Deputeti Rrahman Rraja: Djali im s’ka kryer dhunë, nuk largohem nga PS!
Një ditë pas arrestimit të djalit të tij, pasi akuzohet për përndjekje të ish-të dashurës, Xhisiela Maloku, deputeti i PS Rrahman Rraja ka thyer heshtjen.
Nga jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, deputeti doli në mbrojtje djali të tij, ndërsa tha se Rexhep Rraja nuk kishte ushtruar dhunë ndaj vajzës. Po ashtu Rraja deklaroi vendosmërinë e tij se nuk do të largohej nga grupi parlamentar i PS.
“Djali im nuk ka kryer dhunë, e keni gabim (u drejtohet gazetarëve). Nuk largohem nga PS”, tha Rraja. Ditën e sotme grupi parlamentar i PS-së zhvilloi një mbledhje, ndërkohë që Rraja nuk ishte prezent.
Ditën e djeshme pak pas arrestimit të të riut partitë opozitare reaguan, ndërsa kërkuan që të merreshin masa edhe për deputetin Rrahman Rraja. Dhunimi i Xhisiela Malokut u bë publik pak ditë më parë, kur oficeri i policisë Emiljano Nuhu dëshmoi për dhunën e ushtruar ndaj vajzës së re dhe akuzoi policinë për neglizhencë, ku tregoi se ishte kërcënuar me armë në prani të deputetit Taulant Balla.
Më herët, deputeti Rraja hodhi poshtë pretendimet e oficerit të policisë Emiljano Nuhu, se djali i tij e kishte kërcënuar. Ai tha se Xhisiela Maloku e kishte denoncuar djalin e tij në polici në shenjë xhelozie, pasi çifti ishte ndarë.