet ai i bën në pesë javë. Shkon me ngut Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe ish Kryetar i Bashkisë së Tiranës – eksponent i një të majte kapitaliste dhe agresive, që nuk është aspak e butë me rrymat radikale – i cili mbërriti dje në Fiera del Levante në Bari për të zhvilluar një ditë të ngjeshur me takime. Në fillim takimi me guvernatorin Emiliano, pastaj inaugurimi i rrugës “Shqipëria”, kalimi përmes lagjes së panaireve që i dedikohet Vendit të Dy Shqiponjave, dhe në fund bashkëbisedimi me gazetarë dhe sipërmarrës në Pavjonin Unioncamere.
Ndër argumentet e shumta në tryezën e diskutimeve, janë marrëdhëniet dypalëshe midis Puljas dhe Shqipërisë ato që diskutohen më shumë. “Unë këtu ndihem si në shtëpi – thotë Rama me një italishte perfektë – dhe jam i lumtur t’ju njoftoj dy nisma që do të lidhin akoma më shumë dy territoret tona simotra. Nisma e parë ka të bëjë me një pjesëmarrje të përbashkët aksionere të Shqipërisë në Ujësjellësin Puljez, e cila menaxhon në mënyrë të shkëlqyer burimet ujore që ju nuk i keni. Por ne i kemi. Ne kemi ujin, ju keni dijen. Mund të lindë një shumëkombëshe me një të ardhme të begatë. Nisma e dytë ka të bëjë me portet e Barit dhe Durrësit, pas firmosjes dje të një protokolli marrëveshjeje me qëllim kryesor integrimin e sistemeve informative. “Unë i konsideroj këto dy struktura – vazhdon Rama – si dy krahët e të njëjtit trup. Qëllimi ynë është që të kemi një bashkëpunim gjithnjë e më shumë të strukturuar, si edhe të rrisim sigurinë dhe transparencën.”
Dhe përsa i përket strukurave, Rama i kthehet çështjes TAP, e cila në Itali ka shkaktuar grindje pafund. “Një pjatë e gatuar me ideologji – paralajmëron Rama – është një pjatë e helmuar. Dhe në Itali ka shumë trysni ideologjike mbi këtë temë. Unë nuk shikoj rreziqe për ambientin, por vetëm mundësi zhvillimi të cilat duhen kapur pa hezituar.” Ndërsa në lidhje me çështjen e kërkimit të hidrokarbureve, Rama thotë: “Padyshim që detet shqiptare kanë burime interesante, por ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër, atë të kërkimit në tokë. Mendojmë se aty ka burime të mjaftueshme për zhvillimin tonë, përveçse më pak problematika, ndaj nuk do të ndërmarrin operacione të tjera”.
Biseda vjen natyrshëm tek tema dramatike e emigracionit masiv që po trondit gjeografinë njerëzore dhe politike të Mesdheut. Në lidhje me emigracionin shqiptar në Itali, Rama thotë: “Ajo që dukej si një situatë emergjente e pa menaxhueshme u kthye në një burim të çmuar për shtetin italian, ku shqiptarët derdhin sot 3.2 miliardë taksa.”
Nuk ka si të mos flitet dhe për fluksin e anasjelltë që ka sjellë në Shqipëri rreth 22 mijë italianë, shumica e të cilëve sipërmarrës. “Ne taksojmë vetë 15% të fitimeve, dhe rrogat tek ne janë më të ulta se në Kinë. Për më tepër, Shqipëria ofron një forcë punëtore të re dhe në gjendje të flasë italisht. Duke mos harruar këtu afërsinë e madhe kulturore midis dy popujve. Asnjë italian nuk ndihet i huaj tek ne, bashkëndajmë vese dhe virtyte, sidomos – shton duke qeshur – ato që zemërojnë gjermanët. Për shumë kohë e kemi parë Italinë vetë nëpërmjet televizorit: ishim të bindur se ju ishit shqiptarë të veshur me Versace. Sigurisht, realiteti është më i komplikuar dhe unë s’do doja kurrë të isha në vendin e Renzit.”
Por vazhdon me autokritikë: “Më pëlqen të flas për gjërat që janë në rregull, dhe jo për ato që ende duhen bërë. Sidoqoftë, ne vazhdojmë të rritemi me 3%, por di edhe që duhet të bëjmë akoma më shumë. Shqipëria ka marzhe të mëdha zhvillimi, dhe mendoj se të gjithë sipërmarrësit, shqiptarë dhe të huaj ëndërrojnë një vend ku nuk ka as sindikata dhe as parti të së majtës radikale. Pavarësisht Corbyn-it dhe Sirizës, historia i ka dhënë tashmë vendimet e saj”.
KOHA JONË SONDAZH

