Rilindja synon të vjedhë zgjedhjet në TAVOLINË

Po bëhet një manipulim të madh të qeverisë dhe një pjesë të mediave lidhur me qëndrimin e opozitës për reformën zgjedhore. Varianti rilindas është se nuk po arrihet konsensusi, pasi partitë e opozitës kanë sjellë kushte të reja shtesë në momentet e fundit të datës 31 maj. Për shkak të këtyre kushteve të reja, sipas PS, qeveria do të detyrohet ta miratojë e vetme reformën në Kuvend. Në këtë mënyrë, qeveria ofron konsensus sa për të larë gojën dhe në fund voton me deputetët anonimë reformën që ëndërron Edi Rama. E vërteta është se nuk ka asnjë kërkesë të re nga partitë e opozitës për reformën zgjedhore. Kërkesat zyrtare të opozitës janë prej 83 ditësh në komisionin e reformës zgjedhor: garanci për mos vjedhjen e votës, verifikim elektronik të votuesve dhe qeveri kujdestare për zgjedhjet. Në vitin 2017, kur opozita nisi protestat kërkesat ishin edhe më të shumta; dënimi i krimeve elektorale, hetimi i dosjes së Dibrës e Durrësit që nuk u hetuan kurrë dhe kushti që quhej i panegociueshëm i qeverisë teknike zgjedhore. Sot këto dhe shumë të tjera nuk përmenden nga opozita për të ofruar konsensus. Të thuash se opozita ka shtuar kërkesat, kur realisht ka hequr dorë për hir të konsensusit nga shumica e tyre, kjo është tallje dhe manipulim me gjithë qytetarët. Opozita ka vetëm një sërë kërkesash gati minimaliste që nuk do të sjellin reformë të hatashme zgjedhore, por të paktën nuk lejojnë që qeveria të votojë dhe numëroj vetë. Sepse që qeveria vjedh zgjedhjet nuk është më sajesë dhe as tekë e opozitës. Kujtoni çfarë u bë në 30 qershor 2019 kur edhe pse në zgjedhje ishin vetëm kandidatë të PS, sërish komisionerëve të majtë nuk u përputhej numri i votave në kuti me numrin real të atyre që morën pjesë në votime. Të kërkosh më shumë siguri për votat përballë kësaj qeverie nuk është tekë, por është detyrim i opozitës. Detyrim ndaj mbështetësve të vetë dhe detyrim ndaj gjithë qytetarëve të tjerë, të majtë apo të djathtë qofshin. Nëse opozita do të ishte kundër konsensusit nuk do të kishte hyrë fare në takimet me Damian Gjiknurin në Këshillin Politik. Qëndrimi i saj qe i njohur për zgjedhjet dhe pranoi uljen në tavolinë me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me mundësinë për ti dhënë një shans dialogut politik. Reforma Zgjedhore është një kusht i BE-së për negociatat dhe një nga kushtet e Bundestagut gjerman për zgjidhjen e krizës politike. Kjo reformë nuk është test për opozitën, por test për qeverinë dhe Edi Ramën. Kryeministrit i takon të tregojë nëse kërkon realisht stabilitet politik, nëse i interesojnë negociatat dhe nëse do që Shqipëria të jetë vend normal apo një republikë e kaosit. Deri më sot kryeministri na ka bindur se nuk e do asgjë të tillë. Me refuzimin e fundit për konsensus nuk po sjell vërdallë dhe fyen vetëm ambasadorët, por po tallet me të gjithë qytetarët shqiptarë. Kokëfortësia për të refuzuar çdo dialog dhe skenarët e negociatave fallso, janë projekte që paralajmërojnë manipulimin e radhës së zgjedhjeve. Kryeministri kërkon një mandat të tretë qeverisës dhe i vetëdijshëm se zgjedhjet normale do ta shkatërronin, të vetmen rrugëdalje sheh vjedhjen e tyre në tavolinë. Nëse analizohen qëndrimet e PS në Këshillin Politik, të gjitha skemat e saj të çojnë të te vjedhja e votave. Sepse futja e komisionerëve jo politikë, në një shtet ku çdo zyrtar administrate kërcënohet me vendin e punës nga qeveria, nuk është reformë elekotorale, por reformë për të vjedhur votat. Qëndrimi tjetër i PS-së për të mos lejuar verifikimin elektronik të atyre që votojnë në kohë reale nuk ka asnjë shpjegim tjetër veçse plan për vjedhje. Nëse votuesit regjistrohen saktë dhe në kohë rekord, nuk ka më lojëra me mbushje kutish dhe me emigrantë që janë në Angli, por del se kanë votuar në Tiranë apo gjetkë. Lojërat teknike të PS me Kodin Elektoral janë detaje që mund të mos kuptohen nga një pjesë e qytetarëve, por thelbi i tyre është vetëm një: vjedhja e zgjedhjeve në tavolinë.

Refuzimi që Edi Rama po i bën sot konsensusit nuk është një çështje që lidhet vetëm me opozitën. Zgjedhjet janë të qytetarëve dhe praktikisht vullneti i tyre po vidhet që pa shkuar në votime. Dështimi i konsensusit nuk është vetëm shans i humbur për politikën. Nga fati i kësaj reforme do të varen negociata në BE dhe klima politike për vitin që po vjen. Sjellja e papërgjegjshme sot e PS në raport me kundërshtarët politikë dhe qytetarët do të prodhojë tensione dhe kaos të pashmangshëm. Një pushtet i vjedhur në tavolinë apo në kutitë e votimit nuk mund të sjellë asnjëherë qeverisje të mirë.

M. Xhani

SHKARKO APP