Rënia e “senatorëve” të PSsë dhe ngjitja e modelit “Kokëdhima”
Nga Luljeta Progni.
Kur u zgjodh në krye të PS, në tetor të vitit 2005, Edi Rama u betua se do të pastronte Partisë Socialiste nga “”fshatarët që i prishin imazhin partisë”. Rama e mori drejtimin e PS me kundërshtitë e një pjesë të rëndësishme të forumeve drejtuese të kësaj partie, por me mbështetjen shumë të rëndësishme të Gramoz Ruçit, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. Kundër Ramës ishin një grup deputetësh shumë prej të cilëve sot janë në krahun e djathtë të Edi Ramës. Një ndër ta është edhe Taulant Balla i cili ishte mjaft aktiv në grupin e deputetëve kundër zgjedhjes së Ramës në krye të PS-së. Megjithë kundërshtitë, Rama ishte kryetari i tyre dhe reforma për të spastruar partinë nuk do të vononte. Beteja e Ramës ishte me ata deputetë e drejtues që ishin ende besnikë të ish-kryetarit Fatos Nano. “Kush jeni ju, o miq e shokë, që gjeni kurajon të na ndani në të rëndësishëm e të parëndësishëm, në personazhe emblematikë e në njerëz problematikë, në vendës e në të ardhur në një parti ku, dëgjojeni mirë këtë, kontributet dhe vendin e secilit nuk mund t’i vlerësojë e t’i përcaktojë më vullneti suprem i konjukturës së degjeneruar të demagogëve që politikën e kanë kthyer në një ves më të keq e më të dëmshëm se vetë kumari, të profesionistëve të hiçit e të statukuosë që në emër të respektit për procedurat mund të vrasin çdo embrion shprese e çdo ide të sapolindur, të dembelëve e parazitëve që fshihen pas parrullave të dashurisë për socialistët, por që, për habinë më të madhe, meazallah se i duan socialistët në votim për çështjet e mëdha të partisë!”, tha Rama në një ndër fjalimet e ditëve të para të angazhimit të tij në PS.
Përgjatë dy viteve të para të drejtimit të PS-së Rama bëri përpjekje për të konsoliduar pozitat e tij si kryetar i mbështetur pa mëdyshje nga Gramoz Ruçi. Pas zgjedhjeve vendore të shkurtit të vitit 2007, ai ia doli të konsolidojë pozitat e tij në krye të partisë pasi fitoi për herë të tretë garën për bashkinë e Tiranës. Këtë garë e fitoi me ndihmën e Ilir Metës përmes një marrëveshje që u prish shpejt. Ky është momenti i parë kur nis konkretisht spastrimi i partisë nga kundërshtarët. Në kongresin e 2 qershorit 2007, u miratuan ndryshimet në statutin e partisë. Sipas këtyre ndryshimeve, sekretari i përgjithshëm pushonte së ekzistuari si funksion dhe kompetencat e tij i mori kryetari i Asamblesë Kombëtare. Kryetar i këtij forumi u zgjodh Gramoz Ruçi i cili kishte dhënë dorëheqje në 9 tetor 2005 kur mori përsipër dështimin e “paketës Rama: në këtë kongres. Ishte moment për të kompensuar Ruçin dhe për ta rikthyer në drejtimin e partisë. Sipas statutit të ri, kongresi rritej në numër nga 650 delegatë në 1500 delegatë; u rrit me 150 anëtarë Asambleja Kombëtare dhe në çdo forum 50% duhet të ishin gra. Në nivel lokal, PS iu shtuan zyrtarë të rinj. Në çdo qark u zgjodh një sekretar qarku dhe një nënsekretar. Me sloganin “ndarje me politikën e vjetër”, kongresi i 2 qershorit bëri “pastrimin” e partisë nga ata që për momentin ishin kundërshtarë të Ramës në PS. U zgjodh Asambleja e re Kombëtare dhe sekretarët e rinj. Në Asamble dhe në Kryesi u zgjodhën shumë të rinj, që vinin nga OJF si “Mjaft” dhe Bashkia e Tiranës. Figurat e rëndësishme të PS filluan të ndjenin humbjen e influencës. Përmes kësaj reforme Rama hoqi edhe kompetencat e kryetarëve të PS-së në rrethe pasi emëroi 13 nënsekretarë për 13 qarqet sipas ndarjes së atëhershme teritoriale. Ky është momenti kur Rama vendosi kontrollin e plotë mbi PS-në. Përmes këtyre lëvizjeve ai zvogëloi dukshëm peshën e anëtarëve të forumeve të larta drejtuese të kësaj partie ku përfshiheshin edhe ata që kishin reformuar PS-në prej vitit 1991 kur kjo parti ishte ende Partia e Punës. Gjatë punimeve të këtij kongresi pati rezistencë nga kundërshtarët e Ramës, ndër të cilët ishte renditur edhe Pandeli Majko. Bashkë me disa ish-drejtues të PS-së Majko paraqiti një paketë që kishte në thelb kundërshti të forta ndaj reformës së Ramës. Por paketa u rrëzua dhe Majko dha dorëheqje nga të gjitha funsksionet në PS.
Zgjedhjet parlamentare 2009, spastrimi i grupit parlamentar
Një tjetër goditje ndaj kundërshtarëve të tij në PS e realizoi në zgjedhjet e vitit 2009 kur la jashtë listës së kandidimit për deputetë një pjesë të rëndësishme të ishdrejtuesve të kësaj partie. Pasditen e 18 majit të vitit 2009, ishte mbledhur Kryesia e PS-së për të diskutuar listën e kandidatëve për deputet, e hartuar nga Rama. Lista u kundërshtua ashpër nga Kryesia pasi ishin përfshirë shumë persona të cilët nuk kishin kontribute në PS dhe kryesisht vinin nga një përvojë në Bashkinë e Tiranës. Ndër ta kishte edhe përfaqësues të lëvizjes “Mjaft” e drejtuar nga Erjon Veliaj. (kujtojmë që socialistët kishin një inat të hershëm me Veliajn dhe njerëzit e tij pasi kishin zhvilluar një betejë të rëndësishme për të rrëzuar PS-në nga pushteti me serinë e protestave të suksesshme “Nano Ik”). Në listën e kandidatëve për deputet të PS-së ishte Saimir Tahiri i cili e kishte nisur karrierën në PS si zëdhënës i Ramës, Olta Xhaçka pjesëtare e lëvizjes “Mjaft”, apo edhe Eduard Shalsi i cili ishte nënkryetar i bashkisë Tiranë. Në listë mungonte figura emblematike e socialistëve të Tiranës, Musa Ulqini, disa deputetë të tjerë, si Ylli Bufi, i cili ishte nënkryetari socialist i Parlamentit, por në listë mungonte edhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano. Pavarsisht armiqësisë me Nanon, gjë që dihej tashmë, mospërfshirja në listë e ish-kreut socialist, u shoqërua me kritika nga elektorati i kësaj partie. Humbja në zgjedhjet e 28 qershorit, dorëheqja e munguar e Edi Ramës Kur Partia Socaliste i humbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Ben Blushi dhe Arben Malaj në krye të disa deputetëve socialist dhe anëtarëve të forumeve të tjera në PS, kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i kryetarit. Ata e bazonin kërkesën e tyre në statutin e partisë ku ishte sanksionuar ky nen sipas të cilit kryetari jep dorëheqje kur i humbet zgjedhjet paralmentare. Por Rama nuk e dha dorëheqjen sepse zgjedhjet e 28 qershorit nuk i pranoi si të rregullta. Ai tha se zgjedhjet ishin manipuluar dhe për këtë organizoi partinë në protesta masive në të gjithë vendin.
Ndërsa në kongresin e partisë ai u rizgjodh kryetar dhe forumet e kësaj partie pësuan një tjetër ndryshim. Rama e drejtoi PS-në për katër vitet në vazhdim, përmes një politike bojkoti e protestash kundër qeverisë. Për këtë mënyrë drejtim ai u kritikua shpesh nga kundërshtarët e tij tashmë të pakët në radhët e partisë. Lëvizja për Mendimin Ndryshe e drejtuar nga Blushi, ishte shpërbërë pasi kishte pushuar aktivitetin si lëvizje brenda PS-së. Deputetët e kësaj lëvizje, Andis Harasani, Marko Bello, Kastriot Islami, Arben Malaj kishin ngrirë thuajse tërësisht raportet me kryetarin Rama, ndërsa Blushi me sa dukej i kishte rikuperuar ato.
Në zgjedhjet e vitit 2013 është edhe faza e fundit kur u përjashtuan kundërshtarët e Ramës në PS. Në listën e kandidatëve për deputet të PS-së nuk u përfshin disa prej drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie, ndër të cilët edhe Arben Malaj. Ky i fundit kishte publikuar disa deklarata kundër Ramës gjatë drejtimit të dy viteve të fundit në krye të PS-së. Jashtë listës së kandidatëve për deputet të PSsë mbetën edhe disa ish-deputetë të rëndësishëm të kësaj partie, ndër të cilët edhe Ethem Ruka, Marko Bello, Andis Harasani, e të tjerë. Në listën e kandidatëve për deputet të PS-së u përfshinë emra që kishin provokuar herë pas here “senatorët” e PS-së. Provokimi më i rëndë për ta ishte pikërisht përfshirja në listen e kandidatëve për deputet e botuesit të Shekullit,Koço Kokëdhima. Në listën e kandidatëve për deputet të PS-së u përfshi edhe Erjon Veliaj i “Mjaft” figurë e konstestuar nga socialistët në vazhdimësi. Në listen e Ramës u përfshinë shumë emra që nuk kishin asnjë lidhje me Partinë Socilaiste por që falë listës u zgjodhën deputetë dhe sot një pjesë e tyre janë ministra.
Rama i fitoi zgjedhjet e 23 qershorit në aleancë me LSI-në dhe ky është momenti kur “senatorët” e PS-së nuk kanë më asnjë peshë pushteti në parti. Koço Kokëdhima vendos tashmë edhe për çështje të rëndësishme të kësaj partie siç është shtyrja apo jo e kongresit. Kjo gjë ka shkaktuar reagimin e ashpër të Gramoz Ruçit dhe të tjerë deputetëve me histori të gjatë në PS, siç është edhe Valentina Leskaj. Por ky reagim i Ruçit është i vonuar sepse pesha e tij në PS duket se ka rënë. Të besdisur nga Koço Kokëdhima tashmë janë edhe të rinjtë e parë të Edi Ramës, kategoria e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri apo edhe më të hershmit besnikë të Ramës, Fatmir Xhafaj e të tjerë. Ndërkohë që Ruçi, Xhafa, apo Tahiri po reagojnë kundër modelit Kokëdhima në PS, ka të tjerë që nuk e kanë aspak këtë mundësi. Janë ministrat e qeverisë të cilët tashmë janë edhe pa mandate deputeti. Në se ata guxojnë të ngrenë krye kundër modelit që parapëlqen kryetari, qoftë ky edhe modeli Kokëdhima, ata nuk e kanë mundësinë të reagojnë pasi mund të gjenden një ditë në rrugë, as ministër as deputet. (botuar me shkurtime)
KOHA JONË SONDAZH

