Sali Berisha në zgjedhjet lokale, ish-kreu i KQZ zbulon planin si do të futen në garë kandidatët
Sali Berisha do të garojë sërish në zgjedhje lokale jo me logo të PD-së. Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume thotë se Berisha mund të garojë me logon e vet, që ka miratuar në 11 dhjetor.
“Kandidatët do të garojnë me siglën e koalicionit, kjo nuk e ndalon PD-në, Berishën dhe ndjekësit e tij që të zhvillojnë fushatë zgjedhore, duke artikuluar që duhet të mbështeten nga demokratët dhe të garojnë me logon e vet, me atë që kanë miratuar në 11 dhjetor”.
Teksa kujton zgjedhjet e vitit 2001, Kume thekson se shumica e kandidatëve të PD-së hynë në zgjedhje si kandidatë të pavarur. “PD nuk e ka për herë të parë një situatë të tillë. Kujtoj zgjedhjet e 2001, 95 kandidatë nga 100, ishin në fletë të votimit si të pavarur. Kjo pati efekt, por jo aq sa të humbte mandati në zonat ku votuesit kanë qenë pro atij kandidati”.
Për të më shumë rëndësi ka fushata që kandidatët duhet të bëjnë në zonat e tyre elektorale, sesa logoja e partisë. “Ka shumë rëndësi dhe kandidati vetë, edhe kandidatët e këshillave bashkiakë, që të jenë pjesë intensive e fushatës. Janë zgjedhje ku në fund të fundit, qytetarët, nëpërmjet votës së tyre zgjedhin se kush do t’i qeverisë në punët e tyre lokale. Duan përfaqësuesin e tyre. Është i rëndësishëm mirë orientimi i zgjedhësit”.