Rezultati drastik i PD, deputetja Çupi: Duhet një projekt i ri politik që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur
”Frytet e përçarjes gati 2-vjeçare i morëm të dielën”, këtë sheh si rezultat deputetja e PD-së, Dhurata Çupi për humbjen e thellë në zgjedhje dhe ikja e bastioneve historike, si Shkodra.
Si zgjidhje për këtë situatë ku PD nuk është gjendur kurrë më parë, Çupi e sheh tek një projekti të ri politik që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur.
”Është koha t’i lëmë vend arsyes! Të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojmë akoma më keq”,-shkruan në një postim në Facebook.
Postimi i plotë
Frytet e përçarjes gati 2-vjeçare i morëm të dielën. Disfatë në bastione, humbje të mëdha në pjesën më të madhe të bashkive. Mijëra demokratë qëndruan në shtëpi pa i dhënë besim asnjërës palë të opozitës. Mijëra qytetarë të tjerë të pakënaqur me qeverinë nuk gjetën përfaqësim tek asnjëra nga logot e opozitës.
Për fat të keq, po kuptoj që lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë këmbanat e alarmit. Mesazhi është dhënë i qartë: Të ndarë jemi të humbur! Mesazhi duhet lexuar: Shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë. Demokratët, shqiptarët nuk duhet të sakrifikohen më për interesa personalë të askujt.
Lidershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur, trupa e vetme që mund të sjellë në pushtet opozitën.
Është koha t’i lëmë vend arsyes! Të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojmë akoma më keq.