Ristani: PD s’ka përplasje me SHBA e BE. Rama ishte dakord për “vendet e rezervuara”

Intervistë për “Koha Jonë”, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani

 Intervistoi: Redjon Shtylla/Tensioni politik është në pikën më të nxehtë. Dështimi i takimit mes Kryeministrit Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, ku në thelb kishte negocimin e reformës në drejtësi, tashmë mund të ketë përballjen më të fortë, rrugën për miratimin në Kuvend. Arben Ristani, sekretari i Përgjithshëm i grupit parlamentar opozitar në një intervistë për “Koha Jonë”, ka shpjeguar me detaje ecurinë e reformës dhe pikat për të cilat nuk po arrihet negocimi. Z.Ristani thekson se në takimin e ditës së hënë, Kryeministri Rama shkoi për të mos arritur marrëveshje dhe këtë sipas tij e tregoi me fjalimin e gatshëm. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së shton se formula e vendeve të rezervuara në sistemin e drejtësisë është mbështetur parimisht dhe nga Kryeministri, Edi Rama. I pyetur se nëse në Kuvend sigurohen vota të PD-së për kalimin e reformës, a do të mund të quhet tradhti ndaj grupit? Për këtë çështje të rëndësishme, deputeti demokrat thekson se: “Në qoftë se ndodh për shkak të blerjes apo të trafikut, do të jetë një skemë e turpshme, e cila do të përballet me vendimmarrje të tjera të PD-së”.

Takimi mes kreut Basha dhe Kryeministrit Rama, u cilësia si më i rëndësishmi për politikën aktuale, por rezultoi negativ dhe i padobishëm? Pse dështuan negociatat?

Shqipëria ka një nevojë të ngutshme për të pasur një reformë në sistemin e Drejtësisë dhe për këtë reformë Partia Demokratike ka qenë e angazhuar totalisht për të bërë më të mirën e mundshme për vendin. Sigurisht që, do të ishte një reformë e kujdesshme sepse bëhet fjalë për ndryshime shumë të forta në Kushtetutë dhe të bësh ndryshime kaq të forta me nxitim dhe pa konsultën e duhur, nuk është e pranueshme për situatën që kalon Shqipëria, si kandidat për të marrë anëtarësinë në Bashkimin Europian. Kështu që në raport me kujdesin ne bëmë të gjitha hapat e duhura duke u përfshirë në këtë zhvillim dhe komisionin e Venecias. Megjithatë, maxhoranca qeverisëse u mundua të kishte drafte të njëanshme dhe kështu ajo paraqiti draftin e njëanshëm në dhjetor të vitit të kaluar, i cili u rrëzua nga Komisioni i Venecias. Për të ardhur në një draft të dytë, që i cili edhe ai pati vërejtje të shumta në shkurt dhe më pas situata erdhi që ne u ulëm për herë të tretë në raport me reformën në drejtësi, duke u bazuar sigurisht tek rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe tek dakordësitë që ne kishim me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu; Ambasadorin e SHBA-ve dhe ambasadorin e BE. Janë bërë të gjitha përpjekjet që reforma në drejtësi të kishte një cilësi maksimale, siç e meriton një vend që pretendon të jetë anëtare e BE-së. Nga diskutimet që ne patëm, si opozitë kishim problemin e luftës të korrupsionit, te kjo pjesë gjetën dakordësi dhe me maxhorancën dhe këtu janë elementët që kanë të bëjnë me; Ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, atë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe atë të gjyqtarëve. Të reja këto pika që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, pati dhe dakordësi dhe nuk kishte kontradikta mes palëve. Dy pika ngelën që duheshin diskutuar që kishin të bënin me mos kapjen politike të sistemit dhe me anti-koorporatizimit që nuk duhet ta kishte sistemi. Janë të lidhura dhe duhet bërë shumë kujdes sepse në momentin që forcohet lufta në mos kapjen politike, rrezikon të shtohet koorporatizimi, pra duhej bërë një punë e kujdesshme dhe këto dy elementë t’i kishim parasysh në reformën. Me ndërmjetësim dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe të specialistëve të tyre dhe me udhëzimin e Komisionit të Venecias, u përcaktuan disa formula, të cilat çonin tek mos kapja politike. PD-së dhe opozitës ju kërkua që të zgjidhte njërën nga formulat që cilat janë formula bashkëkohore, të njohura dhe në legjislacione të tjera të BE-së dhe në këtë kuadër PD-ja pranoi të përdorte formulën e vendeve të rezervuara për disa nga zgjedhjet e organeve të reja në sistemin e Drejtësisë. U bë ky dakordësim dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe erdhën te tavolina e përbashkët, midis Ramës, Bashës dhe përfaqësueseve të LSI-së. Nuk u pranua nga maxhoranca formula që ne propozuam për mos kapjen politike të Drejtësisë dhe u pa që mos pranimi ishte i paracaktuar, ata kishin ardhur në tavolinë që të mos e bërë reformën në drejtësi dhe kjo u provua më pas me fjalimin e gatshëm të Kryeministrit Rama, për t’ia lënë fajin te opozita. Gjithsesi, ne mendojmë që sistemi duhet patjetër që të jetë i moskapur nga politika, të luftojë korporatizmin dhe të themi që pjesën antikorrupsion e kemi të dakordësuar dhe këto janë dy pikat që po të ketë vullnet, sigurisht që, palët mund të kalojnë reformën e drejtësisë, por ajo që është e dukshme është që maxhoranca nuk ka vullnet për ta lëshuar sistemin e drejtësisë nga kthetrat e saja.

Ish-Kryeministri Berisha  prezencën e z.Vasili si përfaqësues të LSI-së, e cilësoi si takim trilateral? Sa ndikoi prania e LSI-së në takim Rama-Basha?

Ne mendojmë që maxhoranca është një, si Rama apo Meta. Ata janë së bashku në qeverisje dhe janë ata që mbajnë gjithë përgjegjësinë se si po shkon Shqipëria në këto tre vjet. Janë ata që mbajnë të gjithë përgjegjësinë për kriminalizimin e sistemit politik dhe të administratës shtetërore në Shqipëri. Për ne është e kuptueshme se janë ata që kanë rezistencën më të fortë për që kjo reformë të mos shkojë ashtu siç duhet, por sistemi të jetë i kapur politikisht që ata të kenë siguri për nesër, për zullumet që kanë bërë sot.

Kryeministri me bindje u shpreh se opozita nuk e do reformën, por deputetë demokratë mund të votojnë “pro”. A mundet të ndodh një tradhti brenda grupit të PD-së, të cilët mund të japin votën e tyre për kalimin e reformës?

Si grup parlamentar i kemi diskutuar disa herë reformën dhe të gjitha vendimmarrjet e mëparshme janë vendimmarrje të dakordësuara me grupin parlamentar. Unë nuk besoj që do të ketë cenim nga vendimmarrja në grup të Partisë  Demokratike.

Do të kemi djegie mandatesh nëse tentohet “blerja” e votës ndaj një deputeti demokrat?

Në qoftë se ndodh për shkak të blerjes apo të trafikut, do të jetë një skemë e turpshme, e cila do të përballet me vendimmarrje të tjera të PD-së.

Pra ekziston një frikë e brendshme e opozitës?

Ju thashë që ne e kemi konsultuar të gjithë procesin dhe nuk ka pasur mos dakordësi në grupin e PD. Në rast se dikush ndërron mendje do të jenë probleme personale, por që në grupin e PD-së sa herë që është diskutuar kemi qenë të gjithë në një mendje, se si të kemi një reformë në Drejtësi, sa më cilësore.

Ndërkombëtarët a mund të ndien të zhgënjyer nga dështimi i takimi pas përpjekjeve të tyre disa mujore mes krerëve, për të arritur një konsensus?

Besoj se do të jenë ndjerë të zhgënjyer nga Kryeministri Rama, sepse formula që ne paraqitën kishte formulë e dakordësuar me ta dhe në dijeninë time dhe e pranuar paraprakisht nga Rama. Kështu që fakti që nuk e pranoi në takimin e së hënës, besoj se duhet t’i ketë zhgënjyer partnerët tanë ndërkombëtarë. Dhe nuk është hera e parë që i zhgënjen.

Në takimin e djeshëm të grupit, z.Selami u shpreh se qëndrimi juaj a mund të çojë në përplasje me qëndrimin e ndërkombëtarëve?

Është një merak normal i çdo deputeti nga ne, sidomos kur nuk ka dhe informacionin e plotë. Besoj që çështja u sqarua në grup, pasi nga Kryetari Basha u bë prezent fakti që i gjithë procesi ka qenë i dakordësuar nga ndërkombëtarët dhe kërkesa e PD-së që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit apo i Prokurorisë, e për shkak të pesë anëtarëve që zgjidhen nga politika të përdoret formula e vende të rezervuara. Kjo formulë ishte e dakordësuar me ndërkombëtarët dhe e pranuar nga Rama paraprakisht.

A është e përgatitur PD-ja nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme?

PD-ja është një parti shtet-formuese, një parti që ka udhëhequr vendin mbi 13 vjet në këto 25-së vitet e fundit dhe në këto kushte PD është gjithmonë e gatshme për tu përballur me gara elektorale dhe nga ana tjetër PD-ja është e gatshme me të ardhur në pushtet, t’i japi këtij vendi reformën e duhur në Drejtësi.

Lidhur me ligjin e dekriminalizimit, PS ka hedhur akuza ndaj jush, madje, ka kërkuar nga Prokuroria që të nis një hetim ndaj jush. Cili është reagimi juaj lidhur me këtë çështje?

Lidhur me formularin tim personal, unë kam pasur le të themi dy çështje për t’u diskutuar. E para është një dënim në shkallën e parë në vitin 1994, për dhënie vendimi të padrejtë, ku kam qenë gjyqtar dhe për një çështje procedural jam hetuar dhe gjykuar në atë kohë. Gjithsesi, vepra për të cilën unë jam akuzuar sot është një vepër antikushtetuese, pra një vepër që nuk ekziston më në kodin penal sepse me një vendim të gjykatës kushtetuese është gjykuar si dispozitë antikushtetuese. Për efekt të ligjit është një çështje e mbyllur dhe që nuk ka pasoja në efekt me ligjin. Po kështu kam një rast tjetër, një akuzë nga Kryeministri për shpifje lidhur me një denoncim që personalisht në emër të Partisë Demokratike kam bërë për lidhjet e Kryeministrit me krimin. Lidhje që tashmë, të gjithë Shqiptarët besoj se nuk kanë më ndonjë dyshim që përgjegjësinë e këtij Kryeministri për kriminalizimin jo vetëm të politikës dhe të administratës, por dhe jetës në vend, megjithatë për këtë çështje ka pasur një vendim nga gjykata e lartë që më ka dënuar me gjobë, por që dhe kjo nuk është në kuadrin e ligjit të dekriminalizimit. Për sa më përket mua personalisht, nuk kam asnjë shqetësim, por për publikun dhe lexuesin tuaj do të doja të sqaroja që i gjithë ky ligj është bërë për të nxjerrë nga administrata nga politika, njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale, pra bëhet fjalë për njerëzit që janë marrë me përdhunime, me trafik droge, me vrasje, për njerëzit që janë marrë me trafik prostitucioni dhe besoj që të gjithë biem dakord që njerëz të tillë ne nuk mund t’i kemi, aq më pak në vendet më të larta të administratës publike dhe jetës politike.

Një tjetër reformë e rëndësishme është ajo zgjedhore. Ndër propozimet e shumta, njëri prej tyre është që procesi zgjedhor të administrohet nga një pjesë e organeve të drejtësisë e jo më me numërues apo nga vullnetarë partie. Sa e shihni të realizueshme këtë pjesë dhe a do të ketë mbështetjen e PD-së, si dhe për listat e hapura?

Sistemi zgjedhor tek neve nuk çalon thjesht tek problem i numëruesve që janë partiakë sipas një praktike të vjetër, duhet të jenë nëpunës civil por pjesë e administratës së gjyqësorit siç është në Greqi. Çështja është që procesi zgjedhore tek ne do patjetër vullnet politik për të qenë një proces i lirë dhe i ndershëm. Në momentin që nuk ekziston vullneti politik, sa do masa të marrësh procesi nuk do të jetë i lirë. Megjithatë, për të shtuar besimin e publikut tek procesi zgjedhor ne kemi propozuar votimin elektronik që shmang pjesën e numëruesve nga partitë sepse pajisja elektronike bën identifikimin dhe bën numërimin automatik të votimeve. Në rast se pranohet votimi elektronik do të ishte një hap i madh përpara për të shtuar besimin te proceset zgjedhore.

SHKARKO APP