Rrëfimi i Bushatit: Ftesa në inaugurimin e Trump dhe marrëdhënia me SHBA-në

Deputeti socialist, Ervin Bushati flet për “Koha Jonë”:Nuk ka kohë për eksperimente me votimin elektronik

Intervistoi: Redjon Shtylla

Inaugurimi i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, shkaktoi debat edhe në politikën shqiptare. Deputeti socialist, Ervin Bushati, në një intervistë për “Koha Jonë” thekson fillimisht se, ftesa iu erdhi nga Komiteti i Ceremonive dhe se tashmë ajo vizitë historike, siç ai thekson, është një souvenir në zyrën e tij. E pyetjes se mungoi z.Rama, Bushati lë të nënkuptohet se, “në inaugurimin nuk merr pjesë asnjë drejtues shteti në botë, por ambasadorë dhe përfaqësues politike”. Ndërsa për situatën zgjedhore, deputeti socialist i drejtohet PD-së, duke thënë se: “Nuk jemi në kushte të eksperimentimit me votim elektronik sa kohë jemi shumë pranë zgjedhjeve. Përdorimi i votimit elektronik jo domosdoshmërisht krijon besim”.

Z.Bushati, ishit i ftuar në inaugurimin e Presidentit të Zgjedhur z.Trump. Në Tiranë ka pasur jo pak spekulime në media lidhur me mënyrën sesi merren ftesat për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni. Për të sqaruar opinionin, mund të na thoni si i siguruat ftesat?

Si fillim vlerësoj dhe ndaj me ju tokëzimin në mrekullinë e demokracisë amerikane dhe mënyrën se si funksionon shteti, drejtësia, demokracia e shoqëria në Amerikë. Për ne është një leksion i lirisë, qytetarisë dhe demokracisë. Ndjehem i privilegjuar, që së bashku me ministrin Blendi Klosi ishim të ftuar në disa nivele dhe ceremoni. U manifestuan parimet e demokracisë dhe besimit mbi të drejtën, lirinë dhe barazinë. I treguan botës se si krijohet një shoqëri që funksionon për të gjithë, atë çka Baballarët Themelues më 1776 patën vizion brilant, frymë që, vazhdon edhe sot me një zell vizionari. Ftesën sigurisht e morëm nga Komiteti i Ceremonive, i cili merr përsipër mbarëvajtjen e ceremonive. Vlen për t’u theksuar fakti se evenimenti i inaugurimit të Presidentit të 45 të SHBA, z. Donald Trump u ndoq me shumë interes anembanë botës, madje, shumë shqiptarë ishin spektatorë gjatë momentit të betimit. Ftesat dhe fotot e takimeve në fakt i kam vendosur për këdo bashkëpunëtor në zyrën time, në zonën time elektorale, njësia 8 në Tiranë: Një souvenir shumë i bukur dhe i dashur për mua tashmë i kësaj vizite dhe eventi historik.

Mungesa e Kryeministrit, Edi Rama në SHBA, lidhet me qëndrimet që mbajti para fushatës për zgjedhjet presidenciale?

Në Inaugurimin e Presidentit nuk merr pjesë asnjë drejtues shteti në botë por ambasadorë dhe përfaqësues politike. Përfaqësuesi i parë zyrtar i një shteti që mund të takojë Presidenti Trump mund të jetë pas 2 javësh (nga betimi); dhe fillon me Theresa May, Kryeministrja e Britanisë së Madhe. Vazhdoj të këmbëngul se duhet të përqendrohemi tek leksioni që morëm sa i përket zgjedhjeve të lira, demokratike, të drejta, si dhe lirisë së fjalës. Marr shkas nga kjo për të sjellë më pranë jush atmosferën e krijuar ato ditë në Uashington, ku festohej inaugurimi i Presidentit, por nuk munguan edhe protestat e asaj pjese të zhgënjyer nga rezultatet. Sigurisht fushata zgjedhore u ndoq me intensitet të lartë dhe opinionet kanë qenë nga më të ndryshmet e sigurisht që janë mirëpritur.

Zgjedhja e Turmp ka krijuar pasiguri dhe hamendje për mënyrën sesi do të sillet SHBA ndaj problemeve të nxehta sot në botë. Mendoni se me zgjedhjen e Trump do të ndryshojnë marrëdhëniet SHBA-Shqipëri? 

Vazhdimësia e marrëdhënieve të shkëlqyera u pohua edhe gjatë takimit në Departamentin e Shtetit. Duhet theksuar se dy shtetet kanë pasur marrëdhënie shumë të mira që me Presidentin Uillson si dhe gjatë Luftës së Kosovës me Presidentin Klinton, ku qytetarët, mediat dhe Shteti Amerikan u solidarizuan dhe bënë maksimumin për t’i dhënë Kosovës lirinë e merituar. Amerikanët janë miqtë më të mirë të shqiptarëve dhe shtetet janë partnerë strategjikë mes tyre.

Reforma zgjedhore ka vënë në tension politikën, demokratët kanë paralajmëruar trazira nëse nuk pranohet votimi elektronik. Çfarë do të bëjë PS-ja që të përmbushë kërkesën themelore të PD-së sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet në qershor?

Partia Demokratike është konfuze. Mesa duket ajo po kërkon një alibi për justifikimin e parakohshëm të humbjes së sigurt të zgjedhjeve të qershorit 2017. Në 4 vitet e fundit kanë bojkotuar çdo iniciativë të qeverisë. Edhe këtë herë nuk mund të anashkalonin instinktin e të qënit kundër në çdo gjë. Votimi elektronik është kërkesa e tyre e fundit, për të cilin qëndrimi i maxhorancës është i pandryshueshëm. Nuk jemi në kushte të eksperimentimit me votim elektronik sa kohë jemi shumë pranë zgjedhjeve. Përdorimi i votimit elektronik jo domosdoshmërisht krijon besim. Përkundrazi, ai kërkon besim paraprak në administrimin e zgjedhjeve nga të gjithë aktorët e përfshirë, në mënyrë që të zbatohet me sukses. Pa u adresuar plotësisht të gjitha sfidat, ato munden madje, ta dobësojnë besimin e publikut tek rezultatet e zgjedhjeve të dala nga një proces elektronik.

Sa i përket sanksionimit në Kodin Zgjedhor të listave të hapura të kandidatëve për deputetë nga partitë politike. Pse PS-ja ka dalë kundër? A nuk duhet që votuesi të njohin mirë para se të votojnë deputetin e zonës, të dinë CV-të e tyre?

Legjislacioni zgjedhor nuk është vetëm një interes i politikës, ai është në radhë të parë interes i zgjedhësve, që i garanton atyre ushtrimin e qetë të së drejtës së votës. Ne e kemi ndryshuar shpesh sistemin zgjedhor në këto 25 vjet dhe gjithmonë kemi hasur në probleme më pas. Për momentin, mendoj se nuk kemi kapacitete administrative për të aplikuar listat e hapura. Nga ana administrative kjo komplikon nxjerrjen e rezultatit dhe krijon një premisë për të rritur konfliktualitetin, i cili pengon zhvillimin e zgjedhjeve në një klimë të qetë.

Duke qenë se jemi në një vit elektoral, cili është bilanci i qeverisjes PS-LSI i këtyre 3 viteve e gjysmë? Z. Rama ka kërkuar ndjesë për gjërat që s’janë bërë mirë, por nga ana tjetër është shprehur se nuk është bërë asnjë gabim. Si e gjykoni ju?

Konsideruar faktin se në ç’gjendje e gjetëm vendin 3 vjet e gjysmë më parë, ju siguroj se ky koalicion ka qenë mjaft i suksesshëm për ta nxjerrë vendin nga bataku që opozita e sotshme la pas. Sigurisht që, ka shumë për të bërë, punë të cilat nuk mund të bëheshin në vetëm 3 vjet e gjysmë. Shteti bëhet me reforma strukturore si reforma në shëndetësi, në arsim, në drejtësi, në administratë, reforma territoriale etj. Kemi treguar vullnetin tonë të plotë për pastrimin e politikës përmes dekriminalizimit, rezultatet e para të së cilës u bënë të prekshme dhe të arritshme. Kemi mundësuar rritjen e pagave, ku paga minimale rritet me 36%. Kemi realizuar rritje ekonomike, duke ulur borxhin kombëtar. Jemi munduar dhe ia kemi arritur të realizojmë punë për së mbari, vlerësime maksimale kemi marrë edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Sa i takon buxhetit, ai tashmë është shigjetuar si buxhetor elektoral, a do të ketë me të vërtetë rritje ekonomike? Por nëse FMN-ja e prish marrëveshjen?

Kur flasim për marrëveshje me FMN-në flasim për marrëveshje serioze, jo fjalë, por punë. Buxheti 2017 është po aq real sa arritjet e kësaj qeverie, ky është fakt i pakundërshtueshëm sikurse rritja ekonomike. Buxheti i vitit 2017 në mënyrë të veçantë mbështet rritjen ekonomike, financimin e mëtejshëm të reformave dhe rritjen e pagave dhe pensioneve. I dakordësuar edhe me FMN-në, si dhe me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë fokus i veçantë ka qenë impakti pozitiv si i investimeve publike, ashtu edhe i reformave, të cilat përkthehen në të mira për qytetarin, rezultat i punës së madhe të përbashkët të tri viteve të shkuara për të gjithë faktorët. Buxheti i vitit 2017, është buxheti i rritjes ekonomike, financimit të reformave, rritjes së pagave dhe pensioneve; është buxhet për qytetarin, për të vazhduar masat tona mbështetje në favor të përmirësimit të jetës dhe lehtësimit të barrës fiskale, për të gjithë shqiptarët; është buxheti i mbështetjes së sipërmarrjes dhe biznesit. Thjeshtimi i procedurave dhe mbështetja e sektorëve janë në thelb të paketës së re fiskale.

Investimet e huaja, si i parashikoni për 2017. Shqipëria paraqitet mirë me fluksin, me vlerën totale, por nga ana tjetër problem mbetet cilësia e tyre. Në vendin tonë, investimet janë kryesisht fasone, call center etj. A ka qeveria një strategji, që edhe në Shqipëri të vijnë brand-e?

Shqipëria është e hapur ndaj investimeve të huaja. Projekti “Doing Business” i Bankës Botërore në raportin e fundit të klimës së biznesit, vlerësoi të gjithë hapat e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit të kaluar, duke e renditur vendin 32 pozicione më lart në klasifikimin global. Lejet e ndërtimit, pagesa e taksave dhe marrja e energjisë janë tre shtyllat kryesore që kanë ndikuar në këtë përmirësim, të tria reflektojnë prioritetet e qeverisë të përkthyera në masa konkrete ndihmëse dhe lehtësuese. Për herë të parë kemi një trend të konsoliduar raportesh pozitive dhe largohemi përgjithmonë nga orvatjet e qeverisjeve të mëparshme, që fillimisht vlerësoheshin nga Komisioni Europian për reformat e iniciuara e më pas gërryheshin në raportet e njëpasnjëshme për moszbatimin e tyre. Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2014-2020, përbën dokumentin bazë për evidentimin dhe zbatimin e politikave kombëtare për nxitjen e biznesit dhe investimeve për periudhën 2014-2020. Dokumenti është hartuar mbi bazën e gjetjeve të arritura si dhe pas një analize të detajuar të treguesve dhe nevojave të identifikuara përgjatë kësaj periudhe. Strategjia është në linjë me dokumentet kryesore të Komisionit Europian në fushën e nxitjes së biznesit dhe investimeve dhe si e tillë ka në fokus të saj edhe një nga prioritetet kryesore të BE-së për periudhën 2014-2020, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

 

SHKARKO APP