Rritje e numrit të bashkive, Çupi tregon çfarë synon PD-ja: Rajonet temë e hapur

Në 2023 do të mbahen zgjedhjet lokale dhe Partia Demokratike do të kërkojë rritjen e numrit të bashkive, nga 61 në 80 në ndryshimet e paketës ligjore dhe hartës territoriale që pritet t’i propozohet Kuvendit përpara 30 shtatorit.

Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, deputetja demokrate Dhurata Çupi shprehet se reforma e 2014 rezultoi e dështuar, pasi qytetarëve iu largua më shumë shërbimi publik, ndërsa financat e institucioneve të qeverisjes vendore u përkeqësuan me rritje të borxheve për shkak të përdorimit të tyre për punësime elektorale.

“Ekspertët e Partisë Demokratike kanë punuar intensivisht për të realizuar një projekt të paketës ligjore dhe të hartës territoriale. Po ne kemi një variant që do t’ua ofrojmë qytetarëve. Ne jemi për rreth 80 njësi të qeverisjes vendore. Vendet e rajonit dhe më gjerë i kanë të konceptuara njësitë e qeverisjes vendore si bashki. Njësi të qeverisjes vendore plotësisht urbane, njësi urbane dhe rurale dhe njësi plotësisht rurale për shkak të funksioneve që kanë. Ne do mundohemi t’u japim shqiptarëve rreth 80 njësi të qeverisjes vendore, por ne kemi shumë kërkesa për rishikim kufijsh të disa prej tyre”, tha Çupi për gazetën “Panorama”.

Nga ana tjetër, ajo pranoi se brenda PD-së ka një ngërç që lidhet me përfaqësimin e opozitës në këtë komision, po u shpreh se propozimi do të jetë unifikues dhe në interes të qytetarëve.

”Në vitin 2014 maxhoranca nuk dëgjoi propozimet e opozitës dhe bëri fakt një reformë me efekte të pastra elektorale dhe që nuk ishte në shërbim të qytetarëve. Ekspertët tanë po përgatisin një material final të plotë dhe detajuar dhe besoj që të gjitha palët e opozitës do ta mbështesin këtë propozim që do të jetë më i miri për interesat e qytetarëve shqiptarë”.

SHKARKO APP