“Rrëmbyen toka me 7501, pastaj erdhën oligarkët!”/ Neritan Sejamini shpjegon “masakrën” në bregdet

Neritan Sejamini ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka shpjeguar se si janë vjedhur tokat në bregdet me ligjin 7501 dhe më pas me ndryshimet ligjore të qeverisë Rama, që i pajisi qytetarët me ATMP të cilat më pas në shumë raste u përdorët që pronat të merren nga oligarkët, të cilët sot kanë edhe status investitor strategjikë, duke përdorur fondet publike për infrastrukturën e resorteve të tyre turistike.

“Qeveria socialiste e bëri këtë zgjidhje me ligjin 7501 që fshatarët të kishin një ngastër tokë për të ngrënë bukë. PD bëri fushatë për ta anuluar këtë ligj, sepse ishte që prona t’ju kthehej pronarëve. Me ardhjen në pushtet të PD, u kuptua që kjo ishte e pamundur sepse i kishin marrë tokat. Tani, megjithëse ligji iu dha tokën, ua dha në përdorim dhe nuk i bëri pronarë. Megjithëse e përdornin tokën, nuk e shisnin dot dhe nuk e tjetërsonin.

Qeveria Rama tha, nëse deri sot e ke përdorur tokën tënde, ke të drejtë ta marrësh si pronar, pra ky akti ATMP. Pra kam patur një tokë në përdorim 30 vjet, nuk ka njëri që e pretendon dhe them më bëj pronar.

Ky është ligji dhe mënyra e abuzimit është kjo. 7501 mbulonte vetëm tokat bujqësore. Tani, 7501 vajtën dhe rrëmbyen toka ku ishin toka jo bujqësore, përfshirë edhe në bregdet. Pra e kishin në fshat dhe merrnin kodrën në breg të detit. Pastaj me kalimin e kohës ndryshonte nocioni, ishte apo jo tokë bujqësore. Pastaj lindi oligarku dhe tha, si ta marrë këtë tokë? Bëj gjoja sikur kjo i është dhënë dikujt me 7501 dhe pastaj ky ma shet mua. Pra, e marr tokën në Palasë, bëj një kooperativist të fshatit sikur ka qenë e tij, i rregulloj letrat dhe ai ma shet mua. Nga Palasa, sa zbret Llogaranë dhe deri në Konispol, pothuajse të gjithë tokat që ka bërë investitori strategjik janë marrë në këtë mënyrë.

Gjëja më e tmerrshme është kjo, një pjesë e këtyre, pasi kanë vjedhur tokën publike, me çmime qesharake, problemi është që një pjesë prej këtyre kanë aplikuar për investitor strategjik, pra thonë na bëj pak rrugën, kanalizimet, etj. Pra na vjedhin dy herë.

Një pjesë prej këtyre nuk kanë bërë as kapacitet për turizëm, por kanë bërë vila që e kanë blerë të pasurit, të korruptuarit, etj. Kjo është përsëritur në shumë vende në bregdet”, tha Sejamini.

SHKARKO APP