Rrëfimi i Boçit: Në PD nuk ka vija të kuqe, për shkak të një fotoje memece

Flet për ”Koha Jonë”, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi

Intervistoi: Redjon Shtylla

Edhe pse viti akademik, rastisi të niste të enjten e seancës në parlament, debati mes opozitës dhe qeverisë, e shoqëruar nga tensioni, nuk u anashkalua as në kafen e Kuvendit. Aty, u pa në një tavolinë, kreu i qeverisë me tre deputetë opozitarë. Ajo foto e thjeshtë, u bë hit në internet, por çfarë u tha në atë tavolinë, pse Kryeministri u ul me opozitarët pas debatit të ashpër në foltoren e Kuvendit? Për deputetin e Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe kreu i Departamentit për Arsimin në PD, Luçiano Boçi, sjellja e z.Rama është dalje konstante nga funksioni i tij. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Boçi thekson se:”Debati për maturanët, doli jashtë vëmendjes, për shkak të një foto memece. Nuk është blasfemi të bisedosh e debatosh në kafe dhe me një që është Kryeministër”.

Nisja e vitit Akademik, rastisi me të enjten e seancës plenare. Një seancë ku nuk munguan debatet dhe replikat me tone të ashpra, një ndër to ishte dhe debati midis jush dhe z.Rama, e cila u shoqërua me tension për çështjen e arsimit? Çfarë nuk shkoi si duhet tek ajo seancë?

Ajo që nuk shkoi dhe që nuk ka shkuar gjithmonë në seancat e parlamentit është impostimi i kryeministrit. Është dalje konstante nga funksioni i tij. Vazhdimisht kalon në një regjistër të stilit bisedor, të mbushur me fyerje e batuta shpesh të pavend me një vetëkënaqësi të pandreqshme.  E bën sa herë që e sheh veten në pozitë të vështirë për problematikën që ngrihet nga opozita nga e cila kërkon të shmanget me të vetmen armë të tij: etiketime të papranueshme personale për deputetë e opozitës. Shfaqet si gallataxhi i papërgjegjshëm dhe nga i cili është e pamundur të marrësh doza apo pjesëza serioze deklarimesh apo llogaridhëniesh. Debati me të për maturantët është i disati dhe frekuenca e ashpërsisë së tij rritet në raport të drejtë me dështimin e procesit të pranimit në Universitete. Është një situatë kaotike, derën e daljes të së cilës,  kryeministri me logjikë të errësuar e gjetje të gabuara, nuk mund ta bëjë dot. Nuk e ndihmon as Ministrja e tij. Sepse ajo që gatuan ai dhe Ministrja me maturantët dhe që do detyrohen ta gëlltisin një ditë, i përngjan  një çorbe para së cilës “përsheshi” që ai i përmendte me cinizmin e tij klasik, Mozës, do t’i duket si “kryevepra” më e mirë e kuzhinës italiane.

Pas seancës, më shumë se shqetësimet që ju ngritën, virale u bë kafja e famshme, ku u fotografuar së bashkë me kolegë opozitarë dhe me z,Rama. Për të shuar kuriozitetin e të gjithëve, është e ndaluar që një opozitar të diskutojë me kreun e qeverisë? Ju vetë këtë situatë, e kaluat me shprehjen se: “Nuk e dija se po shkelja “vijat e kuqe” të Partisë sime”. 

Më erdhi pak keq që gjithë debati për maturantët doli jashtë vëmendjes për shkak të një foto memece. Përgjigja ime e cituar nga ju jo e plotë, e hequr nga konteksti,është paksa ironike në fakt, domethënia e drejtpërdrejtë e së cilës kërkon të theksojë se në PD nuk mund të ketë vija të kuqe. D.m.th artifice ndalesash, që kushtëzojnë së jashtmi qenien e dikujt besnik ose jo. Përfshi diskutimin me Kryeministrin. Nuk duhet parë si anormalitet një gjë e tillë. Ajo ka lindur si simbol lirie dhe unë kështu e shoh. Kafen, e theksoj sipas asaj që kam shkruar, e pij si ritual bisede  dhe debati. E kam konsumuar dhe e konsumoj me dashmirës, militantë, miq, shokë, të njohur, dashamirës ose jo, mirënjohës e keqdashës, kundërshtarë politikë e aleatë të përjetshëm. Nuk është blasfemi të bisedosh e debatosh në kafe dhe me një që është kryeministër. Sado toksit që është për publikun opozitar. Kjo nuk më relativizon në qëndrimin tim politik dhe askënd tjetër. Duhet parë thjesht si pjesë e vazhdimësisë së një përplasje të ashpër, e cila kërkon të jetë dhe shteruese, gjë që foltorja nuk ta ofron. Edhe sikur e tillë mos të ishte, ajo përsëri nuk mbart asgjë të keqe. Kafja nuk është vendi ideal për debat  dhe ideali nuk mund të përmblidhet në një kafe. Paragjykimet janë të ndryshme dhe janë në të drejtën e tyre. Kjo rrjedh nga mënyra se si ne ja kemi servirur politikën publikut dhe jo nga mënyra se si na është qasur publiku. Është mbjellë një lloj pabesueshmërie në të gjithë atë që bëjmë për shkakun tonë. Histori e gjatë kjo. Pas çdo ulje shihet, nga sytë përtej një aferë ose një tradhëti. Pak e trisht por shumë e vërtetë. Publiku do ta ndryshojë këtë perceptim kur politika të ndryshojë veten në mënyrën se si sillet dhe çka ofron për publikun.

Ky vit filloi me mungesën e një pjese të madhe të studentëve që do të ndjekin vitin e parë të studimeve, pasi ende një pjesë e tyre, rreth 40%, nuk janë regjistruar. Si e komentoi këtë situatë, a mbetën jashtë auditorëve këtë vit mijëra studentë?

Situata është tërësisht e dalë duarsh. Është një gjendje paradoksale. Hermafrodite letrarishte. Universiteti edhe ka filluar edhe nuk ka filluar. Ndërkohë që Kryeministri ka deklaruar me qindra herë se të parët që morën të drejtën në degët më të mira ishin ekselentët, sot ka degë të cilat nuk janë të plotësuar as në masën 50%. Flas për farmacinë, Inxhinieri elektronike, Inxhinieri mjedisi, Telekomunikacion, Bioteknologji etj. Disa degë të tjera në Universitete e rretheve rrezikojnë mbylljen. Ky proces pa fund e krye mund të lërë jashtë auditorëve një numër jo të vogël maturantësh. Faktorët që e shkaktuan janë ligjorë. Ligji handikap i AL, VKM-ja e famshme e 1 Qershorit për mesataren e thjeshtë si dhe udhëzimet calamane të MAS, për maturën shtetërore dhe procesin e pranimit. Sidomos ndryshimi i të gjithë piramidës së rregullave të cilës i ishin nënshtruar maturantët për të fituar mesataren e kredituar të tyre, ishte fatal.  Kjo gjë zeroi jo thjesht lëndët me zgjedhje por dhe tërë mundin e investimet disa vjeçare të tyre. Merita dhe preferenca u ekzekutuan, ndërsa transparenca nuk dihet se ku ka humbur diku zyrave luksoze të MAS. Njëkohësisht janë dhe ekstra ligjorë: Maturantët nuk u informuan, u çoroditën dhe u lanë krejtësisht të braktisur. Ndërsa Universitetet prisnin dritën jeshile të Ministrisë e cila gjatë shumë muajve mbeti vetëm e verdhë. Si për inat këto ishin dhe ngjyrat që u përcaktuan në fazat e raundit të dytë për ti lajmëruar ato që u kishte rënë lotoja e fatit të vazhdimit të një dege çfarëdo

Sipas ministres Nikolla, ankthi i maturantëve është shtuar në mënyrë artificiale. Por krahëz fazës së parë, e dyta sipas qeverisë ishte më e qetë por për ju, çfarë rezultati solli raundi i dytë i pranimeve?

Këtyre i ka dalë dhe raundi dhe faza nga faza! U tallën, i vërdallosën i shpërfillën thirrjet e tyre dhe tani na flasin për qetësi. Vetëm për qetësi e rregull nuk mund të flitet më. Nuk merret vesh asgjë më. Thjesht nxënësit klikojnë me ngjyra. Kur i del ngjyra jeshile kanë fituar. Pas kësaj duhet të regjistrohen me domosdo ndryshe humbasin të drejtën e studimit. Një lloj detyrimi absurd ky, gjë që bën dhe bëri që nxënës ekselentë dhe të mirë të regjistrohen me nxitim ne degë të pa preferuar, mgjs të shënuara nga ata. Në mbarim të raundit të dytë, ju e thatë vetë, u regjistruan pas gati dy muajsh, vetëm 40% e maturantëve. Ndërsa për 4 ditë kjo shifër na shkoi 70% sipas ministrisë. Po pse i munduan kaq shumë maturantët këta kur kjo vija e kuqe paska qenë me nam?! Ta kishin aplikuar që në fillim dhe Aleluja! Tani na bërtasin dhe për sukses. E turpshme sepse dështimi është i prekshëm dhe mashtrimi akoma më shumë.

Reforma në Arsim, e gjitha e kundërshtuar nga PD-ja por ata që u prekën janë maturantët që nuk do të studiojnë degën e tyre të preferuar. Nëse ka ende hapësirë për të ndërhyrë, cili është propozimi juaj? 

Nga e gjithë kjo fortunë me pasoja të pariparueshme për fatin e mijëra maturantë,  të paktën të shpëtohen ato që për shkak të ndryshimit të rregullave të lojës, të mosinformimit, panikut e paaftësisë ministrore e kryeministrore,nuk mund të jenë në auditor. Për këtë duhet një vendimmarrje e re. Se sa është i gatshëm kryeministri për ta bërë këtë të shohim. I duhet të përtypë dështimin e vet. Shpresoj të jetë me arsyen në kokë.

Edhe pse viti nisi, protestat e maturantëve as të Enjten nuk u ndalën. Ju çfarë i sugjeroni atyre?

Protesta duket se është e vetmja mundësi që të sjellë në gone këtë vendimmarrje qeverisëse që prodhoi procesin me të shëmtuar ndër vite për pranimin në Universitete. I inkurajojmë dhe i mbështesim

Lëvizja për Universitetin, ka deklaruar se udhëzimi numër 13 i Ministrisë së Arsimit të Sportit ka krijuar kaos në universitete ku ende nuk dihet se sa studentë janë regjistruar në universitetet private? Për ju, pse privati ende nuk është shprehur filluar me këtë situatë?

Ka një situatë të pa këndshme e lidhur me atë që deklarova pak më lart. Që transparenca nuk dihet se ku ka humbur. Po luhet me mungesën e dhënies së informacionit për ti përdorur privatët si pika shfryrje, mqs procesi po shkon me shpejtësi drejt dështimit. Për ta nxjerrë t ë vërtetën mbi ujin e pisët të këtij procesi do mjaftonte kërkesa për publikimin nga AKP e listës me preferencat e maturantëve. Do ta ngulmojmë një gjë të tillë. Privatin këta me një dorë e fërkuan me një tjetër e qëlluan. Nga që e bënë zap, tani duan ta keqpërdorin duke e keq favorizuar.

Në dijeninë tuaj, si është situata në universitetet publike në rrethe?

Niveli i regjistrimeve është në nivelin 60% me pak përjashtime. Madje Universiteti i Gjirokastrës këtë vit rrezikon mbylljen e viti të parë. Prandaj theksoj vendimmarrjen e re. Të turpshme sigurisht por shpëtuese për momentin e keq në të cilën i zhytën këta Universitetet.

SHKARKO APP