Rritja e ekstremit të djathtë tronditi fuqitë tradicionale të BE-së dhe çoi Francën në zgjedhje të të parakohshme

Partitë e ekstremit të djathtë tronditën fuqitë tradicionale në Bashkimin Evropian me vendet e fituara në parlamentin e bllokut, duke i shkaktuar një humbje veçanërisht poshtëruese presidentit francez Emmanuel Macron, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Francë.

Ndonëse fletëvotimet po numërohen ende të hënën, rezultatet e deritashme treguan se anëtarësia në parlamentin e bllokut prej 27 vendesh është zhvendosur qartazi në të djathtë. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni arriti me shumë së dyfishin e vendeve të partisë së saj. Ndërkaq, pavarësisht se u ndoq nga një skandal që përfshin kandidatët, partia e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë, megjithatë mblodhi mjaft vota për t’i lënë prapa socialdemokratët në rënie të kancelarit Olaf Scholz.

Duke ndjerë kërcënimin nga e djathta ekstreme, kristian-demokratët e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tashmë ishin zhvendosur më tej djathtas për çështjet e migracionit dhe klimës përpara zgjedhjeve, dhe u shpërblyen duke mbetur deri tani grupi më i madh në Parlamentin Evropian 720 vendesh.

Por, rritja e partive nacionaliste dhe populliste në të gjithë Evropën do ta bëjë shumë më të vështirë miratimin e legjislacionit mbi çështjet që nga ndryshimet klimatike te politikat bujqësore për pesë vitet e ardhshme në Parlamentin Evropian.

Megjithatë, padyshim, ylli i një nate tronditëse zgjedhore ishte partia e zonjës Marine Le Pen, fitorja e së cilës bëri që presidenti Macron të shpërndajë menjëherë parlamentin kombëtar dhe të shpallë zgjedhjet e reja në fund të këtij muaji. Ky është një risk politik masiv pasi partia e tij mund të pësojë më shumë humbje, duke vështirësuar pjesën tjetër të mandatit të tij presidencial, që përfundon në vitin 2027.

Zonja Le Pen u shpreh e kënaqur me sfidën. “Ne jemi gati për të mbrojtur interesat e francezëve, gati për t’i dhënë fund emigracionit masiv”, tha ajo, duke i bërë jehonë thirrjes së shumë liderëve të ekstremit të djathtë në vende të tjera që po kremtonin fitore të konsiderueshme.

Partia e saj fitoi mbi 30 për qind të votave, ose rreth dy herë më shumë se partia e presidentit Macron që pritet të ketë më pak se 15 për qind.

Presidenti Macron e pranoi humbjen. “E dëgjova mesazhin tuaj, shqetësimet tuaja dhe nuk do t’i lë pa përgjigje”, tha ai, duke theksuar se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme vetëm sa nënvizoi qasjen e tij demokratike.

Në Gjermani, kombin me numrin më të madh të popullsisë në BE, rezultatet treguan se votuesit nuk ishin dekurajuar nga skandalet e AfD-së pasi ajo u rrit në 16.5 për qind nga 11 për qind sa kishte në vitin 2019. Rezultati i kombinuar i tri partive në koalicionin qeverisës gjerman mezi arriti në 30 për qind.

Partia qeverisëse Socialdemokrate e kancelarit Olaf Scholz u poshtërua ndërsa Alternativa për Gjermaninë u ngjit në vendin e dytë. “Pas gjithë profecive për rrënimin, pas breshërisë së javëve të fundit, ne jemi forca e dytë”, tha udhëheqësja e ngazëllyer e AfD-së, Alice Weidel.

Në përgjithësi në të gjithë BE-në, dy grupe tradicionale dhe pro-evropiane, Kristian Demokratët dhe Socialistët, mbetën dominues në votimet që përfunduan të dielën. E djathta ekstreme përfitoi në kurriz të të Gjelbërve, të cilët pritet të humbin rreth 20 vende dhe të rikthehen në pozitën e gjashtë në parlament.

Zonja von der Leyen ofroi të dielën vonë mundësinë e ngritjes së një koalicioni me socialdemokratët dhe liberalët pro biznesit.

“Ne jemi pala më e fortë, ne jemi spiranca e qëndrueshmërisë”, tha zonja von der Leyen. Duke reflektuar mbi ngritjen e ekstremit të djathtë dhe paraqitjen e mirë të së majtës ekstreme, ajo shtoi se rezultati sjell “qëndrueshmëri të madhe për partitë e qendrës. Të gjithë kemi interes për qëndrueshmëri dhe të gjithë duam një Evropë të fortë dhe efektive”.

Rezultatet paraprake treguan se Kristian-Demokratët do të kenë 189 vende në Parlamentin Evropian, Social Demokratët 135, dhe grupi pro-biznes 83 vende.

Zyrtarë të lartë të partive në parlamentin e BE do të zhvillojnë bisedime të hënën për të parë se çfarë aleancash mund të krijohen. Çelësi për punën e ardhshme të parlamentit do të jetë nëse e djathta ekstreme bashkohet në një bllok të fortë për të sfiduar grupet kryesore pro evropiane.

Zgjedhjet u mbajtën në një periudhë sprove për besimin e votuesve në bllokun prej rreth 450 milionë banorësh. Gjatë pesë viteve të fundit, BE-ja është tronditur nga pandemia e koronavirusit, një rënie ekonomike dhe një krizë energjetike e nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Por fushata shpesh përqendrohej në çështjet e e brendshme të vendeve anëtare dhe jo në interesat më të gjera evropiane.

Që nga zgjedhjet e fundit të BE-së në vitin 2019, partitë populliste ose të ekstremit të djathtë tani udhëheqin qeveritë në tre vende, Hungari, Sllovaki dhe Itali, ndërsa janë pjesë e koalicioneve qeverisëse në vende të tjera, duke përfshirë Suedinë, Finlandën dhe së shpejti, Holandën.

Zëri i Amerikës

SHKARKO APP