Rikthehet fuqishëm Grida Duma, shpjegon se ekzistojnë dy Shqipëri

Grida Duma kishte marrë një periudhë pauze pas zgjedhjeve lokale në Durrës, ku ajo nuk mundi të fitonte. Por pas pushimeve Grida duket e relaksuar dhe gati për një betejë të re politike, teksa foli për “ Panorama”, mbi angazhimet që e presin:

Mesazhi i Grida Dumës

Kjo verë nuk ndryshoi nga të tjerat vetëm në një kuptim: takova sërish miq e të afërm, emigrantë të suksesshëm, përballë ironive dhe kritikave të disa prej të cilëve mu desh të mbroj pikërisht Shqipërinë tonë problematike. Pse e mbroj? Sepse e di se një popull i dalë nga një varfëri ekstreme ka etje të madhe për mirëqenie materiale. Ndërsa të gjithë rendnin drejt saj, pakkush mund ta mbante hapin për të mbrojtur vlerat e mëdha, për të ndalur keqpërdorjen.

Dikur Viktor Hygo shkruante: “ka gjithmonë shumë më tepër mjerim tek shtresa e ulët sesa ç’mund të ketë dashamirësi njerëzore tek shtresa e lartë”. Ndaj nëse ekziston diçka që nuk duhet gjykuar, para së gjithash nuk mund të gjykohet nevoja jonë për dinjitet ekonomik. Sepse mospasja e dinjitetit ekonomik është humbje e njërës nga kolonat, – natyrisht jo të vetmes – ku mbështetet dinjiteti njerëzor.

Ekzistojnë dy Shqipëri,

Shqipëria e 70 mijë azilkërkuesve në vit, dhe Shqipëria e mijëra emigrantëve që këto ditë kthehen për pushime në atdhe. Shqipëria e atyre që kërkojnë punësimin nëpërmjet partive, dhe Shqipëria e atyre që partitë i lënë pa punë. Shqipëria e atyre që duan të punojnë, dhe Shqipëria e atyre që duan thjesht një vend pune.

Na duhet paqe me realitetin, na duhet të pranojmë, se me hir apo me pahir, jemi pjesë dhe pjesëmarrës, sa në të këqijat tona, aq edhe të mirat që kemi. Nëse sjellim bashkë atë që besojmë me atë që bëjmë, do të arrijmë që më në fund të mos mallkojmë të paevitueshmen, ndërsa largojmë pafundësisht përgjegjësinë prej vetes. Kështu ngjizet diskutimi për gjërat e mundshme, për një Shqipëri të vetme, atë të së mundshmes, atë të asaj që është dhe që mund të bëhet.

SHKARKO APP