Rreziku i sanksionëve nga Brukseli dhe Berlini
Keqqeverisja e kryeministrit Edi Rama, dhunimi i institucioneve nga Rilindja, futja dorë në Kushtetutë në mënyrë të njëanshme për qëllime kriminale, si dhe sulmi ndaj ndërkombëtarëve ka sjellë reagime të egra nga Bashkimi Europian. Fillimisht ishte Gjermania, e cila i vuri kushte qeverisë shqiptare për negociatat, më pas Parlamenti Europian dhe tani po kërcënohet për ndërprerjen e konferencës së parë BE-Shqipëri për kapitujt e negociatave. Miratimi i reformës zgjedhore me konsensus me opozitën reale është kushti i parë që BE përsërit çdo ditë për caktimin e datës së konferencës ndërqeveritare. Konsensusi u vra ditën që rilindja ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme. Ndaj BE nuk ka caktuar asnjë datë për takimin ndërqeveritar dhe mesa duket nuk ka ndërmend të japë asnjë afat për fatin e negociatave. Shkak i vetëm mbetet vetëm Edi Rama. I pangopur me pushtet, arrogant dhe sfidues ndaj ndërkombëtarëve që kanë ndihmuar Shqipërinë, por që i kërkojnë të zbatojë kushtet e Parlamentit Europian, tashmë kryeministri dhe Rilindja e kanë çuar vendin në buzën e një gremine të re; përplasje civile pasi zgjedhjet e lira janë kryesore që të ndërrohet pushteti.
Rilindja po bën të gjitha përpjekjet duke sfiduar shtetin ligjor dhe BE, që ti vjedhë në tavolinë zgjedhjet. Ndaj reagimi i BE dhe sidomos Gjermanisë do të jetë spektakolar ndaj qeverisë Rama. Por do ta pësojnë dhe shqiptarët. Deri tani rrezikohet konferenca e parë BE-Shqipëri, ndërkohë shqiptarëve nuk iu lejohet të hyjnë në BE për shkak të koronavirusit në rritje në Shqipëri, praktikisht vizat kanë rënë. Për shkak te keq menaxhimit të krizës COVID-19, Shqipërisë i janë mbyllur kufijtë nga shumica e shteteve të Bashkimit Europian. Shqiptarët mund të lëvizin vetëm në vendet e rajonit, por më shumë sesa tolerancë ndaj shqiptarëve ky vendim është një akt reciprociteti i vendeve të Ballkanit. Kanë hapur kufijtë që të mos bllokojnë ekonominë e tyre dhe shkëmbimet tregtare me Shqipërinë. Ndërsa pjesa më e rëndësishme e vendeve të BE-së e kanë nxjerr Shqipërinë nga lista e shteteve të sigurta për pandeminë. Shifrave që jep qeveria për përballimin e pandemisë dhe propagandës së suksesit si vend i vetëm me më pak dëme nga virusi i ra boja që në nisje të verës dhe sot renditemi të vendet më problematike. Shqiptarët kanë “viza” për të udhëtuar, por sot shumica e vendeve të BE-së nuk pranojnë shqiptarët të hyjnë në territorin e tyre. Kjo jo për faj të qytetarëve, por për shkak të paaftësisë së qeverisë për të menaxhuar krizën e rëndë të virusit. Nëse sot qytetarët janë bllokuar brenda 28 mijë kilometrave katrorë për shkak të pandemisë, nesër mund të izolohen për direkt për faj të qeverisë dhe çështjeve që lidhen me shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë.
De facto nuk ka viza për shqiptarët që të hyjnë më në BE. Por nëse vazhdon kështu qeveria shqiptare me këto veprime antiligjore dhe antiBE, rrezikon që Brukseli vizat ti heqë edhe de jure për shqiptarët.
Nga ana tjetër Gjermania, si vend lider në BE, ka dhënë ndihma të mëdha për Shqipërinë prej vitesh, por nuk po shikon rritje të demokracisë në vend, qeverisja nuk po plotëson kushtet parlamentit gjerman, përkundrazi bën karshillëk edhe kancelares Merkel. Nëse Brukseli ka qenë gati për ti hequr vizat prej kërkesave hollandeze dhe disa shtetëve të tjera, ka qenë Berlini që na ka ndihmuar, por edhe gjermanët po lodhen me premtimet boshe të qeverisë Rama si dhe aktin e fundit kur marrëveshja e 5 qershorit që me zor u realizua, u dreqos nga Edi Rama.
Tashmë dihet se nuk është puna për listat e hapura, por për të prishur koalicionet parazgjedhore nga Kushtetuta.
Nga pasaportat shqiptare për në BE të cilat nuk na bëjnë punë prej vetvetes me koronavirus, Brukseli dhe Berlini mund të vendosin edhe vizat de jure për shkak të kursit të mbrapshtë të qeverisë Rama, e cila pasi ka uzurpuar çdo pushtet, futi duart edhe në Kushtetutë me synimin që ti vjedhë zgjedhjet në tavolinë./M.Xhani/